Botë me ngjyra, zonja e mëngjesit dhe 2 zotërinjtë e natës në Tiranë
Çdo ditë del nga shtëpia orën 7 të mëngjesit, në dorë mban qesen e mbushur me kallinj. Në rrugët e qytetit të Tianës e gjejmë duke pjekur misra. Preferon të shesë në të njëjtin vend, por kur e shikon që njerëzit nuk blejnë më, të nesërmen zë një tjetër cep të qytetit.
Vapa e gushtit ende nuk ka kaluar. Të gjitha ditët e verës për të kanë qenë njësoj. Në trotuare, me qesen e mbushur me misra, me veshjen e thjeshtë e të lirë, kështu i kaloi ditët e nxehta të verës zonja rreth të 50-ve, shkruan pozitivi.org. Për gjithkënd mund të duket punë e vështirë por ajo është mësuar, madje merr kënaqësi. Merr kënaqësi nga puna e bërë me djersë, falë të cilës arrin të mbijetojë, e të sigurojë të ardhura për familjen e saj. Zonja shet misra deri në orët e vona të pasdites e më pas kthehet në shtëpi…
Realiteti në Tiranë është plot me ngjyra… Çdokush e jeton ndryshe, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Në mëngjes zonja me misrat, e në darkë të fundit që lëvizin nëpër kryeqytet janë këta zotërinj. Të dy të kapur pas kamionçinës së madhe zbresin me dhjetëra herë për të marrë mbeturinat e koshave nëpër Tiranë. Me pak fjalë, çdo natë rreth orës 12 pastrojnë kryeqytetin, shkruan pozitivi.org. Falë punës së tyre të palodhur qytetarët të nesërmen në mëngjes e gjejnë qytetin më të pastër seç e lanë në mbrëmje. Askush nuk do të bëjë një punë të tillë, të dëgjojë erën e mbeturinave, por ama këta zotërinj të nderuar e bëjnë çdo natë, mbase dhe nga halli.
Zonja e nderuar rreth të 50-ve, çdo mëngjes lëshon aromën e këndshme të misrave nëpër rrugicat e Tiranës, ndërsa në mbrëmje e mbyllin zotërinjtë, me pastrimin e mbetjeve të ditës. Kjo është rutina e përditshme e zotërinjve dhe zonjës, e të mendosh çfarë bëjnë çdo ditë rreth 800.986 banorë që ka Tirana? Nje jetë me ngjyra të shumëllojshme, e bukur apo e vështirë, të gjithë e jetojnë ndryshe. Çdo gjë varet nga kënvështrimi që hedhim. /Pozitivi.org/

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.
