I qëlluan të birin, gjesti i mirësisë i zbukuron ditën më të keqe një nëne
Një nënë në Garner, në Karolinë të Veriut, thotë në ditën më të keqe të jetës së saj, përjetoi aktin më të mirë të mirësisë. Të hënën, Emoni Hardy u njoftua se djali i saj ishte qëlluar dhe ndodhej në spital.
“U bëra histerike, nuk dija çfarë të bëja, çfarë të merrja apo si të veproj, por vetëm dola nga dera”, tha Emoni për ABC11.
Djali i saj 19-vjeçar kishte shkuar në Raleigh pas punës për të vizituar motrën e madhe, kur u gjend në mes të një debati. Më pas e vetmja gjë që kuptoi ishte se u qëllua në shpatull.
E frikësuar se çfarë mund t’i ndodhë, takoi të birin i cili dukej paksa i qetë. Mendoi se do paralizohej por fatmirësisht një gjë e tillë nuk ndodhi.
Pasi i biri u lirua nga spitali, Emoni ndaloi pranë një bankomati për të marrë 60 dollarë për të paguar recetat e djalit që i kishin dhënë mjekët.
Ndërsa priste të merrte ilaçet, Emoni shpërtheu në lot. Stafi u përpoq ta ngushëllonte. “Ata më dëgjonin duke qarë, ulur atje duke qarë, dhe më pas e morën vesh që djali im ishte qëlluar”, tha ajo.
Pak minuta më vonë, të gjitha ilaçet ishin gati. Ndërsa eci deri në banak për të paguar, paratë ishin zhdukur.
“Nuk e di se çfarë ka ndodhur”, tha ajo, ndërsa tregon se në ato momente filloi të qante përsëri. Thirri të vëllanë që të vinte të paguante faturën, por para se ai të mbërrinte, menaxherja iu afrua.
Ajo i tha: “Nuk ka rëndësi, shko të kujdesesh për djalin tënd. Edhe ne kemi fëmijë. Unë kam një djalë dhe të kuptoj. E ndiej dhimbjen tuaj”.
Zonja filloi të qante përsëri, nga gëzimi dhe mbështetja që mori në një nga momentet më të këqija që ka përjetuar në jetë. Tani ajo dhe familja e saj shprehen se mezi presin ta paguajnë dhe të bëjnë diçka të mirë për dikë tjetër.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
