Larg luftës, copëza shprese për qytetarët ukrainas
Në skajin tjetër të luftës ka shpresë. Mijëra ukrainas kanë shpëtuar kokën duke u strehuar në shtetet fqinje.
Sot jemi në ditën e 20-të të luftës Rusi-Ukrainë dhe në orët e para të mëngjesit në Kiev janë raportuar shpërthime pafund. Ndërkohë që nga fillimi i pushtimit rus, mbi 2.8 milionë ukrainas janë larguar deri më tani, shkruan BBC.
Më shumë se 1.8 milionë ukrainas kanë mbërritur në Poloni që nga fillimi i konfliktit. Qytetarët krahëhapur duan të mirëpresin edhe më shumë ukrainas që po i largohen agresionit rus. Një qendër tregtare në periferi të Krakov, Poloni, është shndërruar në një qendër të përkohshme për të mirëpritur refugjatët ukrainas.
Qendra, e cila u mbyll gjashtë muaj më parë është projektuar për të mbajtur rreth 400 njerëz fillimisht, por kanë kapacitet për ta zgjeruar edhe më shumë. Deri më tani rreth 100 emigrantë janë strehuar në qendrën tregtare.
“Qëllimi ynë kryesor është të ofrojmë ndihmën më të mirë të mundshme për njerëzit që po i largohen luftës, ne po përpiqemi t’i bëjmë ata të ndihen sikur janë në shtëpi”, tha një përfaqësues i qendrës.
Ndonëse në arrati, ukrainasit do të kenë mundësi të integrohen shumë shpejt në jetën e re që do të nisin në shtetet që kanë hapur dyert për to. Më shumë se 100 biznese britanike ofrojnë punë për refugjatët ukrainas. Duke nisur nga AstraZeneca te Bernard Mattheës, janë bashkuar tani me një konsorcium biznesi joformal për të ndihmuar në punësimin e refugjatëve kur ata të mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Projekti i iniciuar nga Emma Sinclair MBE ka tërhequr emra të tjerë të mëdhenj duke përfshirë Welcome Break, Nestle dhe River Island. Tashmë Marks & Spencer, Asos dhe Lush kanë deklaruar se duan të ndihmojnë refugjatët ukrainas. Sipas skemës së re të sponsorizimit të qeverisë, atyre që ikin nga lufta atje do t’u jepet e drejta për të punuar kur aplikimet e tyre të pranohen.
Familja e parë ukrainase shkon në Britani
Një familje që i shpëtoi bombave të Vladimir Putin mund të bëhet e para që do të strehohet në Britani pasi iu ofrua një vend në një residence në Yorkshire. Lillia dhe Vitalii Kucher, së bashku me vajzat e tyre po kërkojnë të shkojnë në Britaninë e Madhe javën e ardhshme pasi u larguan në Moldavi kur Rusia pushtoi atdheun e tyre muajin e kaluar.
Kërkesa e tyre vjen pasi Britania shpalosi skemën se si do mbështeste ukrainasit dhe pasi zbuloi se mbi 100,000 njerëz kanë shfaqur dëshirën për të pritur një person ose familje nga vendi i pushtuar, si pjesë e skemës më të madhe të zhvendosjes që nga Lufta e Dytë Botërore.
Pothuajse 100,000 britanikë u kanë ofruar shtëpi refugjatëve ukrainas në orët e para të kësaj skeme. Boris Johnson e përshëndeti këtë moment historik duke e quajtur “fantastik”. “Faleminderit të gjithëve që kanë ofruar ndihmën e tyre deri më tani”.
Faqja e internetit për regjistrimin e interesit në skemë ra për një kohë të shkurtër për shkak të numrit të lartë të përdoruesve që ofronin shtëpi. Deri në orën 9 të mëngjesit të së martës, 88,712 i ishin bashkuar skemës. Ministri i Ministrisë së Jashtme, James Cleverly, tha se “10,000 njerëz çdo orë” po regjistrohen.
Një zëdhënës tha se faqja e internetit Homes for Ukraine “ngeci përkohësisht” për shkak të “bujarisë së madhe të popullit britanik”. Ai tha se numri i përgjithshëm i ofertave po vazhdonte të rritej, me oferta që u dyfishuan brenda disa orësh.
Pothuajse 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus, me më shumë të zhvendosur brenda vendit pasi qytetet janë bombarduar. Deri të hënën, vetëm ukrainasit me lidhje familjare me MB mund të aplikonin për viza që do t’u jepnin atyre qasje në punë dhe përfitime. Por tani në Britani mund të shkojë çdo ukrainas për të jetuar për të paktën gjashtë muaj.
Sipas skemës, refugjatët do të lejohen të jetojnë dhe punojnë në MB deri në tre vjet dhe të marrin qasje të plotë dhe të pakufizuar në përfitime, kujdes shëndetësor, punësim dhe mbështetje të tjera.
Jo vetëm nga ana e Britaninë, por shumë shtete janë ofruar, si copëzë shprese, për të ndihmuar ukrainasit që arrijnë të dalin gjallë nga lufta e egër e nisur prej Vladimir Putin prej 24 shkurtit dhe që nuk dihet se kur do të jetë fundi.
Agjencia e OKB-së për refugjatë, UNHCR, tha se Polonia strehon më shumë se gjysmën e refugjatëve ukrainas: mbi 1.8 milionë. Zëdhënësi i UNHCR-së, Matthew Saltmarsh, tha se shumica e refugjatëve janë gra dhe fëmijë. Destinacione të tyre janë edhe vendet e tjera fqinje të Ukrainës, si: Rumania, Moldavia dhe Sllovakia. Sipas UNHCR-së, rreth 300,000 refugjatë kanë lëvizur prej atje drejt Evropës Perëndimore.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar ndajUkrainës. Presidenti rus, ka dhënë urdhrin për sulm pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes. Perëndimi e ka dënuar ashpër veprimin rus dhe ka vendosur një sërë sanksionesh të rënda kundër Rusisë.
/Pozitivi.org
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.








