Shkolla e ëndrrave bëhet realitet në Sukth
23/04/2022 Shpërndaje

Shkolla e ëndrrave bëhet realitet në Sukth

Një shkollë ëndrrash e bërë realitet. Ky është rasti i shkollës Ismet Nanushi në fshatin Sukth të Durrësit. Mësuesi i biologjisë Fatos Kusha thotë se godina e re e rindërtuar pas tërmetit të 26 nëntorit të 2019 është si nata me ditën me godinën e vjetër.

“Shkolla e sotme është si ëndërr. Mua më duket si ëndërr sepse është një shkollë moderne shumë e bukur me kushte idelae të përsosura për të mësuar. Ne si shkollë kemi pasur rezultate të mira, me këto kushte do kemi rezultate edhe më të mira. Nxënësit janë më të prirur për lojëra, këtu ka ambiente të mira, qoftë edhe për të pushuar. Është palestra, kalçeto. S’kanë parë ndonjëherë, asnjëherë s’kemi pasur këto mjedise. Shkolla tjetër ka qenë edhe pa oborr, e pa shtruar, me baltë. Kanë qenë kushte shumë të vështira. Sot as unë vetë s’i besoj këto kushte kaq të mira sa janë bërë. Këto kushte do ndikojnë në rritjen e numrit të nxënësve”, tha ai për Pozitivi.org.

Ndonëse kushtet i kanë pasur të vështira, Fatosi tregon se nuk ka munguar dëshira për të pasur rezultate sa më të mira.

 “Unë jam mësues ka 17 vite në këtë shkollë. Kemi kaluar shumë breza. Që nga 2005 jap lëndët e Biologjisë dhe Kimisë. Kemi pasur një shkollë të vjetër pa kushte, kushte të vështira, kanë qenë të ndara ndërtesat. 3 ndërtesa kemi pasur, shkolla e mesme e ndarë, e kopshtit më vete dhe shkolla fillore më vete. Numri i nxënësve pas demokracisë u shtua shumë shkoi deri në 700 nxënës. Dhe ne kemi marrë dhe ambiente me qira këtu afër. Kemi pasur ambiente me qira jashtë shkollës në kushte që nuk ishin për mësim. Kemi kaluar një periudhë shumë të vështirë. Kanë munguar laboratorët. Unë vetë jam mësues Kimie dhe s’kam pasur një laborator kimie të mirfilltë që nxënësit të marrim maksimumin në lëndën e kimisë dhe në lëndë të tjera, se kur s’ka pasur laborator kimie s’ka pasur as laboratore të tjera”.

Shkolla e re ka gjallëruar edhe komunitetin. Mësues Fatosi thekson se kushtet për mësim janë ideale.

“Pas tërmetit shkolla u shemb, dhe tashmë është bërë një shkollë shumë moderne, Europiane me kushte ideale për të mësuar. Kjo ka ndikuar në entuziazmin e nxënësve dhe të prindërve. Prindërit janë shumë të kënaqur. Kushtet për mësim janë ideale me laboratore të të gjitha lëndëve. Por edhe me të gjitha kushtet. Brenda me ajër të kondicionuar. Përveç kësaj nxënësit që janë të kënaqur dhe të lumtur. Edhe komuniteti ka një përfitim jashtëzakonisht të madh nga shkolla. Nëse flasim edhe për anën sociale ka ndikuar jashtëzakonisht mirë sepse një ndërtesë e tillë në mes të fshatit ngjall dhe diçka të mirë dhe nga ana shpirtërore. Edhe nxënësit janë të gjithë bashkë. Më parë ne kemi punuar me turne kurse sot të gjitha ciklet janë paradite”.

 Mësuesi i Kimisë thotë se te Ismet Nanushi janë shkolluar të dy fëmijët e tij. Vajza ka qenë në kohën kur ishte godina e vjetër kurse djali është tani në të renë.

“Ka pasur shumë prindër deri para se të bëhej shkolla që fëmijiët s’i kanë shkolluar në këtë shkollë kjo prej kushteve të shkollës. Një prej tyre jam dhe unë. Unë e solla gocën për shkak të stafit të mirë pavarësisht kushteve që ka pasur shkolla.  Ka dhe shumë prindër të komunitetit që s’i kanë sjellë këtu vetëm për arsye të kushteve.

Me krijimin e këtyre kushteve numri i nxënësve do rritet shumë. Dallohet që jashtë se shkolla është moderne dhe shumë e mirë. Në këtë shkollë do të dëshironin të gjithë prindërit të kishin fëmijët e tyre për t’u shkolluar dhe kjo falë Eu4shcools që ka ndërtuar këtë shkollë me kushte ideale për ne dhe për fëmijët tanë”.

Shkolla “Ismet Nanushi” ka 251 nxënës në arsimin fillor, 206 nxënës në arsimin 9 vjeçar dhe 211 nxënës në gjimnaz. Kjo shkolla ka nxënës nga fshatrat Kullë, Rrushkull, Hamallaj, Vadardhe, Borçë dhe Perlat. Shkolla u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit dhe u shemb në gusht të 2020. Punimet për rindërtimin e saj filluan në janar 2021 dhe kanë përfunduar në mars 2022.

Godina ka 27 klasa, 1 palestër, 1 kënd sportiv, 2 laboratore biologji-kimi, 2 laboratore fizike, 2 laboratore informatike, 2 biblioteka, 1 qendër multifunksionale, 2 salla mësuesish, 2 infermieri dhe psikologji, 2 nëndrejtori, 1 drejtori dhe 2 sekretari. Kopshti ku mësojne 82 fëmijë, ka ambient per 4 grupe, ka drejtori, ka salle mbledhjesh, infermieri dhe psikologji.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.