I dërgon letër babagjyshit, dëshira e të voglës është kaq humane  
22/12/2017 Shpërndaje

I dërgon letër babagjyshit, dëshira e të voglës është kaq humane  

Viti i Ri konsiderohet edhe si festa  e dhuratave. Fëmijët kanë mundësi të shprehin dëshirat e tyre, e të kërkojnë t’u plotësohen ato nga prindërit, miqtë ose babagjyshi. Irisi është 9 vjeç dhe e ka shprehur dëshirën e saj për “Babagjyshin Sekret”. Në letër vogëlushja nuk ka kërkuar asgjë për vete por një pemë për Gerin i cili është 6 vjeç.

9 vjeçarja ka kërkuar që t’i plotësojë një dëshirë Gerit, komshiut dhe mikut të saj më të mirë. Irisi tregon dëshirën e Gerit dhe pak detaje nga jeta e tij. Ai është në klasë të parë dhe prej 6 muajsh jeton me gjyshin dhe babain sepse të ëmën e ka në spital në Tiranë.

Dëshira e Irisit për të lumturuar në këtë festë mikun  e saj të vogël nxjerr në pah humanizëm dhe mirësi. Ajo ka kërkuar që babagjyshi t’i dhurojë një pemë Gerit, sepse nuk e ka një të tillë në shtëpi. Sa herë shkon tek shtëpia e Irisit, siç tregon vogëlushja ai e vëzhgon me kaq dëshirë pemën e stolisur bukur.

“I dashur babagjysh! Jam shumë e lumtur që po të shkruaj. Jam Irisi 9 vjeç dhe po të shkruaj për Geri Çuka. Ai është komshi me mua por edhe shoku im më i mirë. Është 6 vjeç dhe shkon në klasë të parë. Ai ka 6 muaj që jeton me gjyshin dhe babain pasi mami është në spital në Tiranë. Geri sa herë vjen tek shtëpia ime shkon dhe shikon pemën e Vitit të Ri.

Ai nuk ka një pemë. Të lutem babagjysh dhuroji një pemë sado të vogël që ta bësh të lumtur. E kam ëndërr të të takoj njëherë prej vërteti. Të lutem babagjysh eja tek shtëpia e Gerit dhe bëje atë të lumtur me një pemë. Unë të premtoj se do ta ndihmoj gerin të zbukurojë një pema”, shkruan Irisi në letër.

 

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.