Kur vajza e “gjeniut” rritet, rrëmben trofetë
Të gjithë e njihni si vajza e festivaleve, kështu e quan dhe ajo veten. Por, tashmë ka ardhur koha të zbuloni “sekretet” e gjeniut të rritur.
Mishela Rapo, vogëlushja e talentuar e gjeniut të vogël, përfaqësuesja e Shqipërisë në Junior Eurovision apo fituesja e statusit “Big” tek “Kënga Magjike” vitin që shkoi me këngën “Mama”, që fëmijë na ka surprizuar me muzikën e saj. Tani, një vajzë e rritur dhe një këngëtare e kompletuar, e cila po ngjit majat në të njëjtën rrugë si artistët e mëdhenj të skenës shqiptare.
Mishela është nga qyteti i bukur i Tiranës. Këtu ka nisur për herë të parë të këndojë në festivale për fëmijë, shkruan pozitivi. Që në moshën të vogël është ngjitur në skenë, e prej asaj dite nuk ka menduar për asnjë moment të shkëputet nga muzika. Sot, 16 vjeçe ndihet krenare me veten për trofetë që ka marrë. E ka mbyllur ciklin e këngëve për fëmijë me Dambaje, duke renditur Shqipërinë në vendin e 5-të në Europë.
Synimet i ka pasur të qarta, ndërsa sot realizon ëndrrën. “Synimi im nuk kanë qenë trofetë, sepse isha shumë e vogël për ta kuptuar por ishte që unë të sillja në skenë këngë të bukura me mesazhe universale dhe jetëgjata, dhe ia kam dalë. Ëndrra e çdo këngëtari është të qëndrojë në skenë”, tha ndër të tjera gjatë intervistës për pozitivi.org Mishela.
Çdo ditë që kalon Mishela është në ndjekje të ëndrrës së saj. Pasi ka marrë pjesë në shumë festivale, e ka fituar çmime të ndryshme, vajza e talentuar rrëfen për pozitivi se ka vendosur të marrë pjesë sërish këtë vit tek “Kënga Magjike”. “Do të vij me një këngë me një mesazh shumë të bukur. Le të mbetet surprizë”.
Mbase pak e dinë por para një viti e gjysëm këngëtarja ka marrë pjesë në një koncert bamirësie për fëmijët me kancer. Këndoi vullnetarisht në një skenë me artistë të mëdhenj si Ema Andrea, Mirush Kabashi, Aurela Gaçe, për një arye tepër fisnike. T’iu dhurojnë buzëqeshje fëmijëve që vuajnë nga kancer. “Ishte një nismë e studentëve të Universitetit Bedër.
Sapo kam marrë ftesën kam pranuar menjëherë. Mesazhet i përcolla nëpërmjet këngës që këndova dhe të gjitha të ardhurat e koncertit shkuan për fëmijët e sëmurë me kancer. Për mua është sëmundja e shekullit dhe më e vështira për t’u kapërcyer. Nëse sot do merrja përsëri një ftesë, të njëjtën gjë do bëja”, tha Mishela për pozitivi.
Intervista me Mishela Rapo ekskluzive për pozitivi.org:
Pozitivi: Mishela ti na ke nderuar shumë herë në konkurse muzikore brenda dhe jashtë vendit, por jo më pak dhe në kompeticione kulturore e të tjera. Për çfarë ndihesh krenare sot?
Mishela: Unë e kam filluar rrugën e artit në një moshë mjaft të vogël. Synimi im nuk kanë qenë trofetë, sepse isha shumë e vogël për ta kuptuar por ishte që unë të sillja në skenë këngë të bukura me mesazhe universale dhe jetëgjata, dhe ia kam dalë. Unë deri më sot kam dhuruar për fëmijët e çdo grupmoshe 5 këngë për fëmijë të cilat kanë marrë vlerësime dhe kritika pozitive kombëtare dhe ndërkombëtare. E mbylla ciklin e këngëve për fëmijë me Dambaje, me të cilën rendita Shqipërinë në vendin e 5-të në Europë. Prandaj dhe ndihem sot kaq krenare.
Pozitivi: Ke marrë pjesë tek “Kënga Magjike” me këngën “Mama” dhe ke fituar statusin Big. U ndjeve e vlerësuar me këtë status?
Mishela: Ëndrra e çdo këngëtari është të qëndrojë në skenë. Me këngën “Mama” fitova statusin Big dhe iu dhurova shumë emocione nënave dhe fëmijëve të tyre sepse nëna është personi me i çmuar në jetë. U ndjeva e vlerësuar sepse vetëm në moshën 16-vjeçare unë u rendita mes këngëtareve Big të muzikës shqiptare.
Pozitivi: Këtë vit do marrësh pjesë? Me çfarë kënge dhe ku mendon të arrish? Patjetër që do të marr pjesë.
Mishela: Do të vi me një këngë me një mesazh shumë të bukur. Le të mbetet surprizë. Mua sot më intereson që këngët e mia të dëgjohen, nëpërmjet tyre t’iu dhuroj emocion njerëzve dhe të sjell muzikë të bukur.
Pozitivi: Shumëkush mbase të njeh vetëm si vajza e “Këngës Magjike”, ne duam të të njohim përtej kësaj. Si është një ditë e Mishel, përtej skenës?
Mishela: Në fakt unë jam vajza e festivaleve. Ndër to dhe “Kënga Magjike”. Nuk jam rastësisht në skenë. Unë kam studiuar për 4 vite në liceun artistik “Jordan Misja” për kitarë dhe piano. Pas liceut studimet parauniversitare i vazhdova në Kolegjin “Mehmet Akif” vajza, dhe sot jam maturante në këtë kolegj. Hobi im është kitara e cila më shoqëron në çdo aktivitet të shkollës sime.
Pozitivi: Mbase pak e dinë por ti para një viti e gjysëm ke marrë pjesë në një koncert bamirësie për fëmijët me kancer. Pse e bëre një gjë të tillë dhe cili është mesazhi që ke dashur të përcjellësh?
Mishela: Ishte një nismë e studentëve të Universitetit Bedër. Sapo kam marrë ftesën kam pranuar menjëherë. Mesazhet i përcolla nëpërmjet këngës që këndova dhe të gjitha të ardhurat e koncertit shkuan për fëmijët e sëmurë me kancer. Për mua është sëmundja e shekullit dhe më e vështira për t’u kapërcyer. Nëse sot do merrja përsëri një ftesë, të njëjtën gjë do bëja.
Pozitivi: Çfarë ndjesie është për ty të kontribuosh për të shtuar buzëqeshje fëmijëve që vuajnë nga kanceri?
Mishela: Ashtu siç një fëmijë shijon ylberin pas një rrebeshi, atë ndjesi pata unë për këta fëmije. U ndjeva optimiste se me shpirtin e tyre të pastër dhe me ndihmën tonë ata do t’ia dalin.
Pozitivi: Si e shikon pjesën e humanizmit tek këngëtarët shqiptarë. Mendon se duhet të kontribuojnë më shumë?
Mishela: Sa do të doja që kontributi të mos ishte shoë mediatik për të rritur kredibilitetin e vetes. Duhet të rritet ndërgjegjësimi tek të gjithë për të shtuar ndihmën ndaj këtyre fëmijëve të sëmurë, apo edhe ndaj fëmijëve me probleme të tjera.
Pozitivi: Çfarë planesh ka Mishel në të ardhmen?
Mishela: Të mbaroj me sukses shkollën e mesme, të bëj zgjedhjen e duhur për në universitet, por pa lënë pas dore muzikën.




© 2017, Pozitivi. All rights reserved.
