Ish-banorja e “Big Brother” rrëfen si përballet çdo ditë me sëmundjen e rëndë: Jetoj me diçka që s’e di a ka fund
“Respektoj gjithçka brenda qenies time…”
Maria Fejzaj është një femër e hekurt që ka përballuar vështirësi të mëdha në jetë. Karakteri i veçantë dhe forca e kanë bërë të ecë përpara. Ajo është 36 vjeçe, nga Vlora dhe ka studiuar në Padova të Italisë Psikologji për Persona me Aftësi të Kufizuara.
36 vjeçarja nuk është e panjohur për publikun shqiptar. Ka qenë banore e “Big Brother Albania 8”, aty ku ka treguar për herë të parë publikisht hisorinë e trishtë. Mes shumë sfidave, jeta e ka përballuar dhe me një sëmundje të vështirë, me leuçeminë kronike. Ish-banorja e Big Brother kthehet në medie pas një kohe të gjatë, në një intervistë për pozitivi.org ku tregon si i bën ballë sëmundjes, me të cilën duhet të jetojë gjithë jetën.
Për ta përmbledhur në vija të përgjithshme, historia e saj nis kështu. Në moshën 18 vjeçare është larguar në Padova të Italisë ku ka studiuar psikologji. Pasi mbaroi studimet u largua drejt Greqisë, aty ku i filluan dhe vështirësitë, shkruan Pozitivi. Ish-banorja ishte e lidhur me një djalë që merrej me trafik lëndësh narkotike në Greqi. Kjo lidhje një ditë e vendosi përpara një zgjedhje shumë të vështirë. Kishte në dorë të bëhej e pasur dhe të qëndronte e lirë, duke burgosur djalin që donte ose të vuante dënimin bashkë me të. Zgjodhi të dytën. 18 muaj në burg i kanë kushtuar shumë. Aty abortoi fëmijën e saj dhe më pas është sëmurur rëndë me leucemi.
Në një intervistë për Pozitivin Maria rrëfen çfarë po bën aktualisht, jep detaje më shumë nga jeta e saj, momentet më të vështira, zhgënjimet, dhe si ka mundur ta përballojë gjithë situatën. Sakaq Maria flet dhe për eksperiencën e saj në “Big Brother”. Siç shprehet 36 vjeçarja sëmundja është e njëjtë por forca e njeriut jo. Me forcë ajo është përballur edhe me ata që e shikonin si jashtëtokësore, me frikën se mund të mos shikojë më si mbushet qielli me yje dhe shumë gjëra tjera. E bukura në fund të gjithë këtij rrëfimi është optimizmi që e karakterizon dhe dëshira për të respektuar gjithçka brenda qenies së saj. “Duhet të dish një gjë, jetoj me diçka që nuk e di a ka fund. Por unë respektoj gjithçka brenda qenies time…”.
Intervista e plotë për pozitivi.org me Maria Fejzaj:
Pozitivi: Marian e “BB8” besoj e njohin të gjithë, por një prezatim të shkurtër për pjesën që s’ka mundur.
Maria Fejzaj: Jam nga Kanina e Vlorës nga vendi i Donikës së Skënderbeut dhe e kupton që kush martohet në kaninë bëhet baxhanak me Skënderbeun (qesh). Jam 36 vjeçe. Kam mbaruar në padova të Italisë Psikologji për Persona me Aftësi të Kufizuara dhe kjo është një arsye më shumë që tani vazhdoj studimet për Infermjeri të Përgjithshme.
Pozitivi: Historinë tënde me sëmundjen e ke bërë publike prej kohësh… si kanë qenë momentet e para?
Maria Fejzaj: Si u ndjeva unë kur e mësova…Pak a shumë për ata që me njohin nga Big Brother e dinë historinë time. Nuk dua të bëj gjynafqaren sepse e kam kaluar atë fazë dhe e urrej por momenti kur e mësova që vuaja nga leucemia ka qenë një moment shumë i keq që unë mendoja se nuk kisha më të ardhme. Por kur mësova se çfarë kisha kuptova që ideja ime ishte e gabuar… por në atë moment kuptova që “NDOSHTA TANI NUK KISHA ME TE ARDHME”.
Ishte vetëm fillimi i një këndvështrimi tjetër për jetën. Ditët e para nuk mund ta besoja dhe nuk e pranoja një gjë të tillë. Isha shumë egoiste për të pranuar të vërtetën. Por vendosa të bej terapinë edhe pse nuk e dija ç’më priste.
Ështe e vështirë të jesh diku larg familjes dhe të kërkosh ngrohtësi tek gjëra të vogla të përditshme.
Nuk e di si duroja, si me merrte gjumi, si flisja, si bëja për të pritur agimin e ditës tjetër, por di vetem të të them që nuk doja të flija… Më frikësonte ideja që po të mbyllja sytë nuk do shikoja më si zbardhet dita. Të shikoja si mbushej qielli me yje. Isha egoiste dhe nuk pranoja çfarë kisha derisa një mëngjes duhej të vendosja dhe të kërkoja dhurues për të bërë transplantin. Si moment ishte më i rëndësishëm për mua… Çuditërisht nuk mendoja ku isha por ç’duhet të vendosja.
Pozitivi: Cilat kanë qenë disa momente të vështira që ia ke dalë t’i përballosh?
Maria Fejzaj: Hera e parë ishte në 2006 kur fillova terapinë dhe pas shumë përpjekjesh çdo gjë kaloi si për mrekulli. Është e frikshme të shikosh veten si ndryshon dita ditës. Është e frikshme të mendosh që të nesërmen mund edhe të mos zgjohesh. Gjithsesi unë nuk e dija se ç’me priste… dhe mendoj që askush nuk e mendon diçka të tillë. Nuk është në mendjen e askujt një ide e tillë. Të gjithë në mendojmë vetëm gjëra të bukura prandaj ëndërrojmë…me sy hapur.
Por zhgënjimi më i madh ishte herën e dytë në vitin 2013 në dhjetor. Atëherë ishte vërtet e frikshme sepse sërish nuk e dija ç’me priste. Nuk ishte diçka e panjohur për mua, ishte thjesht një provë e dytë e jetesës dhe e forcës sime. Asnjëherë nuk e kisha ndaluar punën…asnjëherë nuk kisha menduar që çdo gjë mbaroi për mua. Ishte hera e parë që mendoja fundin.
Leucemia kronike është një sëmundje që shfaqet në mosha të ndryshme. Gjithësesi…isha me fat. Brenda fatkeqësisë time isha me fat. Kam një grup gjaku të vështirë 0- (rezus negativ) është vështirë të gjesh dhurues dhe aq më tepër të përshtatshem 70%.
Pozitivi: Ti u ktheve në Shqipëri në 2013. Çfarë ndodhi gjatë kësaj kohe?
Maria Fejzaj: Në 2013 kur erdha në Shqipëri e vetmja frikë ishte mjekësia. Por sido që të ishin rrethanat e kisha vendosur që të mos ikja nga Shqipëria. Vendosa të qëndroj në Shqipëri, të jetoj aty, të merrem me diçka që të me bënte të kaloja kohën në mënyrë të këndshme. Nuk mund të them qe nuk kisha njerëz afër, përkundrazi nga frika që mund të ngelesha vetëm fillova të merrem me shumë gjëra në të njëjtën kohë.
Të njëjtat aktivitete që bëja në Greqi fillova t’i bëja dhe në Shqipëri. Me të vetmin ndryshim që në Shqipëri njerëzit nuk kishin të njëjtin horizont dhe njohuri… Më pëlqen arti dhe është një faktor që më ka ndihmuar shumë të gjej veten dhe kurajo për të nesërmen.
Pozitivi: Si ishin reagimet e të tjerëve kur mësuan për gjendjen tënde?
Maria Fejzaj: Njohja me shumë njerëz pasi u ktheva në Shqipëri me bëri të jem një njeri i qeshur… mos të kem frikë. Mund të ulem dhe të flas me orë të tëra, me ditë të tëra por asnjë njeri nuk është i njëjtë me dikë tjetër. Sëmundja është e njëjtë por forca e njeriut jo.
Në shumë momente njerëzit me shikonin si jashtëtokësore…sepse isha një qenie njerëzore 38 kile. Aty ka qenë momenti me i vështirë për mua. Vërtet nuk kisha shpresa, vetëm numëroja ditet, orët dhe çuditërisht fillova të qaja… diçka që nuk e kisha bërë me parë nga momenti që mesova për sëmundje time.
Pozitivi: Sfida e fundit kush ka qenë? Çfarë të ka motivuar për t’i bërë ballë sëmundjes?
Maria Fejzaj: Hera e fundit ishte në prill të 2015. Ishte diçka që nuk më la shpresa për jeten. Përgjigja me e çuditshme që kam marrë nga një spital në Shqipëri “Uroj të bëhesh mirë”. Vetëm kaq me kanë thënë. Dhe aty mora vendimin të iki sërish në Greqi. Mjeku i fundit që kam takuar ka qenë Adrian Balla, tek “Ikeda”.
Ai njeri u bë shkas që unë të filloj përsëri terapinë. Pata filluar një rrugë tjetër dhe bashkë kisha dhe një person tjetër që do me ndihmonte, në Shqipëri këtë herë. Adrian Balla ishte i vetmi person që me tha “në qoftë se ke mundësi të ikesh jashtë duhet të kishe ikur dje dhe jo nesër”. Duhet të dish një gjë, jetoj me diçka që nuk e di a ka fund. Por respektoj gjithçka brenda qenies time.
Është e veshtirë të pranosh diçka që nuk është në rutinën e jetës së njeriut… Asnjë nuk do që të sëmuret … por kur ke diçka konkrete…e pranon, jeton dhe e dashuron atë. Anemia mesdhetare (talasemia) është diçka e vështirë.
Pozitivi: Ke qenë pjesë e “BB8”. Si ka qenë si eksperiencë për ty dhe çfarë ke bërë pasi dole?
Maria Fejzaj: Ishte një eksperiencë ashtu siç e kam menduar dhe jashtë. Me banorët nuk është se kam ruajtur kontakt të vazhdueshëm. Mendoj që miqësia është fjalë e madhe. Miq kam pak. Më kanë ndihmuar shumë njerëz, i falenderoj por jo më shumë. Pas “BB” u mora një farë periudhe me fashion, por më pas m’u desh të iki për arsye shëndetësore dhe përsëri qëndrova në Athinë. Filllova infermjerinë dhe në të njëjtën kohë merrem me fëmijë me sindromën “RET”. Moda normal që nuk ikën nga jeta ime. Vetëm se tani merrem me modën e fëmijëve. Ata janë e ardhmja. Në kohën e lirë merrem me kërkimet latine, për kënaqësinë time.
Pozitivi: Si e shikon veten pas disa vitesh, sepse ti aktualisht po ndjek dhe universitetin e 2 në Greqi?
Maria Fejzaj: Tani jam në Greqi dhe këtu po ndjek studimet për infermjeri. Rreziku i madh për mua është të mos përballoj diçka që vjen pa e ditur… rrezik i madh për mua është të mos kem kurajo të përballoj atë që vjen. Pas 10 vitesh nuk mund të kem ikonë të jetës sime sepse kur në bëjmë plane zoti qesh. Kam mësuar të jetoj tashmë vetëm me të sotmen. Vendosa të jetoj dhe te respektoj atë që kam. Ishte diçka e imja. Ishte pjesë e jetës sime…dhe mund të jetë përsëri. Tashmë jetoj me një filozofi tjetër. “NUK JEMI PEMË …MUND TE LËVIZIM DHE TE SHKOJME KU TE DUAM”. Nga Beklie Koltraka
© 2017 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.





