Larg kryeqytetit, mes vështirësive të periferisë
Metropoli ka një jetë të vrullshme dhe shpesh ato që jetojnë aty duan të heqin dorë nga zhurma, kaosi dhe smoku që mbështjell gjithçka. Zhurma, pallatet mungesa e hapësirave të gjelbërta shton dëshirën për ta braktisur kryeqytetin për të shijuar disa ditë të këndshme në fshat.
Mirëpo zonat rurale duket se në ditët e sotme përballen më një sërë problematikash që i kanë detyruar njerëzit të shkojnë drejt qyteteve ose të emigrojnë jashtë vendit. Numri i banorëve në fshatra sa vjen dhe zvogëlohet kjo për faktin se ata kërkojnë mundësi për kushte më të mira jetesa.
Fshati mund të shihet si një mundësi e mirë të shkosh të shijosh një drekë, natyrën dhe ajrin e freskët. Por kjo gjë vlen vetëm për ata që jetojnë në kryeqytet, kurse për banorët jetesa është e vështirë. Ato përballen me një sërë problemesh çdo ditë.
Më poshtë do të rendisim disa nga shqetësimet e ngritura nga banorët e 6 njësive administrative në Tiranë gjatë ciklit të diskutimeve të zhvilluara në kuadër të projektit “Pushtetari përballë Qytetarit” nga Infinit Plusi. Në njësinë administrative Pezë mungesa e investimeve në rrugë është një nga problemet kryesore që shqetëson banorët. Infrastruktura rrugore, shtimi i institucioneve arsimore si dhe ngritja e nje tregu qe mundëson shitjen e prodhimeve të fermerëve të zonës, ishin ndër çështjet që parashtuan banorët e Pezës.
Në zonën e Kasharit mbeten investimet në kopështë, çerdheve publike, problemet me pronësinë, papunësia. Në një tjetër zonë, në Ndroq, çështjet e shtruara nga banorët që dominuan ishin shtrimi i rrugëve rurale, pastrimi i zonës nga plehrat, nëvoja e një tregu për prodhimet bujqësore, rikonstruksioni i kopshtit dhe çerdhedheve të zonës, por edhe lehtësimi i dhënies së informacionit mbi procedurat që duhet të ndjekë një banor i zonës, për ndërtim apo rinovim shtëpie.
Problemet të kësaj natyre janë të pranishme edhe në zonën e Krrabës. Ankesat e banorëve ishin të tilla si: mungesa e ambienteve kulturore dhe sportive për të rinjtë, mungesë në infrastrukutrë parashkollore apo edhe certifikatat e pronësisë për disa ndërtesa të ish-minierës që ka pasur Krraba ishin çështjet e tjera që banorët diskutuan me administratorin.
Në njësinë administrative të Baldushkut banorët ndihen jo të përfaqësuar siç duhet në nivel lokal. Ata shprehën si problematika uljen e kopetencave të njësisë, shtimin e burokracive, probleme me infrastrukturën rrugore, e cila lidh fshatrat me njeri-tjetrin, pastrimi i kanaleve kulluese per tokat bujqësore, si dhe kërkuan më shumë investime në terrene sportive. Pothuajse të njëjtat probleme u paraqitën edhe nga banorët e zonës së Farkës, duke përmendur investimet në infrastrukture rrugore, problemet me pronësinë etj.
Vëmendje iu kushtua dhe grabitjes së bagëtive një problem i shfaqur së fundmi në Farkë. Banorët kërkuan të kishte më shumë siguri duke shtuar patrullat policore pasi ky problem ka trazuar zonën prej muajsh. Një tjetër shqetësim që u parashtrua në të gjitha zonat kishte të bënte me zgjatjen e procedurave për zgjidhjen e problemeve. Shtimi i hallkave burokratike që ka ardhur si pasojë e reformës administrative është një pengesë e shtuar.
Këto ishin disa nga problemet kryesore të 6 zonave periferike të Tiranës me të cilat banorët janë të detyruar të përballen çdo ditë. Ata kërkojnë ndryshim, për të pasur një jetesë më cilësore dhe të rehatshme në periferi. Atëherë periferia nuk do ishte në interesin e kryeqytetasve vetëm për 2 orë, por për të qëndruar edhe më gjatë apo për të investuar.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.
