Histori frymëzuese, një vend pune shpëtoi 40-vjeçarin
16/02/2019 Shpërndaje

Histori frymëzuese, një vend pune shpëtoi 40-vjeçarin

Artani është një 40 vjeçar, që jeton në qytetin e Elbasanit i vetmuar edhe pse vuan nga skizofrenia. Sëmundja e tij nuk është e lindur, por e fituar rreth 22 viteve më parë. Fëmijërinë e ka kaluar në një familje të dhunshme me të atin të alkoolizuar dhe vetëm të ëmën që përkujdesej. Pas humbjes së saj, Artani u bë viktimë e dhunës së të atit, nga e cila pësoi një traumë të rëndë.

Që nga dita që u diagnostikua me sëmundjen e skizofrenisë, Artani jetoi i vetëm, pa përkujdesje mjekësore dhe me probleme të mëdha në marrjen e medikamenteve. 40 vjeçari vuante nga çrregullime të mëdha, halucinacione e probleme të personalitetit. Pensioni që i jep shteti një personi me aftësi të kufizuar mendore është 9700 lekë të rinj, por në mungesën e kthjelltësisë mendore, askush nuk di të thotë se si i shpenzonte Artani këto të ardhura. Në vitet që jetoi i vetëm, borxhi që i detyrohej shtetit nga mosshlyerja e faturave të dritave dhe ujit ishte mbi 70 mijë lekë të rinj. Kjo e vështirësoi më shumë jetesën e këtij 40 vjeçari, që tashmë rrezikonte të përballej edhe me masa ligjore.

Kjo ishte gjendja e Artanit, deri në momentin që ai u drejtua në një qendër ditore për personat më aftësi të kufizuar në qytetin e Elbasanit. Fillimisht shkonte aty për të marrë vaktin e drekës, derisa punonjësit vunë re se ky djalë kishte një nivel të mirë inteligjence edhe pse vuante nga skizofrenia. Ai di shumë mirë gjuhën italiane dhe ka njohuri të mira në anglisht. Në kohën e shkollës kishte pasur rezultate të mira dhe arrinte të komunikonte përtej aftësisë së kufizuar që ka.

Artani ju nënshtrua një vizitë të re mjekësore, për të ripërcaktuar diagnozën dhe përparimin e sëmundjes. Marrja e ilaçeve sipas një grafiku të përcaktuar nga punonjësit e qendrës sociale Balashe, bëri që 40 vjeçari të kishte më shumë nën kontroll sëmundjen. Ai arriti të menaxhonte më mirë të ardhurat që përftonte nga pensioni dhe sot ka shlyer pjesën më të madhe të borxhit ndaj shtetit. Artani ka një aftësi të mirë në përvetësimin e njohurive, ndaj hapi i dytë me të ishte dhënia e një formimi profesional. Në krye të pesë muajve ai përfundoi kursin për kuzhinier dhe tashmë është në kërkim të një vendi pune. Për shumë arsye është tashmë e provuar se një person me aftësi të kufizuar mund të kryejë shumë mirë një sërë punësh që kërkojnë vëmendje e përqendrim më tepër se intelekt.

Për Artanin kjo është nisja e një jete të re. Edhe pse sërish mbetet pyetja: Ku do të shkojë, pasi mos të ketë mbështetjen e qendrës? Në  rastet e qendrave jo publike, mbështetja e këtyre personave bëhet deri në momentin që qendra grumbullon donacionet e nevojshme për të vijuar punën.

Strategjia

Një nga pikat që është vlerësuar si hallkë që funksionon dobët në vlerësimin e Aftësisë së Kufizuar është trajtimi i PAK vetëm me pagesa në formë ndihme sociale. Strategjia e re 2015-2020 parashikon që këta individë si Artani të përfitojnë pagesa të kombinuara me shërbime rehabilituese, riintegruese, punësim dhe formim profesional. Nëse të gjitha hallkat kryejnë detyrën e tyre atëherë Artani duhej të ishte prej vitesh një person i aftë për punë, nuk do të kishte arritur të ishte debitor ndaj shtetit dhe nëse një punonjës social do ta kishte  mbajtur nën mbikëqyrje jo vetëm duke mundësuar që të merrte kurën mjekësore në rregull prej vitesh por edhe që të pikaste problematikat sociale (si debia ndaj shtetit) që në fillim. E njëjta logjikë shërben për të gjithë personat që kanë aftësi të kufizuara në Qarkun e Elbasanit me 298.913 mijë  banorë.

Në këtë qark vetëm në vitin 2015 janë trajtuar me ndihmë ekonomike 14.848 familje. Në dhjetor 2015 janë trajtuar 9238 persona me aftësi të kufizuar dhe 2093 kujdestarë të tyre si dhe 10.164 invalidë të punës. Elbasani ka 6 qendra shërbimesh sociale për PAK. Në total në Elbasan ka 776 përfitues shërbimesh. Të gjithë ata kanë nevojë për një mënyrë të re qasje të problematikave.

Nëse arrihet zbatimi i strategjisë duke ju ofruar këtyre personave që në vogëli arsimimin bazë e më pas atë profesional sipas tipareve që ka aftësia e tyre e kufizuar Artani dhe shumë prej personave PAK në Elbasan që kanë mundësi riintegrimi, punësimi e formimi profesional nuk do ta kenë më problemin: Ku do të shkojnë, pasi mos të kenë mbështetjen e një qendre?

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.