Kur dielli ndihmon Smart Labs: Roli i paneleve në shkollat e Shkodrës
15/01/2025 Shpërndaje

Kur dielli ndihmon Smart Labs: Roli i paneleve në shkollat e Shkodrës

Me futjen e teknologjisë bashkëkohore në sistemin arsimor, shkollat po shndërrohen në qendra inovative ku nxënësit përfitojnë më shumë nga burimet digjitale. Në veçanti, në Shkodër, shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme si “Tringe Smajli” në Grudë dhe “Nikollë Zogorjani” në Velipojë po përfitojnë nga panelet diellore për të fuqizuar këto zhvillime teknologjike.

“Panelet diellore janë një aset i jashtëzakonshëm për shkollën tonë,” thotë Tush Shehu, Nëndrejtor i shkollës “Tringe Smajli”. “Me energjinë që prodhojnë, mund të mbështesim teknologjinë moderne si regjistri digjital dhe Smart Lab. Kursimet financiare do të përdoren për ndërtimin e fushave sportive dhe për mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta.”

Në të njëjtën linjë, Rozina Stërkaj, drejtoreshë e kësaj shkolle, vlerëson se përdorimi i energjisë së rinovueshme sjell qëndrueshmëri në furnizimin me energji dhe ul kostot: “Panelet diellore na ndihmojnë të plotësojmë kërkesat teknologjike bashkëkohore. Kjo ul varësinë nga rrjeti elektrik dhe krijon kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve dhe projekteve që ndihmojnë nxënësit tanë të ecin përpara.”

Ndikimi direkt te nxënësit

Projekti ka rezultuar veçanërisht i dobishëm për zhvillimin profesional të mësuesve dhe rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Përmes Smart Lab-it dhe mjetet digjitale, nxënësit po përjetojnë një eksperiencë të re mësimi.

“Tani duam që fëmijët të mos jenë të lidhur vetëm me librin, por edhe me ekranin,” thotë Marita Kastrati, mësuese në “Tringe Smajli”. “Smart Labi dhe kompjuterat ndihmojnë në zhvillimin e njohurive të tyre në lëndë si biologjia, matematika dhe artet.”

Nxënësit gjithashtu janë të ndërgjegjësuar për rëndësinë e energjisë së pastër dhe miqësore me mjedisin. Daniela Guri, një nxënëse e kësaj shkolle, shprehet: “Energjia e rinovueshme është shumë miqësore me mjedisin dhe jam shumë e lumtur që janë vendosur panelet diellore në shkollën tonë. Paratë e kursyera duhet të shkojnë në përmirësime të tjera që kanë lidhje me shkollën dhe nxënësit.”

Hapat e radhës për përmirësime

Edhe pse vendosja e paneleve ka qenë një hap i madh përpara, drejtuesit e shkollave theksojnë nevojën për investime të mëtejshme. Shkëlzen Malevia, drejtor i shkollës “Nikollë Zogorjani” në Velipojë, përmend rëndësinë e zhvillimit të laboratorëve të rinj dhe infrastrukturës sportive: “Kursimet nga energjia e rinovueshme do të përdoren për krijimin e laboratorëve dhe fushave sportive, duke përmirësuar ndjeshëm përvojën arsimore të nxënësve tanë.”

Investimet dhe projekti “Sunny School”

Vendosja e paneleve diellore në shkolla është realizuar nga projekti “Sunny School” i mbështetur nga Open Society Foundations – Western Balkans. Përmes këtij projekti është investuar në instalimin e paneleve fotovoltaike, duke u kthyer në burim prodhimi të energjisë së pastër dhe të ardhurash për shkollat dhe komunitetin shkollor.

© 2025, Pozitivi. All rights reserved.