Histori adoptimi! Heronjtë e kafshëve të braktisura dhe Instagrami si një mundësi shpëtimi
24/05/2022 Shpërndaje

Histori adoptimi! Heronjtë e kafshëve të braktisura dhe Instagrami si një mundësi shpëtimi

Fenomeni i braktisjes së kafshëve vazhdon të jetë prezent pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Por kafshëdashësit janë kthyer në heronj për qentë dhe macet që nuk kanë një strehë.

Një mundësi shpëtimi për to është kthyer edhe faqja “Kafshët në Tiranë”. Përmes rrjeteve sociale janë publikuar fotografi të shumë kafshëve të humbura apo të braktisura të cilat më pas janë gjetur e adoptuar. Pozitivi.org ka kontaktuar me disa qytetarë një prej të cilëve është 60 vjeçari Luan Muça që i kishte humbur qeni por e ka gjetur pasi ka publikuar fotografitë në disa faqe Instagrami që bëjnë thirrje për adoptimin e kafshëve. 60 vjeçari tregon për Pozitivin si e gjeti qenin falë ndihmës së qytetarëve.

“E kam gjetur qenin. Qeni më kishte humbur në Kombinat dhe e kam gjetur te Deliorgji. E kisha të humbur prej 3 ditësh. Djalin e kam në Gjermani dhe pasi fola më të në telefon i thashë që jam shqetësuar shumë sepse më ka humbur qeni. Ai e nxorri në disa faqe online në Instagram. Më kanë marrë në telefon 3 veta e kishin gjetur qenin tim dhe më thanë hajde e merre.

Qeni më doli nga dera e shtëpisë. Ne e mbajmë në oborr të shtëpisë dhe s’e leshojmë qenin. Kur më erdhën disa njerëz ne kishin harruar derën pak hapur dhe qeni kishte ikur. Për 3 ditë 20 veta duke kontrollur gjithandej, madje edhe me motorrat e picave dhe s’e gjetëm. E kishin gjetur 2 djem  të rinj dhe u takuam dhe e mora përsëri. Ai që më mori në telefon tha se e kam përjetuar dhe vetë një gjë të tillë. Në 11 të darkës më kanë telefonu. Më kanë marrë 4-5 veta, njëri e kam parë këtu e tjetri atje”.

Luani është një person që i do shumë kafshët dhe kujdeset për to. Ai ka dhjetë vite që e ka këtë qen. “Njëherë tjetër që më ka ikur e kam kapur shpejt”.”Qeni tashmë është bërë si njeri familjeje dhe njerëzit janë më të sensibilizuar”, shton ai.

Klara Pysqyli është 22 vjeç. Prej 2 vitesh mban 2 mace në shtëpi. Duke qenë se i janë shtuar ka vendosur që 2 prej tyre t’i nxjerrë për adoptim.

“Kam nxjerrë për adoptim një maçok dhe një mace pasi më ka lindur macja, kisha shumë por janë adoptuar. Vetëm 2 më kanë mbetur. Kurse në shtëpi do mbaj vetëm 2 mace që i kam prej 2 vitesh. Njerëzit mendoj se i duan më shumë kafshët. Kam vënë re se i adoptojnë shumë shpejt. Edhe te veterineri kur shkoj shikoj që nxjerr shumë kafshë për adoptim, nuk i shet por i nxjerr për adoptim.  Megjithatë ende nëpër rrugët e Tiranës është njëçik ai problemi se kafshët mund të keqtrajtohen. Ka njerëz që i gjuajnë se nuk i duan”, tha Klara,

26 vjeçarja Ina.M ka gjetur shpesh kafshë të braktisura në rrugë. Gjatë një komunikimi me Pozitivi.org ajo tregon se gjithmonë i ka dërguar te veterineri që të kenë mundësi të gjejnë një strehë. Të fundit që ka gjetur janë 2 mace të cilat i ka nxjerrë për adoptim.

“Janë mace një muajshe ato që kam nxjerrë për adoptim. Vetëm mace kam mbajtur. I kam mbajtur prej 4 vitesh. Shpesh më ka ndodhur të gjej kafshë të braktisura në rrugë.  Kafshët që kam gjetur i kam ndimuar duke i kam dërguar te veterineri, u kam bërë edhe analizat. Jam munduar të paguar për ti mbështetur, ka pasur raste që dhe i kam adoptuar. I kam gjetur dhe i kam adoptuar nëpër familje të tjera. Gjëja e parë që kam bërë kur kam gjetur ndonjë kafshë e kam çuar te veterineri nëse ka pasur nevojë. Unë kam adoptuar shumë. E kam bërë sepse kam dëshirë dhe dua që t’i ndihmoj kafshët”.

Ndonëse nga ana e institucioneve nuk ka një regjistër apo statistika përfundimtare në lidhje me kafshët pa strehë apo pronar, në vitet e fundit janë shtuar nismat për mbrojtjen e këtyre kafshëve.

Fushata ndërgjegjësuese që Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit zhvilloi gjatë muajit Prill mbi kujdesin ndaj katërputroshëve, ra në sy edhe të një vogëlusheje tepër speciale, ajo e familjes Barmashi.  Pas aktivitetit të veterinerëve me fëmijët e kopshtit jo publik “Buçko”, pranë Qendrës në zonën e ish-Kombinatit, vajzës 5 vjeçare i mbeti në mendje një nga qenushët e vegjël, i cili shfaqej në foto teksa ushqehej. Vogëlushja përfitoi nga fakti që familja e saj është banore rezidente në zonën ku ndodhet Qendra jonë Veterinare, ndaj e pati të lehtë të bindte babain e saj, Miklovanin për të parë nga afër qenushin e pagëzuar me emrin “Topi”. Dashuri me shikim të parë qe ajo e Topit me vogëlushen, e cila tashmë e ka adoptuar qenushin duke sjellë gëzim në familjen e tyre, por me siguri edhe në zemrën e katërputroshit të vogël.

Gjatë një kontakti me Pozitivi.org Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit na ka treguar një tjetër rast se si ka gjetur strehë një qenush për të cilin banorët ankoheshin. Edhe pse i trajtuar më herët nga mjekët veterinerë qenushi nuk pranohej nga komuniteti i banorëve të zonës së Astirit. Qenushi e gjeti familjen e tij, pasi Azbiela Meta  një prej kafshëdashëseve dhe vullnetareve të qytetit vendosi ta adoptojë atë, duke plotësuar rregullat e mirëpërcaktura nga ne.

Nëse dëshiron t’i shpëtosh jetën një kafshe mjafton pak mund. Mafalda Asllanit, 20 vjeç nga qyteti i Durrësit, ishte informuar nga rrjetet sociale për mundësinë e adoptimit të katërputroshëve të braktisur. Edhe pse me banim në Durrës, ajo aplikoi online në faqen e agjencisë adhe më pas u ftua në Tiranë dhe ajo zgjodhi një qen të racës “sharr”,  i cili sipas veterinerëve  ishte i braktisur.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.