Ju shkelin të drejtat në punë? Mësoni ku të ankoheni!
14/02/2019 Shpërndaje

Ju shkelin të drejtat në punë? Mësoni ku të ankoheni!

Nëse ju shkelen të drejtat në punë në cilado formë të jetë ajo, apo ju mendoni vet me aq dije sa keni se është shkelje, atëherë keni 2 alternativa: të bisedoni me eprorin se mos ndoshta situata juaj përmirësohet apo ta ndiqni ligjërisht të drejtën tuaj.

Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Sociale, është nje institucion shtetëror që njihet (masivisht) gabim se merret me punësimin e popullatës. Inspektoriati i Punës, të gjithë stafin e tij të inspektimeve në terren e ka pikërisht për këtë qëllim, të zbulojë probleme në marrëdhënien midis punëdhënësit dhe punëmarrësit. Nëse ky i fundit abuzohet duke mos i dhënë ditë pushimi një herë në javë, nuk paguhet kur punon orët ekstra, nuk i paguhen sigurimet shoqërore, nuk paguhet punonjësja kur është me leje lindje ose nuk ripunësohet sërish pas lindjes së fëmijës, punonjësit nuk kanë mjetet ndihmëse në vendin e punës kur bëhet fjalë për cënime të shëndetit dhe sigurisë në punë etj, atëherë ankohuni.

Si funksionon ankimimi? Anonim dhe me emër. Nëse preferohet rasti anonim nga frika e pushimit nga puna (raste që kanë ndodhur pasi punëdhënësi ka identifikuar punemarrësin që është ankimuar i ka ndërprerë marrëdhëniet e punës) atëherë drejtohuni pranë Zyrave të Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Sociale, në katin e parë ku mund te depozitoni ankesën tuaj duke pasqyruar të gjithë problematikën. Inspektorët kanë detyrë ligjore të verifikojnë problematikën e denoncuar. Pasi e konfirmojnë informacionin e ankimuesit, masat kunder punëdhënësit mbërrijnë deri në pezullimin e biznesit duke riskuar mbylljen përfundimtare të tij.

Azmije L, është një qytetare që u detyrua të punonte me orë të zgjatura në një fabrikë që prodhonte këpucë. Përveç orëve të zgjatura, ajo nuk paguhej. Pasi u ankua me zë të lartë midis kolegesh deri tek punëdhënësi i saj, ky i fundit e pushoi nga puna brenda ditës. Azmija nuk vonoi të mbërrinte ne Inspektoriat vetëm se kohë më parë kishte marrë nje fletushkë sensibilizuese, që e orientoi saktësisht në zyrën e Inspektorëve, të cilët konfirmuan problematikën. Azmija jo vetëm që u kthye në punë pasi sipas ligjit punëdhënësi nuk mundet të të pushojë pa paralajmërim dhe motivacion, por morri dhe pagesën e muajve të mëparshëm. Kjo histori është e shumtë midis ankimuesve që njohin proçesin e ankimimit.

Para disa muajsh në Berat u futën në skemën e sigurimeve shoqërore 28 punonjëse. Inspektoriati i Punës pezulloi menjëherë punën në një subjekt fason, pasi grupi I inspektimit konstatoi se 28 punonjësë punonin në të zezë, si dhe shume shkelje të tjera rezultuan në disfavor të punëmarrësve. Arsyeja e kontrollit të befasishëm në këtë fasoneri ishte ankesa e dorëzuar pranë Inspektoriatit të Punës. Menjeherë pas depozitimit të ankeses, grupi i inspektorëve u nis prane subjektit, ndaj te cilit eshte marre dhe masa urgjente e pezullimit per zgjidhje sa me te shpejte te problematikes ne zbatim te asaj qe parashikon ligji per standartet ne vendin e punes.

Nëse keni ankesa në punë, duhet ditur se ankesa është e drejtë ligjore. Shembujt pozitiv të mësipërm, janë ofruar nga vetë Inspektoriati. Siguria dhe shëndeti në punë mbrohen me ligj nga shteti shqiptar. Kjo është ana formale por ka edhe shumë rezerva mbi punën e këtij institucioni.

Inspektorati Shtetëror i Punës, çfarë është, me çfarë merret ?

Çfarë është dhe me se merret Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH)?
Kjo është një pyetje që mund t’i lindë kujtdo që ka interes të mësojë për shembull se përse në Shqipëri buxheti publik paguan më shumë se 80 miliardë lekë për financimin e fondit të pensioneve, rrjedhojë e prishjes së ekuilibrit të raportit kontribues-përfitues, apo pse një numër i konsiderueshëm subjektesh të biznesit të madh nuk figurojnë në listat e subjekteve të vetë deklaruara?
Kjo dhe shumë të tjera kanë të bëjnë me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe të Shërbimeve Shoqërore. Po me çfarë merret kjo trupë inspektimi që paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptare dhe a i justifikon financat e saj?
Raporti i KLSH shpjegon shumë aspekte nga pyetja e mësipërme. I fortë me biznesin e vogël, i dobët me të mëdhenjtë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se janë inspektuar në intervale të shkurtra kohe sipërmarrje me 1-2 punonjës, duke lënë pa inspektuar subjekte prodhuese me një numër të madh punëmarrësish dhe me kërkesa specifike të sigurimit në punë. Janë inspektuar dhe riinspektuar subjekte publike që nuk kanë rezultuar problematike, por inspektimi i tyre i ka shërbyer statistikave të Inspektoriatit Qendror. Një numër i konsiderueshëm subjektesh të biznesit të madh nuk figurojnë në listat e subjekteve të vetëdeklaruara në Inspektoriat. Konstatohet se inspektorët nuk njohin situatën e subjekteve që zhvillojnë aktivitet në territorin e juridiksionit që mbulojnë. Mungesa e këtyre të dhënave ka bërë që drejtoritë rajonale të kryejnë inspektime në një numër të vogël subjektesh, publike apo private.

Inspektorati i Punës funksionon në 12 degë rajonale, ka 98 inspektorë dhe ka kryer mesatarisht 81 inspektime për inspektor në vit. Gjatë viti 2017 janë realizuar 7958 inspektime. Shqipëria shënon se numri i subjekteve aktive për këtë vit ka qenë 160 679. Ndërsa, sipas deklarimeve zyrtare, ky inspektorat mbulon me inspektime vetëm 5% të aktiviteteve ekonomike të deklaruara.
Kjo është gjysma e së keqes sa këtij inspektorati. Informaliteti në turizëm, në ndërtim, në miniera, në tregti e shërbime mbetet pjesa më pak e raportuar e Inspektoratit të Punës. Hidhini një sy raportit vjetor të 2017! Janë qesharake gjetjet dhe shkeljet e evidentuara të kësaj trupe inspektimi. Gjoba të vendosura, por të pambledhura, subjekte të ankimuar në gjykate dhe gjyqe të humbura në shumicën e tyre. Nga mbi 110 gjoba, vetëm 28 prej tyre janë arkëtuar në arkën e shtetit! Nga 35 milionë lekë gjoba, vetëm 2,8 milionë janë arkëtuar!
Por ka edhe arritje. Ato i ka evidentuar dhe Inspektorati Qendror që nënvizon se një vit më parë ky Inspektorat ka pajisur të gjithë inspektorët shtetërorë me paketa portable, sipas parimit një laptop për një grup inspektimi, si dhe ka ofruar edhe 580 USB për shërbimin e internetit.

Misioni dhe funksionet e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore

Misioni i përgjithshëm i Inspektoratit Shtetëror të Punës është kontrolli, konstatimi, këshillimi, njoftimi, formimi, zbutja e konflikteve, parandalimi dhe sanksionimi.
Inspektorati Shtetëror i Punës ngarkohet:

o    Të sigurojë zbatimin e dispozitave ligjore për kushtet e punës dhe mbrojtjen e punëmarrësve në ushtrimin e profesionit të tyre, për kohëzgjatjen e punës, pagat, sigurimin, higjienën dhe mirëqenien, punësimin e fëmijëve, të të miturve
dhe  grave, si dhe për çështje të tjera, që lidhen ngushtë me to, në atë masë, që inspektorët e punës ngarkohen të sigurojnë zbatimin e këtyre dispozitave;

o    T’u japë të dhëna dhe këshilla teknike punëdhënësit dhe punëmarrësit për mjetet më efikase të shqyrtimit të dispozitave ligjore;

o    Të vërë në dijeni autoritetin përgjegjës për mangësitë dhe abuzimet, që nuk mbulohen në mënyrë të veçantë nga dispozitat ligjore në fuqi, si dhe të propozojë mjetet dhe instrumentet e nevojshme për përmirësimin e gjendjes.

 

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.