Kuvendi vishet me ngjyrat e Ukrainës, emocione dhe fjalime kundër agresionit rus: Rezoluta bashkon partitë
Në parlamentin shqiptar të “veshur” me ngjyrat e Ukrainës është miratuar pas tre orësh diskutime kushtuar ngjarjeve të Ukrainës, një rezolutë në mbështetje të saj përballë sulmit rus, ditën e djeshme.
Në shenjë solidariteti, seanca nisi me një duartrokitje për qëndresën që po bën Ukraina ndaj pushtuesit rus. I pranishëm në sallën e Kuvendit në këtë moment ishte edhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, cili është përlotur teksa është ngritur në këmbë për të falenderuar parlamentin për suportin.
Deputetët mbanin në gjoks fjongo me ngjyrat e e flamurit të Ukrainës. Secili prej tyre mbajti edhe një tabelë me shënimin “Ne mbështesim Ukrainën”, ndërsa pranë foltores dhe në çdo karrige ishin vendosur bluza me flamurin shqiptar dhe atë ukrainas.
Gjatë senancës ish-kryeministri Sali Berisha dhe Lulzim Basha u shprehën se veprimet e Presidentit rus janë si të jë diktatori ndaj një vendi të lirë. Parlamenti ishte unanim në dënimin e asaj që Rusia shkakton në Ukrainë.
Rezoluta “Për mbështetjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe mbrojtjes së parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe te sigurisë evropiane” u miratua me 123 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë përmes kësaj rezulote “dënoi me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës”.
Në rezolutë thuhet se ky është një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, shkel hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh, që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.
Kuvendi i Shqipërisë nxit dhe mbështet, me këtë rezolutë, veprimtarinë diplomatike dhe masat e marra nga qeveria shqiptare, në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe të parimeve të sigurisë evropiane dhe rendit botëror të marrëdhënieve midis shteteve.
Kuvendi mbështeti sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmara nga partnerët strategjikë ndaj Federatës Ruse, dhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj.
Në rezolutë Kuvendi bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata ruse në Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht.
Kuvendi i Shqipërisë vlerëson si krime lufte aktet e ushtrisë ruse kundër civilëve të pafajshëm, dhe kërkoi që shkaktarët e këtij agresioni të përballen me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Kuvendi i kërkoi qeverisë që të vazhdojë angazhimin, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe partnere në NATO, BE, KS të OKB, OSBE, KiE, në rajonin e Ballkanit dhe me partnerë të tjerë, në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane.
Përmes fjalimeve të tyre deputetët dënuan agresionin ndaj Ukrainës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehu mbështetjen dhe solidaritetin e plotë për popullin ukrainas dhe autoriteteve të Ukrainës. Teksa dënoi ashpër agresionin rus, ai ka shprehur shpresën që ky agresion të zbrazet dhe Ukraina të gëzojë në paqe dhe prosperitet lirinë, sovranitetin të integritetit territorial.
Deputetja e PS Mimi Kodheli theksoi se autoritetet shqiptare kanë bërë këto ditë hapat e duhur për të qëndruar përkrah popullit ukrainas në arenën diplomatike ndërkombëtare si në OKB edhe me miratimin e sanksioneve të ngjashme me ato të Bashkimit Europian në fushën e ekonoisë dhe të sigurisë.
Gjatë diskutimeve pati dhe debate, ndërsa u propozua nga PD një rezolutë për Kosovën dhe për Ballkanin e Hapur.
mbështetjen ndaj ukrainës e ka shprehur edhe kryeministri Edi Rama përmes një bisedë telefonike me Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky.
Zelenski shkruajti në twitter se ka folur me Ramën për pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ai thotë se vlerëson ndihmën praktike dhe mbështetjen e vendit tonë në këtë kohë të vështirë dhe shton se po bëhet gjithçka për t’i dhënë fund luftës.
Ndërkohë kryeministri Rama përmes një video të publikuar në facebook tregoi bisedën telefonike me Presidentin Zelensky;
“Më falenderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Europën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës.
I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse”, shkruante Rama.
/pozitivi.org
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.







