A u “lirua” TikTok pa zhurmë? Një analizë për të rinjtë shqiptarë
Në mars 2025, autoritetet shqiptare morën një vendim drastik: bllokimin njëvjeçar të TikTok, me argumentin se aplikacioni ndikonte negativisht te adoleshentët, duke shpërndarë përmbajtje që nxisnin dhunë, varësi dhe modele agresive.
Sipas Reuters, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit urdhëroi ofruesit e internetit të ç’aktivizonin aksesin në IP, DNS dhe domainë të lidhura me TikTok — një nga masat më të forta të ndërmarra ndonjëherë në rajon ndaj një rrjeti social.
Pak muaj më vonë, aksesi në platformë u rikthye, pa asnjë njoftim publik apo sqarim zyrtar. Siç raportoi IntelliNews, përdoruesit shqiptarë nisën ta përdorin sërish aplikacionin, ndërkohë që asnjë institucion nuk dha shpjegim mbi statusin ligjor të vendimit.

Kur rrjetet sociale bëhen arenë dhune
Që prej bllokimit të përkohshëm, raportet zyrtare kanë treguar një rritje të ndjeshme të rasteve të bullizmit dhe gjuhës së urrejtjes online, ku TikTok mbetet platforma më problematike. Sipas raportit kombëtar të CRCA/ECPAT dhe iSIGURT.al, vetëm gjatë vitit 2024 janë raportuar 209 incidente që lidhen drejtpërdrejt me TikTok — më shumë se në çdo rrjet tjetër social. Këto përfshijnë raste të bullizmit, ngacmimit seksual, kërcënimeve dhe shpërndarjes së videove me përmbajtje degraduese ndaj të rinjve, veçanërisht vajzave.
Raportet e mëparshme të iSIGURT.al tregojnë një trend në rritje të përmbajtjeve të dhunshme dhe sfidave ekstreme, të cilat ndonjëherë përfshijnë vetëlëndim ose nxitje për veprime të rrezikshme. Këto forma të dhunës digjitale ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin mendor të adoleshentëve dhe modelimin e reagimeve në jetën reale.
Në nivel rajonal, një analizë nga Balkan Insight dokumenton përdorimin e TikTok për turpërimin publik të vajzave dhe grave — një fenomen i vënë re edhe në Shqipëri, ku videot me komente ofenduese dhe etiketime seksiste përhapen me shpejtësi marramendëse.

Heshtja që rrezikon
Përtej shifrave, problemi më i madh qëndron te mungesa e transparencës. Asnjë institucion publik nuk ka sqaruar pse platforma është sërish e aksesueshme, nëse vendimi është shfuqizuar apo thjesht po anashkalohet. Kjo mungesë qartësie lë të hapur një pyetje të fortë: nëse shteti nuk ka kontroll mbi një rrjet që përdorin qindra mijëra adoleshentë, kush e ka?

Rikthimi i heshtur i TikTok përkon me rritjen e ndjeshme të përmbajtjeve që nxisin përleshje, bullizëm publik dhe modele dhune në videot virale. Ekspertët paralajmërojnë se “bllokimi teknik pa edukim digjital nuk është zgjidhje, por iluzion i përkohshëm”.


Alfabeti digjital
Në një epokë ku rrjetet sociale përcaktojnë mënyrën si komunikojmë, alfabetizimi digjital është mburoja jonë e vetme ndaj manipulimit, dhunës dhe varësisë online. Prindërit, shkollat dhe vetë të rinjtë duhet të mësojnë se si të përdorin internetin në mënyrë të vetëdijshme, të raportojnë përmbajtjet e dhunshme dhe të zhvillojnë mendim kritik mbi algoritmet që nxisin përmbajtje problematike.

© 2025, Pozitivi. All rights reserved.
