Juristi i ri Albi Çela: Ne nuk kemi marrë një edukim ligjor cilësor. Reforma në Drejtësi pozitive
“Reforma në drejtësi është një nga temat më të komentuara aktualisht në realitetin politiko-juridik të vendit tonë. Duke qenë kushti kryesor për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, interesi për reformën në drejtësi është i lartë duke patur parasysh dhe aspiratat që qytetarët shqiptarë, duke përfshirë dhe veten time, kanë për t’u integruar në BE”, kështu shprehet juristi i ri Albi Çela gjatë një intervistë për pozitivi.org, ndërsa është pyetur mbi Reformën në Drejtësi dhe ecurinë e saj.
Çela ka përfunduar studimet për Drejtësi në nivelin Bachelor dhe Master i Shkencave në Drejtësi Profili e Drejtë Ndërkombëtare me fokus në të Drejtën Ndërkombëtare Publike. Gjatë studimeve ka marrë pjesë në konkurse të ndryshme dhe një prej tyre është konkursi më i madh ndërkombëtar për studentët e drejtësisë, Philip C. Jessup International Law Moot Court Competition në Washingotn D.C. Atje ka përfaqësuar Shqipërinë dhe ka njohur studentë nga më shumë se 120 shtete pjesëmarrëse si dhe sistemin e tyre ligjor. Përmes këtyre konkurseve ka kuptuar se në vendin tonë nuk kemi marrë një edukim ligjor cilësor krahasuar me shtetet e tjera.
“Nga përballjet me këto ekipe kam kuptuar që ne nuk kemi marrë një edukim ligjor cilësor. Ne jemi mësuar si të evidentojmë ligjin e aplikueshëm, por jo si ta kuptojmë atë dhe ta aplikojmë. Nuk jemi trajnuar sesi duhet të paraqitemi para një trupi gjyqësor, si duhet ti drejtohemi gjykatës dhe si duhet të paraqesim një argument bindës duke patur parasysh të gjitha rregullat përkatëse. Në këtë moment kuptova sesa përpara nesh janë sistemet e drejtësisë në vendet e tjera. Kuptova që çdo gjë ata e lidhin me edukimin e brezave të ardhshëm të juristave në mënyrë që të kenë një sistem ligjor të qëndrueshëm. Ky është elementi që bën diferencën mes sistemeve perëndimore të drejtësisë dhe nesh”, shprehet Çela.
Sipas tij megjithëse Reforma në Drejtësi duhej bërë disa vite më parë, rezultatet e saj deri tani janë pozitive. “Reforma në drejtësi është një reforme e cila duhej ndërmarrë vite, duke mos dashur të them dekada më parë. Një shtet demokratik dhe ligjor bazohet në një sistem me drejtësi të konsoliduar dhe fatkeqësisht në 30 vite demokraci e kemi vuajtur mungesën e një sistemi të tillë, gjë që na ka penalizuar në rrugëtimin e vendit tonë drejt Bashkimit Europian. Sot ka dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë që janë përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, ndaj besoj që deri në njëfarë mase reforma ka patur rezultat. Por gjithmonë duhet të synojmë standarte më të larta dhe të jemi të përgatitur për atë që do pasojë pas përfundimit të reformës”, shton juristi i ri.
Intervista me Albi Çela për pozitivi.org nga Beklie Koltraka:
Pozitivi: Sa të interesuar jeni për reformën në drejtësi, ku
informoheni për ecurinë e saj?
Albi Cela: Reforma në drejtësi është një nga temat më të komentuara aktualisht në realitetin politiko-juridik të vendit tonë. Duke qënë kushti kryesor për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, interesi për reformën në drejtësi është i lartë duke patur parasysh dhe aspiratat që qytetarët shqiptarë, duke përfshirë dhe veten time, kanë për t’u integruar në BE. Përsa i përket burimit të informacionit mbi ecurinë e reformës, përkrah medias, burimi kryesor ku unë referohem është website zyrtar i Komisionit te Pavarur të Kualifikimit, i cili publikon çdo informacion mbi ecurinë e vlerësimit të çdo gjyqtari apo prokuri i cili kalon sitën e Vetingut, duke filluar ngan data e seancave dhe deri tek vendimet e arsyetura përfundimtare të komisionit, apelimet etj. Gjithashtu komentet e Bashkimit Europian apo partnereve ndërkombëtare si Shtetet e Bashkuara të Amerikes, janë një burim i vlefshëm i cili të mundëson të shikosh reformën nga këndvështrimi kritik i të huajve.
Pozitivi: Në cilat media informoheni më shumë mbi këtë çështje dhe si
e kanë raportuar deri tani, sipas mendimit tuaj?
Albi Cela: Media në Shqipëri ashtu si shumë fusha të tjera ka problematikat e saj. Një nga këto problematika fatkeqësisht qëndron në mënyrën sesi përcohet informacioni mbi reformën në drejtësi tek publiku i gjerë. Ka media të cilat reformën në drejtësi e përdorin si burim klikimesh dhe përfitimesh përsonale. Mjafton të shikosh faktin që shumë gjyqtarë apo prokurorë të cilët e kanë kaluar vetingun dhe nuk janë apeluar nga komisonerët e huaj por kanë rezultuar me figurë të pastër dhe me formim të mirë profesional, gjatë fazës së hetimit janë sulmuar nga media dhe portale të ndryshme duke marrë të dhënat e bëra publike dhe duke i servirur ato tek publiku në një formë e cila nuk i shërben klimës së krijuar në vend ndaj gjyqësorit. Sigurisht që ka media që janë korrekte në ato që transmetojë tek publiku duke bërë analiza të bazuara në fakte dhe duke mos i shtrembëruar ato. Në këtë aspekt, duke mos dashur të anashkaloj punën e bërë nga mediat e tjera, analizat që BIRN bën për çdo gjyqtar apo prokuror që kalon në sitën e vetingut, kanë rezultuar të jenë të sakta në të shumtën e rasteve.
Pozitivi: Në çfarë mase e mbështesni/kundërshtoni nevojën për një
Reformë të Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri?
Albi Cela: Reforma në drejtësi është një reforme e cila duhej ndërmarrë vite, duke mos dashur të them dekada më parë. Një shtet demokratik dhe ligjor bazohet në një sistem me drejtësi të konsoliduar dhe fatkeqësisht në 30 vite demokraci e kemi vuajtur mungesën e një sistemi të tillë, gjë që na ka penalizuar në rrugëtimin e vendit tonë drejt Bashkimit Europian. Ndaj një reforme e tillë është mëse e nevojshme dhe e mbështes plotësisht.
Pozitivi: Bazuar mbi atë që
dini apo që keni ndjekur nga media dhe reagimet e bëra publike, a do të thonit
se institucionet shtetërore në përgjithësi kanë qenë shumë të interesuara për
të ndryshuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri?
Albi Cela: Më shumë sesa një interes i brendshëm për të ndryshuar systemin e drejtësisë, sforcoja që është bërë deri më tani për ta implementuar këtë reformë, ka ardhur si pasojë e presionit ndërkombëtar dhe faktit që reforma në drejtësi është kushti thelbësor për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Pra, mendoj që reforma është një “detyrë shtëpie” të cilën jemi të detyruar ta bëjmë në mënyrë që të “kalojmë klasën”.
Pozitivi: A mendoni se reforma ka pasur rezultat deri më tani?
Albi Cela: Sot ka dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë që janë përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, ndaj besoj që deri në njëfarë mase reforma ka patur rezultat. Por gjithmonë duhet të synojmë standarte më të larta dhe të jemi të përgatitur për atë që do pasojë pas përfundimit të reformës.
Pozitivi: Reforma në Drejtësi bazuar në ecurinë e deritanishme, a ka premisa për të qenë e suksesshme, dhe a është zbatuar ashtu siç duhet?
Albi Cela: Në çdo moment duhet të jemi optimistë dhe shpresojmë që kjo reformë do të japë fryte pozitive në të ardhmen. Por mendoj që reforma në drejtësi duhej shoqëruar nga një bashkëreformë. Këtu i referohem sistemit të arsimit në tërësi dhe në veçanti edukimit ligjor. Nevojitet një reformim rrënjësor i arsimit duke filluar që nga çerdhet, kopshtet, shkolla fillore e deri tek studimet post-universitare. Duke qënë një student i diplomuar në drejtësi, fatkeqësisht më duhet ta pranoj që edukimi ligjor në Shqipëri nuk është në lartësinë që duhet të jetë. Ka mangësi në metodat e mësimdhënies, literaturës që ofrohet dhe kulturës ligjore në tërësi. Siç e thashë dhe më lart duhet të jemi optimistë që reforma do të rezultojë e suskseshme, por ngrihet pyetja. Gjyqtarët dhe prokurorët që do të largohen nga sistemi, nga kush do të zëvendësohen në momentin që nuk ka një sistem edukimi ligjor të konsoliduar dhe me standarte perëndimore? Gjithsesi kjo mbetet për tu parë në vijimësi.
Pozitivi: A mendoni se reforma do të ndikojë në marrjen e rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE?
Albi Cela: Besoj që ka qënë e qartë që në fillim që ky ka qënë një nga kushtet thelbësore për hapjen e negociatave. Kjo u bë më e qartë dhe nga kushtet që u vendosen nga Budestagu Gjerman para pak ditësh.
Pozitivi: Si një jurist i ri që ka marrë pjesë në kompeticione të
ndryshme edhe jashtë Shqipërisë, si e shikoni sistemin e drejtësisë në Shqipëri
krahasuar me vendet e tjera? Si do e dëshiroje?
Albi Cela: Besoj që përgjigja e kësaj pyetje lidhet në mënyrë direkte me pyetjen më lart përsa i përket premisave që ka reforma të jetë e sukseshme.
Gjatë studimeve unë kam marrë pjesë në konkursin më të madh ndërkombëtar për studentët e drejtësisë, Philip C. Jessup International Law Moot Court Competition në Washingotn D.C ku kam përfaqësuar Shqipërinë dhe kam patur fatin të takoj studentët më të mirë nga më shumë se 120 shtete pjesëmarrëse, dhe të ndeshem me ekipe si Kings College London, Univesiteti i Singaporit etj. Nga përballjet me këto ekipe kam kuptuar që ne nuk kemi marrë një edukim ligjor cilësor. Ne jemi mësuar si të evidentojmë ligjin e aplikueshëm, por jo si ta kuptojmë atë dhe ta aplikojmë. Nuk jemi trajnuar sesi duhet të paraqitemi para një trupi gjyqësor, si duhet ti drejtohemi gjykatës dhe si duhet të paraqesim një argument bindës duke patur parasysh të gjitha rregullat përkatëse. Në këtë moment kuptova sesa përpara nesh janë sistemet e drejtësisë në vendet e tjera. Kuptova qe çdo gjë ata e lidhin me edukimin e brezave të ardhshëm të juristave në mënyrë që të kenë një sistem ligjor të qëndrueshëm. Ky është elementi që bën diferencën mes sistemeve perëndimore të drejtësisë dhe nesh.
Pozitivi: Një mesazh për anëtarët e sistemit të drejtësisë, ndoshta për të rinjtë që i shtohen sistemit të drejtësisë. Çfarë do iu thoje?
Albi Cela: Juristët që do i shtohen radhëve të sistemit të drejtësisë kanë eksperiencë dhe përvojë shumë më të madhe sesa unë në këtë moment. Gjithsesi, me përulësinë më të madhe, do u kërkoja që funksionet e tyre ti ushtrojnë me integritet, me frymën e ligjit dhe me pasion. Sot ata kanë mundësinë që të bëjnë histori dhe të mbahen mend si Gjyqatarët dhe Prokurorët që ndryshuan sistemin.
Kush është Albi Çela?
Albi Çela ka lindur ne qytetin e Shkodrës më 2 Gusht 1995. Ka përfunduar studimet për Drejtësi vitin 2016 në nivelin Bachelor dhe në vitin 2018 Master i Shkencave në Drejtësi Profili e Drejtë Ndërkombëtare me fokus në të Drejtën Ndërkombëtare Publike. Gjatë viteve si student është angazhuar në shumë aktivitete ekstrakurrikulare. Në vitin 2016 ka qenë pjesëmarrës në shkollën verore “Sistemi Europian i Mbrojtjes se të Drejtave të Njeriut” organizuar nga Universiteti Viadrina në Frankfurt Oder dhe financuar me bursë të plotë nga DAAD. Në vitin 2017 ka qenë mes 20 të përzgjedhurve që morën pjesë në Shkollën e Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut organizuar nga Civil Right Defenders. Nga viti 2015 deri në 2018 Albi ka qenë pjesëmarrës në konkurisn më të madh të gjyqeve simuluese, Pjilip C. Jessup International Law Moot Court Competition në Washington D.C, ku së bashku me kipin e Kolegjit Universitar Bedër ka qenë përfaqesues i Shqipërisë.
Eksperiencat e mëparshme përfshijnë intershipe dhe praktika në Gjykatën e Rrethir Gjyqësor Tiranë, Lëvizja Europiane në Shqipëri, Zyra e Kërkimit Shkencor pranë Kolegjit Universitar Bedër dhe Institutit Demokratik Amerikan. Pjesëmarrës në Model European Union Strasbourg 2017 në rolin e Europarlamentarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Popullore Europiane. Që pas pjesëmarrjes në MEUS 2017 ka ndarë eksperiencën e tij duke kontribouar në organizimin dhe koordinimin e EUIS Tirana që nga viti 2017.
Fushat e tij të interest janë e Drejta Europiane, E Drejta mbi Pergjegjësitë e Shteteve, E Drejta Ndërkombëtare e Traktateve, E Drejta mbi Konfliktet e Armatosura dhe E Drejta e Detrave. Në kohën e lirë preferon ciklizmin, fotografinë dhe vizatimin.
© 2019 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.

