KUJDESEMI PËR MJEDISIN!
Kujdesemi për mjedisin! Ky është lajtmotiv që e dëgjojmë shpesh të përmendet në biseda apo edhe nga ambientalistë të ndryshëm. Por e dini që ka edhe iniciativa të biznesit për të qenë pjesë e ndryshimit të kësaj qasjeje në vendin tonë?
Më e fundit vjen nga banka Raiffeisen Invest. Me mbështetjen e saj, u trajnuan 400 nxënës të shkollave 9 – vjeçare në Tiranë. Nxënësit e shkollave Sabahudin Gabrani, Naim Frashëri dhe Gustav Majer, u bënë pjesë e cikleve të trajnimit për nivelet mësimore nga klasa e dytë deri në klasën e gjashtë dhe kjo jo pa qëllim. Është pikërisht brezi i ri, ai që duhet edukuar me dashurinë për mjedisin dhe me ndjenjën e përgjegjshmërisë në mbrojtjen e tij. Synimi është që të vegjlit jo vetëm të përthithin informacionin e dhënë, por edhe të kthehen në promovues të kësaj fryme jetese në mbrojtje te mjedisit që na rrethon.
Specialistët vendosën që trajnimet të ishin jo vetëm informuese/edukuese por edhe argëtuese për fëmijët. Në fillim nxënësve iu prezantuan 7 video të animuara, që në qendër kishin lloje të ndryshme ndotjesh dhe informacione të dobishme në lidhje me to.
Nxënësit mësuan përmes historive të shkurtra në video se edhe zhurmat mund të ndosin mjedisin, se plastika është armiku numër 1 i tij e të tjera informacione të dobishme si këto. Por memorizuan edhe rregullat e arta për një mjedis të pastër dhe që ndikon në shëndetin tonë çdo ditë.
Trajnimet u shtrinë në 20 orë mësimore të realizuara në 3 muaj, duke iu dhënë kështu kohë specialistëve ti shihnin ato edhe si një mënyrë e mirë për të krijuar eksperimente, lojëra të ndryshme e për të përfshirë sa më shumë nxënës me një qëllim final; kujdesin ndaj mjedisit.
© 2023, Pozitivi. All rights reserved.
