Lajme të mira në histori
28 nëntori është një datë e shënuar për kombin tonë, për shkak se janë shënuar ngjarje të mëdha historike. Më 28 nëntor 1443, rikthehet në Krujë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ku ngriti Flamurin Kombëtar. Në këtë datë Skënderbeu dhe forcat e tij çlirojnë Krujën dhe ngrenë flamurin kuq e zi, shkruan pozitivi.org. Pasi kishte braktisur osmanët në betejën e Nishit (3 nëntor), në krye të 300 kalorësve, ai u kthye në trojet e tij dhe u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve. Shembulli i tij nxiti princat shqiptarë të ngrihen kundër sundimit Osman.
Më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga patriotët e drejtuar nga Ismail Qemali. Ismail Qemali ngriti Flamurin Kuq e Zi në qytetin e Vlorës. Kjo është dita e Pavarësisë, një festë e madhe për të gjithë shqiptarët kudo në botë.
Kjo datë shënon ditëlindjen e Komandantit legjendar, Adem Jasharit (1955), sakaq në vitin 1997 të kësaj date u bë Paraqitja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vitin 1998 përmes referendumit mbarëpopullor u adoptua edhe Kushtetuta e Shqipërisë.
Festa kombëtare e shqiptarëve, që kremtohet çdo vit kudo jetojnë shqiptarët, edhe sivjet u prit me emocione të veçanta, duke reflektuar për të kaluarën dhe të ardhmen. 106 vjetori i pavarësisë, i sakrificës së patriotëve që në një kohë të errët për Ballkanin krijuan shtetin shqiptar, vazhdon të festohet edhe ditën e sotme, më 29 nëntor në të gjitha trojet tona dhe kudo ku ka shqiptarë. Kjo datë është e bekuar për kombin shqiptar.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.
