Baballarët që përdhunojnë vajzat
17/07/2019 Shpërndaje

Baballarët që përdhunojnë vajzat

Për shumë arsye abuzimi seksual është një abuzim që mbetet i fshehtë. Abuzimi seksual ka shumë pasoja fizike dhe emocionale te fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit.  Rastet e abuzimeve janë të shumta dhe çdo ditë ka denoncime nga më të ndryshmet. Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale ndërmjet prindit dhe fëmijës, vëllait dhe motrës, ndërmjet vëllezërve, motrave, ndërmjet personave të tjerë që janë gjini (lidhje gjaku) në vijë të drejtë ose me persona që ndodhen në raporte kujdestarie ose të birësimit, dënohet me burgim gjer në shtatë vjet.

Së fundmi po kthehet në një problem shqetësues që po shtohet në masë abuzimi i baballarëve me vajzat e tyre. Rasti më i fundit që ka tronditur opinionin publik ka ndodhur në Lezhë. Një histori shokuese u transmetua në emisionin investigativ “Fiks Fare” në mbrëmjen e 9 korrikut. Një baba ka abuzuar për 3 vite me radhë me vajzën e tij, qëkur ajo ka qenë 15 vjeçe. Tashmë vajza është 18 vjeçe dhe mori guximin ta regjistronte babain e saj kur ai abuzonte seksualisht me të.

Shkëlqim Isufi akuzohet nga gjykata e Shkallës së Parë Kurbin nën masën “Arrest me burg” për veprën penale të “Marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose kujdestari”. Vajza e akuzon me prova për incest brenda familjes. Ajo ka treguar se si policia dhe prindërit e shtynë që të tërhiqte denoncimin, ndërsa tani kërkon ndihmë nga mediet.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ilirjan Agolli e intervistoi vajzën denoncuese, e cila thotë se policia nuk veproi për ta mbrojtur. Identitieti dhe fytyra e vajzës nuk janë shfaqur në medie, megjithëse ajo është lehtësisht e verifikueshme tashmë pasi ka dalë emri dhe të dhënat e të babait të saj abuzues.

Ndërkaq në denoncimin e mëparshëm që ajo ka bërë në emisionin investigativ “Fiks Fare” thotë se babai e dhunonte seksualisht prej 3 vjetësh. Pas denoncimit në medie mesazhet kërcënuese me presione nga të afërmit kanë qenë të shumta.

“Unë kam vajtur në polici para disa muajsh dhe bëra një denoncim nëpërmjet një avokati në Tiranë. Denoncimin me avokat e bëra në Tiranë, sepse në qytetin ku jetoj jam fare e pambrojtur. Pasi bëmë denoncimin, një polic aty e mori babain në telefon dhe i tha që ka ardhur një dosje e zezë për ty, ndaj duhet të vish ta shikosh me patjetër.

Babai shkon aty dhe i lexon të gjitha. Më merr në telefon dhe më thotë: Duhet të vish. Do të vij mamaja të të marrë”. Shkoj në polici dhe policia më kërcënon: Nëse nuk ka prova, ti do të arrestohesh, sepse akuzohesh për një denoncim të rremë. U detyrova ta tërheq denoncimin brenda një jave, sepse nuk kisha asnjë provë” – ka thënë vajza denoncuese.

Mbrojtja e 18 vjeçares

Fill pasi ngjarja u bë publike, Ministria e Brendshme reagoi menjëherë dhe brenda pak orësh u bë arrestimi i shtetasit që jetonte në Kurbin, raportoi Fiksi në emisionin e ditës 10 korrik. Sipas “Fiks Fare”, 18-vjeçarja u mor menjëherë në kujdestari nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale. Ende nuk është bërë e qartë se ç’pritet të ndodhë me nënën e saj, e cila u vu në dijeni të rastit, por fillimisht nuk e besoi, ndërsa më pas i tha të bijës se “çfarë u bë u bë” dhe “historia duhej të mbyllej me aq”. Megjithëse e ëma dhe familjarët e tjerë e braktisën, ajo ka ende shpresë dhe jo pa qëllim e denoncoi rastin në media.

Vajza ka treguar se edhe më parë e kishte denoncuar babanë në polici si kultivues i bimëve narkotike, por doli shpejt nga qelia për këtë akuzë. Kërcënimet dhe presioni mbi vajzën vazhduan. Pas denoncimit të abuzimit seksual, i ati e ka paralajmëruar se në fund përsëri do të binte në dorën e tij.

E pyetur nga “Zëri i Amerikës” mbi pretendimet e vajzës për mosreagim dhe presion nga forcat e rendit, policia njoftoi se nuk mund të komentonte ngjarjen, përderisa ka filluar një hetim nga prokuroria.

Një zyrtar i saj pohoi për VOA-n se çdo pretendim i vajzës, çdo thënie e saj dhe çdo veprim policor që është kryer gjatë kësaj periudhe do të verifikohet nga prokuroria dhe nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, e njohur si SHÇBA.

Raste të ngjashme të viteve të fundit

Rasti 1: Një histori pak a shumë të ngjashme rrëfeu edhe një vajzë anonime katër vite më parë në “Historia Ime” në rubrikën “E diela trend” te “E diela shqiptare”. E intervistuar nga Dalina Buzi, vajza rrëfeu se babai e kishte përdhunuar që në moshën 8-vjeçare. Në fillim, puthjet dhe prekjet ai i justifikonte me dashurinë babë-bijë, derisa një ditë e përdhunoi. Abuzimi seksual zgjati për plot shtatë vite.

Nisur nga rasti tronditës, në studion e “E diela shqiptare”, Ardit Gjebrea e pati të pamundur të kontrollonte emocionet duke u shprehur publikisht se të tillë persona meritojnë dënimin maksimal.

Rasti 2

Në vitin 2016  Artur L., 42 vjeç, u dënua me 10 vite burg, pasi u deklarua fajtor për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me vajzën e tij të mitur. Incesti u zbulua nga vajza e abuzuar në maj 2015, gati pesë vite pasi kishte ndodhur në banesën e kësaj familjeje në zonën e Babrrusë, në Tiranë.

Shkak u bë fejesa e vajzës. Pas marrëdhënies së parë intime me të fejuarin, ai i tha asaj se do të prishnin raportin, pasi ajo nuk ishte e virgjër. Fillimisht, 17­vjeçarja K.L. është përpjekur t’i thotë atij që ishte dëmtuar gjatë mjekimit të një infeksioni, por kur nuk ka arritur ta bindë, është “zbërthyer”, duke rrëfyer historinë e abuzimit seksual nga babai i saj.

17­vjeçarja ka pohuar se kishte pasur marrëdhënie të mira me të atin, por edhe ishte dhunuar prej tij. “Sillej mirë dhe e kam logjikuar pasi ka dashur për të më mbajtur për vete, për mos i thënë njeriu.

Në moshën 17 vjeçe nuk ia lejova më vetes, pasi fillova po e kuptoja të mirën dhe të keqen. Në momentin që i thashë mamasë se u ndava, ajo më pyeste pse u ndave. Babai i tha nënës lëre se mendja është kokërr gruri dhe po bën ndonjë gjë. Atë natë babai nuk më tha gjë. I tregova nënës këtë gjë dhe iu duk shumë e pabesueshme”, ka dëshmuar ndër të tjera minorenia.

Ndërsa bashkëshortja e të pandehurit, gjatë dëshmisë së saj në gjyq, ka shpjeguar se ka pasur vazhdimisht probleme me burrin, pasi ai sa herë që pinte, i thoshte që me kë i kishte bërë fëmijët dhe se donte analizat e ADN­së së tyre. Në lidhje me ditën kur ka marrë vesh abuzimin seksual të vajzës së saj, ajo ka rrëfyer se i shoqi është nervozuar shumë. “Ka marrë thesin e miellit dhe e ka hedhur në VC dhe më pas prishi të gjitha kartat e telefonit.

Në një moment kur po debatonin dhe vajza ishte në kuzhinë, ai i ka shkuar atje duke i thënë që përse i kishte treguar të ëmës. Ajo shprehet se ai i ka kërcënuar se do t’i digjte të gjithë brenda, nëse ai muhabet dilte jashtë shtëpisë”, citohej dëshmia në vendimin e Gjykatës.

Rasti 3

Gjykata e Lezhës dënoi dje me 30 vite burg babain që përdhunoi vajzën e tij 17-vjeçare. Fatmir Mekrizvani ishte arrestuar pasi në shtator të 2014-s u denoncua nga e bija, Xhoana Mekrizvani, për abuzim seksual. Një ditë pas kallëzimit në Polici, në kushtet e një tronditjeje të fortë psikologjike, e mitura i dha fund jetës duke u vetëhelmuar.

Familjarët mohuan që ngjarja të ishte e vërtetë, duke kërkuar lirimin e Fatmir Mekrizvani, megjithatë gjykata vendosi dënimin e tij me 30 vite burg.

Rasti 4

“Fiks Fare” ka denoncuar një tjetër rast të ndodhur në një familje në Orikum të Vlorës në Mars të 2019. Babai përdhunonte sistematikisht vajzën e tij 9-vjeçare, e për të mos mjaftuar vetëm kjo, babai e dhunonte vajzën që ajo të mos tregonte.

Vajza, e cila sot është 9 vjeç, është në një gjendje të rëndë psikologjike, jeton në mes të mjerimit me nënën e saj, dy vëllezërit dhe motrën e vogël. Askush nuk kujdeset për ta, askush nuk punon në familjen e saj.

Nëna e vajzës tregoi se vajza e vogël ka filluar të abuzohet nga i ati që në moshën 7-vjeçare. Mamaja kishte vazhdimisht dyshime për dhunën sekusale që i shoqi ushtronte ndaj së bijës, por sipas saj, ai gjithmonë e mohonte dhe e rrihte kur i përmendte dyshimet.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.