Kush po “përndjek” shkeljet e kryebashkiakëve në fushatë, denoncimi që rrezikon të çojë në burg 11 zyrtarë
29/05/2022 Shpërndaje

Kush po “përndjek” shkeljet e kryebashkiakëve në fushatë, denoncimi që rrezikon të çojë në burg 11 zyrtarë

Kryebashkiakja e Durrësit Emirjana Sako është një prej 11 zyrtarëve të kallëzuar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve nga Qëndresa Qytetare për shkelje të kryera gjatë fushatës për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. Pasi shqyrtoi provat, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, ka dënuar me 100 mijë lekë gjobë kryebashkiaken Sako për shkak se kjo e fundit, ka përdorur ambientet e shkollës “Armath” për të bërë fushatë në kuadër të zgjedhjeve. Të përfshirë kanë rezultuar dhe përfaqësues të tjerë të admnistratës publike, e si pasojë janë marrë masa edhe ndaj drejtorit të shkollës, “Armath”, i cili u gjobit me 5 000 (pesë mijë) lekë. 

Vendimi për dënimin e saj me 100 mijë lekë gjobë për shkelje të ligjit zgjedhor u ankimua nga Sako. Në ankimin e depozituar në KAS, kryebashkiakja kërkoi heqjen e gjobës ndërsa sqaronte se takimi elektoral nuk është zhvilluar në ambientet e shkollës, por në një shesh aty pranë. Sipas kryebashkiakes takimi në fshatin Amarth ishte planifikuar në qendër të fshatit, por u spostua në mënyrë emergjente për shkak të kushteve të motit dhe shiut të cilët kishin krijuar një terren të rënduar në vendin ku do të mbahej fillimisht. Ankesa e saj u shqyrtua nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve dy ditë më parë, ndërsa u la në fuqi vendimi i KSHZ. Në përfundim të shqyrtimit, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore të bërë nga Emiriana Sako dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.

I kontaktuar nga Pozitivi.org, përfaqësuesi i Qëndresës Qytetare Rigels Xhemollari ka përshëndetur vendimin e KAS, duke e cilësuar si të sinkronizuar me Kodin Zgjedhor. “Vendimi i KAS dhe Komisionerit mbeten për t’u përshëndetur, pasi për herë të parë ato janë në sinkron në rastin e një shkelje të Kodit Zgjedhor nga 1 subjekt zgjedhor. Ka vend për rezerva, përmirësime dhe rekomandime por ky vendim vërtetoi edhe njëherë se administrata dhe burimet e shtetit përdoren masivisht në fushatë”, tha Xhemollari.

Në lidhje me këtë rast, Xhemollari tregon se provat janë sinjalizuar nga një ekip që ishte në terren më 6 mars. “Ne ngritëm një ekip me 15 sinjalizues të cilët monitoruan fushatën e kandidateve për zgjedhjet e pjesshme, dhe ishin këta të rinj që sinjalizuan rastet në fjalë”, shton më tej ai.

Rasti i Sakos nuk shënon fundin e denoncimeve të këtij lloji. Xhemollari shprehet për Pozitivi.org se kanë kallëzuar 11 zyrtarë që sipas tij kanë përdorur pozicionin dhe burimet shtetërore që i ofron detyra për të mbështetur kandidatet që garojnë në zgjedhje. “Ne kemi kallëzuar 11 zyrtarë dhe fakti që çështja e parë shkoi mirë ndihemi të dobishëm në këtë proces kaq të gjatë të ndeshkimit të shkeljeve zgjedhore në vend. Është kallëzuar Ministrja Manastirliu për shkak se bëri fushatë dhe premtime në spitalin e Lushnjes në krah të kandidates Sefa, Drejtori i Emergjencave Civile Haki Çako për shkak se vendosi burimet e institucionit në dispozicion të kandidates Angoni, Drejtorin e Galerisë së Arteve Shkodër dhe zyrtarë të tjerë të këtij niveli”.

Referuar kodit penal, Xhemollari tha se çdo zyrtar publik që përdor postin për fushatë zgjedhore dënohet me burg nga 1 deri në 3 vite.

Pjesë nga prononcimi i Rigels Xhemollari për Pozitivi.org

Si ndiheni pas vendimit te KAS që hodhi poshtë ankimin e kryebashkiakes së Durrësit Emirjana Sako për gjobën 100 mijë lekëshe për shkak se ka përdorur ambientet e një shkolle për të bërë fushatë në kuadër të zgjedhjeve?

Xhemollari: Vendimi i KAS dhe Komisionerit mbeten për t’u përshëndetur, pasi për herë të parë ato janë në sinkron në rastin e një shkelje të Kodit Zgjedhor nga 1 subjekt zgjedhor.

Ne kemi kallëzuar 11 zyrtarë dhe fakti që çështja e parë shkoi mirë ndihemi të dobishëm në këtë proces kaq të gjatë të ndeshkimit të shkeljeve zgjedhore në vend.

Ka vend për rezerva, përmirësime dhe rekomandime por ky vendim vërtetoi edhe njëherë se administrata dhe burimet e shtetit përdoren masivisht në fushatë.

Si e zbuluat që shkolla “Armath” ishte përdorur për fushatë?

Xhemollari: Ne ngritëm një ekip me 15 sinjalizues të cilët monitoruan fushatën e kandidateve për zgjedhjet e pjesshme, dhe ishin këta të rinj që sinjalizuan rastet në fjalë

Cilët janë zyrtarët e tjerë të kallëzuar, a mund të na thuash disa prej tyre dhe rastet përse bëhet fjalë?

Xhemollari: Është kallëzuar Ministrja Manastirliu për shkak se bëri fushatë dhe premtime në spitalin e Lushnjes në krah të kandidates Sefa, Drejtori i Emergjencave Civile Haki Çako për shkak se vendosi burimet e institucionit në dispozicion të kandidates Angoni, Drejtorin e Galerisë së Arteve Shkodër dhe zyrtarë të tjerë të këtij niveli.

A ka pasur reagime për rastin e parë të ndëshkuar? Po vetë Sako a ka tentuar të ketë ndonjë kontakt me ju?

Xhemollari: Ka pasur reagime, mbështetje nga ndërkombëtaret dhe partnerët, ndërsa Sako perveç apelimit të çështjes nuk ka tentuar kontakt. Nga të gjitha çështjet që kemi kallëzuar nuk kemi pasur asnjë kontakt me të akuzuarit apo përfaqësuesit e tyre.

A mendoni se janë ndëshkuar mjaftueshëm shkeljet në zgjedhje?

Xhemollari: Ky mendoj që është vetëm fillimi i një beteje për zgjedhje të lira dhe të ndershme apo adminsitratë të pavarur.

A mund të themi se një gjobë është mjaftueshëm për t’i sensibilizuar ata që shkelin ligjin? Çfarë masash të tjera sugjeroni të merren për raste të tilla, krahas gjobës?

Xhemollari: Gjoba në vetvete nuk ka vlerë të lartë por konstatimi i shkeljes është domethënës. Bazuar në kodin penal neni 258, çdo zyrtar publik që përdor postin për fushatë zgjedhore dënohet me burg nga 1 deri në 3 vite. Ky është synimi jonë pas fazës së procedimit administrativ, të dërgojmë në prokurori të gjitha çështjet e kosntatuara me shkelje.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.