Kristjan, valltari që trashëgon vlerat shqiptare: Muzika dhe pasioni për kërcimin u rritën bashkë me mua
Kristjan Kavalli është një valltar i ri por mjaft i talentuar që po shpalos vlerat e folklorit përmes tingujve të mrekullueshëm të valleve shqiptare.
Muzika dhe pasioni për kërcimin janë rritur bashkë me të. 19 vjeçari nga Burreli prej 7 vitesh i është bashkuar asamblit Folk-Alb në Tiranë, me koreograf Avni Ndreun. Përgjatë këtyre viteve ka marrë pjesë në festivale të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare ku është vlerësuar me çmime të ndryshme, të cilat e kanë frymëzuar për ta vazhduar më tej karrierën si valltar.
Sa më shumë kalojnë vitet aq më e ngushtë bëhet lidhja e tij me folklorin, thotë Kristjan gjatë një interviste për pozitivi.org. Folklori është një vlerë e çmuar kulturore e çdo kombi, që i ka rrënjët po aq të lashta se vetë populli ynë. Ky element i rëndësishëm i identitetit kombëtar duhet të trashëgohet nga brezi i ri dhe kjo kënaqësi dhe detyrë bie më shumë mbi valltarët e rinj.
Kristjan si një nga përfaqësuesit e këtij brezi, me pasionin që e udhëheq çdo ditë drej valles shqiptare, premton që në të ardhmen të jetë në vendin e atyre artistëve që kanë lënë gjurmë në folklor dhe të atyre që edhe sot vazhdojnë të kontribuojnë për ta pasuruar dhe promovuar në sytë e çdokujt. Si shihet folklori përmes syrit të brezit të ri dhe cilat janë planet që ka në të ardhmen Kristjan, valltari i ri i talentuar na i tregon gjatë intervistës së plotë të dhënë për pozitivi.org.
Intervista me Kristjan Kavalli për pozitivi.org:
Pozitivi: Kristjan ti je një vallatar i ri, jo dhe aq i njohur për publikun e gjerë. Na trego më shumë për veten…
Kristjan: Quhem Kristjan Kavalli. Jam 19 vjeç, me origjinë nga Burreli. Pasioni im më i madh është kërcimi. E kam pasur pasion që në fëmijëri dhe besoj që s’do ketë fund.
Pozitivi: Na e përshkruaj jetën tënde me disa rreshta, që nga fëmijëria…
Kristjan: Fëmijëria… Kam qenë çamarroku i shtëpisë. Isha ai që gjithmonë bëja diçka që ndoshta nuk duhej, por lojërat e mia i zbavitnin të tjerët. Më pëlqente të kërceja dhe të këndoja në çdo moment… Vitet kaluan… Muzika dhe pasioni për kërcimin u rritën bashkë me mua. Si pa e kuptuar kam arritur këtu ku jam dhe jam shumë i lumtur.
Pozitivi: Prej sa kohësh je pjesë e ansamblit Folk Alb?
Kristjan: Prej 7 vitesh jam pjese e asamblit Folk-Alb. Këto vite të paharrueshme do jenë të gdhendura gjithmonë në mendjen time.
Pozitivi: Si e ke kuptuar pasionin për kërcimin (vallet popullore) dhe kur vendose t’i kushtohesh tërësisht?
Kristjan: Një ngjarje e rëndësishme që më dha shtysë për ta marrë seriozisht pasionin tim ishte një konkurs kërcimi, ku unë fitova. Që prej atij çasti u përkushtova tërësisht, sepse kuptova që kërcimi më bënte të lumtur. Ndihesha mirë dhe i plotësuar.
Pozitivi: Cilat kanë qenë aktivitetet, konkurset ku ke marrë pjesë me ansamblin Folk Alb?
Kristjan: Kam marrë pjesë në Fermo Ancona Italy 2013. Në Festivalin Mbarëkombëtar të Vallëzimit Popullor e atij kontemporan organizuar nga Albania Gymnastrada 2014, ku morëm kupën e festivalit. Në Festivalin Mbarëkombetar “Ritet Pranverore” organizuar nga Bashkia e Tiranës morëm çmimin e parë dhe çmimin “Koreografia më e mirë e Festivalit”. Kam marrë pjesë në Festivalin Multikulturor organizuar nga Bashkia Kamëz si përshëndetës më 2014. Kam marrë pjesë në Festivalin Mbarëkombëtar “Jehona e Hasit” Prizren 2015.
Përsëri në Kosovë në Festivalin “Anadrinia” kemi marrë çmimin “Shfaqja me rekreative e Festivalit”. Në Strugë, Maqedoni në Festivalin Mbarëkombëtar “Këngë Jeho” morëm çmimin “Dasma më e mirë shqiptare” 2018.
Në Festivalin Mbarëkombëtar ne Plavë-Guci në Mal të Zi, 2018 “Kënga dhe Vallja Shqipe na Bashkon”, u vlerësuam me çmimin e dytë dhe bashkë me partneren time Erida Stana u shpallëm “Valltaret më të mirë të Festivalit”. Gjithashtu edhe në konkursin “Të festojmë mes melodive dhe valleve popullore shqiptare” ku përsëri bashkë me partneren time u shpallëm valltaret më të mirë të konkursit. Dhe në shumë festivale të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Pozitivi: Ti je aktiv gjithë kohës me ansamblin dhe puna të është vlerësuar edhe me çmime të rëndësishme. Sa të kanë frymëzuar vlerësimet që ke marrë?
Kristjan: Jam shumë mirënjohës ndaj atyre që më kanë nxitur të vazhdoj dhe ndaj atyre që më kanë vlerësuar me çmime shumë të rëndësishme për mua. Pikërisht ato çmime janë një shtysë e madhe për të vazhduar më tutje në karrierën time të synuar si valltar.
Pozitivi: Çfarë rëndësie ka folklori shqiptar në sytë e një të riu?
Kristjan: Duke qenë se unë merrem prej kaq kohësh me vallet popullore, sigurisht që lidhja me folklorin është shumë e ngushtë. Ruajtja e traditës folklorike është një element shumë i rëndësishëm etnografik, që përbën edhe një karakteristikë dalluese të popullit tonë. Kështu ruajtjen, trashëgiminë dhe kultivimin e traditës e shoh si një element identiteti kombëtar.
Pozitivi: A mendon se po ruhen dhe trashëgohen vlerat kulturore, konkretisht vallet shqiptare, nga brezi i ri?
Kristjan: Nga pjesëmarrjet në aktivitete të ndryshme kam parë shumë të rinj të angazhuar me shumë pasion në muzikën dhe vallen popullore. Kjo më duket diçka shumë e bukur.
Pozitivi: Cilat janë planet e tua në të ardhmen? Do ta vësh kërcimin në plan të parë apo do të jetë më shumë një pasion që do e ushtrosh në kohë të lirë?
Kristjan: Në planet e mia për të ardhmen në plan të parë është kërcimi dhe karriera ime në fushën e valles popullore. Kam dëshirë dhe do t’i përkushtohem shumë për të zhvilluar dhe realizuar pasionin tim më të madh: kërcimin e në veçanti vallen popullore.
Pozitivi: Një mesazh për brezin e ri të valltarëve?
Kristjan: Unë i përkas vetë një brezi të ri dhe mbase dhënia e një mesazhi do të ngjante tepër moralizues, por sugjerimi im është ta shohin vallen popullore me pasion dhe të punojnë fort për ta shfaqur sa më bukur atë!
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.








