Gratë “marrin në dorë” ekonominë e fshatit
12/02/2019 Shpërndaje

Gratë “marrin në dorë” ekonominë e fshatit

Çfarë mund të bëjë një nënë e divorcuar me dy fëmijë, e papunë, në një fshat jugor të Shqipërisë? Kjo pyetje e mundonte çdo ditë Miranda Xhamën, një 40 vjeçare nga Orikumi i Vlorës. Kishte provuar t`ja dilte mbanë për të rritur dy fëmijët e saj, duke bërë çdo punë që mundte. Por të gjesh një punë në fshat deri diku quhet luks. Aq më tepër që nuk kishte asnjë mbështetje nga pushteti vendor, duke qenë një kryefamiljare e vetme. Ndaj çdo natë deri në 02.00 apo 03.00 të mëngjesit, pasi vinte në gjumë fëmijët e saj, Miranda bënte punë dore. Thurrte triko e zbukurime me shtiza, një punë që perveç lodhjes nuk i jepte fitimet e nevojshme për të mbajtur e vetme fëmijët e saj. Ndaj biseda me një mikeshë fëmijërie, i ndezi Mirandës një dritë jeshile për të marrë një zanat. Qendra Auleda në Vlorë, po organizonte një trajnim për prodhimin e produkteve me bazë vajin e ullirit bio. Për pesë muaj me rradhë tetë gra nga Orikumi dhe Dukati, në një ambjent të bashkisë së Vlorës ndoqën kursin që do t`u jepte atyre njohuritë për të bërë këto produkte. Vështirësia për gratë e Dukatit ishte edhe më madhe. Fshati ndodhej larg dhe ato duke qenë shtëpiake gjithë jeten, nuk kishin dalë përtej zonës ku jetonin.

Megjithatë fakti se mund të merrnin një zanat e të punonin të pavarura për të nxjerrë fitime, i shtyu drejt fundit të kursit. Me mbarimin e tij Miranda dhe tre gra te tjera, u mblodhën së bashku në një dhomë që ua ofroi një nga grate e fshatit, duke e kthyer atë në minipunishte artizanale. Nuk duhej shumë si fillim. Ashtu si edhe gjatë trajnimit lendën e parë, vajin e ullirit dhe bimet si sherebela, rozmarina, kamomilin apo dafinën i siguruan vet. Diku të mbjella në oborr, sherebelën të mbledhur në kodrat pranë dhe vajin e ullirit të blerë në një nga familjet e zonës. Produktet bio janë edhe sekreti i recetave që këto gra përdorin. Me kalimin e kohës, e zgjeruan gamën e produkteve të tyre. Nisën të shfrytezonin llumin e kafesë për prodhimin e një kremi pastrues për lëkurën. Lënda e parë gjendet lehtësisht në lokalet e zonës, qe perdorin makineritë ekspres për të përgatitur kafen. Dylli i bletës u shërben për të prodhuar një set përkujdesi të tërë për lëkurën, e kështu me rradhë. Recetë pas recetë, sot gratë arrijnë të prodhojnë mbi 20 lloje të ndryshme produktesh. Por sigurisht puna eci deri këtu me këmbënguljen e këtyre ish shtëpiakeve, për t`ju treguar të tjerëve se mund të bëjnë diçka edhe vet.

Gjithashtu kjo eksperience po ju vlen për t`ju rikthyer besimin tek vetja se mund të sigurojnë të ardhurat për familjet pa mbështetjen e askujt. Mobilizimi i tyre shkoi deri në këtë pikë, por duke vuajtur problemin më të madh qe kanë në përgjithësi sipërmarrje të vogla të ketij lloji: mungesën e një tregu të sigurt për të shitur produktet e tyre. Deri tani shitja është bërë me pjesëmarrje në panaire ose ne familje përqark zonës ku ato banojnë. Miranda beson fort, se ajo dhe gratë e tjera kanë mundësi të promovojnë veten, punën dhe zonën nga vijnë nëse do të kishin një mbështetje më të madhe të pushtetit vendor. Sot ato janë vetëm 8 në Orikum dhe Dukat. Por nesër mund të kenë një punishte të tyren, ku të japin zanatin e të punësojnë të tjera shtëpiake vlonjate.

Strategjia

Miranda Xhama e ka shtruar rrugën e një zgjidhje të mundshme për gratë në nevojë si ajo vetë, duke dhënë shembullin personal. Tani janë autoritetet vendore ato që duhet të rrisin kapacitetet për të ofruar shërbime që adresojnë nevojat specifike dhe interes të grave dhe të burrave në komunitet, duke shpresuar për më shumë zhvillime ekonomike, me plane zhvillimi dhe alokim të burimeve.

Shoqatat që mbështesin gra në nevojë si ky rast sic është Qendra Auleda apo Qendra Aulona në Vlorë, degë e QSHPZH kërkojnë që  të promovohet zëri i të varfërve dhe qytetarëve të nënperfaqesuar, veçanerisht grave, me qëllim që të rritet transparenca e pushtetit vendor, përgjegjshmëria dhe reagimi ndaj qytetarëv si dhe të rritet angazhimi i të gjithë aktorëve veçanërisht grupeve të grave, OJQ-ve dhe partive politike për të vendosur bashkëpunim të vazhdueshëm midis tyre dhe për të ndikuar axhendat politike dhe vendimet e pushtetit vendor në favor të qytetarëve dhe për të mobilizuar qytetarët veçanerisht gratë si votuese në zgjedhjet lokale dhe kombëtare.

Megjithatë nuk është e lehtë që politikat qendrore të kenë impact deri te familjet dhe kryesisht gratë e zonave rurale, veçanërisht në një realitet si I Shqipërisë ku shifrat tregojnë se gratë janë më shumë të angazhuara në punët reale në fshat ndonëse pronësinë e fermave në realitet e mbajnë burrat. Një studim I UN Ëoman tregon se gratë janë më të angazhuara në aktivitetet e fermës (32% në krahasim me 22% të burrave, dhe kryejnë pjesën më të madhe të aktiviteteve të rëndësishme bujqësore dhe blegtorale. Gjatë studimit “Situata e gruas dhe diversifikimi ekonomik në zonat rurale”, evidentohet pabarazia gjinorene zonat rurale. Oganizata “Partnerë në Zgjidhje dhe Zhvillim”, e cila ka realizuar studimin, bëri një panoramë të gjetjeve kryesore të studimit duke evidentuar se gratë janë më të izoluara dhe kryejnë pjesën më të madhe të punëve në ngastra apo në shtëpi, ndërsa burrat janë më të prirur për të menaxhuar aktivetet që lëvrojnë paranë dhe të angazhohen në marrëdhënie me tregtarët dhe palët e treta.

Studimi nxjerr në pah një pjesëmarrje shumë të ulët të grave dhe vajzave në tregun e punës dhe programet e trajnimit, kjo për shkak të kohës së papërshtatshme, distancës dhe mënyrës se si organizohen programet e trajnimit. Gjithashtu gratë në zonat rurale kanë akses të ulët ndaj mbështetjes financiare të shtetit ose nga donatorët. Shifrat zyrtare tregojnë se numri i grave përfituese është 5 herë më i ulët se burrat. Sipas studimit mungesa e rrjeteve dhe advokimit të grupeve të grave dhe zotërimi i kanaleve të infromacionit nga burrat kanë ulur aksesin e grave ndaj mbështetjes financiare. Studimi rekomandon se nevojitet zgjerim i shërbimeve të posaçme si mbështetje financiare, këshillim ligjor dhe rritje kapacitetesh sipërmarrëse për të arritur fuqizim ekonomik të grave dhe lehtësim i pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje duke i përfshirë ato si fermere e jo si “gra të fermerëve”. Ndërsa proceset me pjesëmarrje janë të nevojshme për të krijuar antena sociale për të përçuar informacionin tek gratë dhe vajzat në nivel lokal. Sipas të njëjtit studim  rreth 93% e fermave bujqësore drejtohen nga burrat dhe 7 % e tyre drejtohen nga gratë.

Ky fenomen merr përmasa më të dukshme në zonat rurale por fakt pasqyron realiteitn e grave në të Shqipërinë.  Janë të pakta gratë që kanë arritur një sukses të dukshëm në realitetin maskilist shqiptar, kjo pasi jo vetëm tek ne por edhe më gjerë, femrat janë në luftë për më shumë barazik në pushtet. Në Shqipëri, nga 106 mijë biznese që funksionojnë në vend, 25,7 % zotërohen nga femrat. Shoqata e Grave Afariste që ka kryer një studim lidhur me vlerësimin e mjedisit për sipërmarrjen femërore në Shqipëri. Ndër gjetjet e këtij raporti rezulton se në vendin tonë nuk ka asnjë politikë favorizuese ndaj femrave në ekonomi.  Sipas kësaj Shoqate ka një strategji për zhviullimin e biznesit por nuk ka një plan veprimi vetëm për sipërmarrjen femërore. Ndoshta ka ardhur koha të nisë nga këtu ndryshimi?

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.