Lajmi i fundit/ Dita e 44 e luftës, sulme në stacione hekurudhore, ukrainasit s’dorëzohen
Me sulme çnjerëzore ka nisur dita e 44 e luftës në Ukrainë. Rusët kanë sulmuar me raketë në një stacion hekurudhor në rajonin e Donjetsk. Bilanci flet për 39 viktima dhe 100 të plagosur, ndërkohë që mes viktimave ka dhe katër fëmijë. Sipas mediave ukrainase në një nga raketat e hedhura shkruhej në rusisht: për fëmijët. Por Moska hedh poshtë akuzat duke thënë se raketa nuk është e saj, dhe se nuk ka përgjegjësi për sulmin në stacionin nga ku nisen refugjatë dhe të pastrehë. Presidenti ukrainas Zelensky i cilësoi rusët si ç’njerëzorë që duhen ndëshkuar.
Ministri i jashtëm ukrainas Kuleba, me anë të një mesazhi në profilin e tij Twitter u shpreh se rusët e dinin se stacioni hekurudhor i Kramatorsk ishte plot me civilë të cilët prisnin të evakuoheshin. Sipas tij kjo ishte një masakër e programuar dhe çdo kriminel lufte do të përballet me drejtësinë.
Por ministria ruse e mbrojtjes pretendon se pjesët e raketës që dalin në një video të filmuar pranë stacionit të Kramatorsk i përkasin një vektori Toshka U i përdorur vetëm nga forcat ukrainase.
Sipas presidentit francez Makron, nuk do të mbarojë brenda pak ditësh. Përkundrazi do të intensifikohet. Sipas Macron, 9 maji është një datë simbolike për Putin dhe ai do të donte të shpallte fitoren pikërisht atë ditë. Ndërkohë presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, dhe përgjegjësi për politikën e jashtme të BE-ë, Josef Borell, i janë drejtuar Kievit ku do të takohen me presidentin ukrainas Zelensky. Ky i fundit i bëri apel ambasadave të rikthehen në Kiev dhe të vazhdojnë punën e tyre, për t’i dhënë një sinjal të qartë Moskës.
Kryeministri sllovak dhe ministri i jashtëm italian Di Maio bënë apel që të përshpejtohen procedurat për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Europian.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë në Ukrainë më shumë se 12 mijë armë kundra tank, 1400 sisteme anti ajrore dhe qindra dronë vetëvrasës. Lajmi u konfirmua nga departamenti amerikan i mbrojtjes
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
