A do zgjidhen/ Bllokohen tubat e shkarkimit, përmbyten pallatet te Varri i Bamit
Agim Matraku, banues prej 20 vitesh në njësinë administrative 3 dhe ndërlidhës me komunitetin prej 4 vitesh, gjatë forumit të QKSCSH ngre si problematikë përmbytjen e disa pallateve parafabrikate që ndodhen te Varri i Bamit.
“Disa pallate parafabrikate te Varri i Bamit përmbyten. Këto pallate kanë strehime nënëtokësore, por ato s’i mirëmban njeri siç ndodhte më parë. Ndaj tani mbushem me ujë, ka raste edhe ujërat e zeza derdhen aty. Është një pallat ngjitur me shkollën Hasan Prishtina, ai është bërë problem disa herë sepse i derdhen ujërat e zeza brenda. Janë 2-3 pallate që përmbyten”, thotë Agim Matraku gjatë një prononcimi për QKSCSH.
Pallatet janë të vjetra, të ndërtuara që në 78-ën. Sipas qytetarit ata përmbyten sepse janë bërë ndërtime të tjera të cilat kanë zënë tubat e shkarkimit të këtyre pallateve. “Ky problem vjen pasi janë bërë ndërtime të tjera dhe kanë zënë tubat e shkarkimit. Te shkolla Hasan Prishtina, kur del nga shkolla është ndërtuar kabinë elektrike. Kjo kabinë është ngritur mbi shkarkuesin e ujërave të zeza, sepse ata që e kanë vendosur nuk e kanë ditur”.
Zgjidhja që mund të parandalojë këtë problem për 60 familje, është zhvendosja e shkarkuesit të ujërave të zeza. “Si zgjidhje nga bashkia na kanë thënë të devijojnë shkarkuesin e ujërave të zeza. Sepse ky shkarkuesi bllokon nja dy pallate dhe përmbyten. Unë këtu kam katër vite si kryeplak dhe kjo ka pak më shumë si problematikë. Ende nuk është bërë asgjë. Banorët e shkretë ankohen, sepse vjen erë e keqe. Në këto pallate jetojnë rreth 60 familje”, shton më tej 68 vjeçari.
Një prej 60 familjeve banuese në një prej pallateve që përmbyten, tregon kushtet e këqija që krijohen.
“Më keq s’ka ku shkon. Në katin e parë mblidhen ujërat, kur bie shi. Aty vjen erë shumë e keqe, nuk mund ta durosh ditë e natë. Ne që jemi në katet më lart s’kemi çfarë të bëjmë për ta shmangur, por ashtu sajohemi. Gjatë gjithë kohës jemi duke shpresuar që të paktën të mos bjerë shi.
Ne kërkojmë që të lirohen tubat e shkarkimit dhe mundësia për t’u përmbytur të jetë pak më e vogël. Jemi rreth 60 familje që përplasemi me këtë problem vazhdimisht. Nuk jemi pak. Të gjithë bashkë jemi ankuar shpesh herë por ende situata vazhdon e njëjtë”, thotë 50 vjeçarja.
Agimi, ndërlidhësi me komunitetin shton më tej se banorët kërkojnë edhe rikonstruktimin e plotë të rrugës “Naum Veqilharxhi”. “Në rrugën “Naum Veqilharxhi” ka shtëpi private por duhet të bëhet rikonstruksion i plotë i rrugës dhe investim në kanalet e ujërave të zeza. Projekti është bërë na kanë thënë në bashki por s’i ka ardhur rradha.
Para një viti bëri një ndërhyrje bashkia, pastroi rrugën dhe vendosi ndriçimin. Tani ka mbetur për t’u bërë vetëm rruga, sepse vjen erë shumë e rëndë. Në dimër kur fillojnë shirat sidomos. Aty janë shtëpi të vjetra të bëra para viteve 90 dhe i nxjerrin ujërat e zeza ku të mundin”.
Në njësinë 3 qytetarët përballem edhe me problematika të tjera. Rrugicat e pashtruara dhe qentë janë problematikë kryesore në këtë njësi, sipas banorëve.
Ndërlidhësi i zonës 57, 58 thotë se rruga “Naum Metulashi” është në gjendje të keqe. Banori Agim Çuci ngre si probem qentë e rrugës. Ata ndosin ambientin dhe shkaktojnë panik te fëmijët në rrugën “Stafanaq Ballo” dhe tek “Varri i Bamit”. Ujërat e zeza dhe gropat nëpër rrugë janë problem në pallate etj.
Pas evidentimit të problematikave nga banorët vëmë re se ka akoma shumë për të bërë në këtë njësi. Redaksia jonë jo vetëm do të ngrejë shqetësimet e qytetarëve, por do të ndjekë se sa prej tyre do të marrin zgjidhje.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
