Bob Dylan dhe magjia e Krishtlindjeve – album për zemra dhe bamirësi
24/12/2025 Shpërndaje

Bob Dylan dhe magjia e Krishtlindjeve – album për zemra dhe bamirësi

Nga Mahir Elshani

Gati se nuk ka krijues ose interpretues që në karrierën e tyre nuk kanë kënduar ose realizuar ndonjë këngë tradicionale të festave të Krishtlindjeve. Por, deri më 2009, pak kujt do t’i shkonte në mendje se edhe një kantautor i rangut të Bob Dylan do të realizonte një projekt të tillë — pra, jo vetëm një këngë ose një set këngësh, por një album të tërë. Kur u dëgjua për projektin e Krishtlindjeve të Dylan-it, shumë kritikë muzikorë dhe fansa të tij menduan se ishte shaka.

Por, para së gjithash, albumi “Christmas in the Heart” nuk ishte thjesht albumi i radhës i Bob Dylan-it. Ishte një projekt bamirësie. Dylan dhe muzikantët nuk morën asnjë përfitim nga shitja dhe përfitimet e tjera të albumit. Albumi nuk përfshin asnjë këngë origjinale të Dylan-it; të gjitha janë interpretime të tij të këngëve tradicionale të Krishtlindjeve, himneve festive dhe këngëve të njohura të Krishtlindjeve. Pesëmbëdhjetë këngët janë zgjedhur kryesisht nga tradita amerikane e Krishtlindjeve dhe përfshijnë këngë si “Here Comes Santa Claus”, “Winter Wonderland” dhe “Have Yourself a Merry Little Christmas”.

Prandaj, ky nuk është një album për fansat e Dylan-it, për të cilët këngët e Krishtlindjeve nuk janë ndër më të preferuarat në përgjithësi. Albumi është padyshim i synuar për publikun e gjerë. E gjithë ideja është të shiten albume, të gjenerohen të ardhura dhe t’u sigurohen njerëzve të varfër ushqim falas gjatë Krishtlindjeve.

Ky është një fakt i rëndësishëm për t’u mbajtur mend kur dëgjohet ky album. Të gjitha të ardhurat e Dylan nga shitja e këtij albumi shkojnë në dobi të organizatave bamirëse Feeding America në SHBA, Crisis në Mbretërinë e Bashkuar dhe World Food Programme.

Dylan ka thënë se, megjithëse lindi dhe u rrit si hebre, ai kurrë nuk u ndje i përjashtuar nga Krishtlindjet gjatë fëmijërisë së tij në Minesota.

Albumi menjëherë shkoi në vendin e parë në listën e albumeve të festave të Billboard, në vendin e 5-të në listën e albumeve folk, në vendin e 10-të në listën e albumeve rock dhe në vendin e 23-të në listën e përgjithshme të albumeve. Ashtu si me shumicën e prodhimeve të shekullit të 21-të të Dylan, ai ishte vetë producent nën pseudonimin Jack Frost.

Ishte koha kur Dylan ishte pak më i relaksuar. Duket se më në fund kishte ndaluar së luftuari me legjendën e tij. Albumet e tij të asaj periudhe ekspozonin humorin, ironinë dhe ishin më të gjalla se kurrë. Ishte sikur Dylan kishte filluar të mendonte se jeta nuk është edhe aq serioze në fund të fundit. Ato vite frymëzimi i Dylan-it nga këngët tradicionale të blues-it, xhazit dhe muzikës nga vitet 1920 deri në 1940 ishte i dukshëm. Kjo manifestohet në albumin “Love & Theft” të vitit 2001 dhe është gjithashtu i pranishëm në “Modern Times” të vitit 2006, si dhe në albumin e tij blues të vitit 2009, “Together Through Life”.

Albumi i Krishtlindjeve i Bob Dylan-it ishte në një farë mënyre i frymëzuar nga e njëjta traditë. Dylan thjesht ka realizuar një album Krishtlindjesh besnik ndaj një trashëgimie muzikore nga vitet ’40 dhe ’50.

Arranzhimet e korit krijojnë ambient festive. Në fakt, kurrë më parë veprat e Dylan-it nuk janë shoqëruar me atë lloj kori. Ai nuk përpiqet t’i konvertojë ato në këngë të Dylan-it. Ai thjesht këndon dhe i aranzhon ato në një mënyrë unike. Dylan këndon bukur dhe është i sinqertë në to. Zëri i tij i ndryshkur, i mbushur me patinë dhe përvojë, krijon një kontrast shumë interesant me aranzhimet, të cilat në shumë mënyra janë të njohura, por zëri i tij i jep këngëve një ndjesi të re.

Që nga akordet hapëse është e qartë se Dylan ka zgjedhur të riprodhojë estetikën e lehtë për t’u dëgjuar të viteve dyzet dhe pesëdhjetë, me detaje të dashura—nga vokalet mbështetëse engjëllore, të ëmbla e të sëmura, deri te kopertinat e kutive me çokollatë. Këto janë aranzhime të përsosura, kryesisht të klasikëve të përjetshëm nga libri amerikan i këngëve. Vokalet e tij janë ndër më të ngjirurat që ai është zotuar të incizojë deri më tani.

Ai mezi arrin t’i këndojë shumë prej këtyre këngëve; zëri i tij thyhet sa herë kalon më shumë se një gjysmë hapi. Por, Dylan-it nuk i intereson — ai këndon më tutje, me shaka në “Here Comes Santa Claus”, solemnisht në “Adeste Fidelis” dhe me gëzim në “Must Be Santa”.

“Në Hark the Herald Angels Sing” ai tingëllon si një i dehur sentimental, ndërsa hyrja latine e O Come All Ye Faithful (Adeste Fideles) është shumë e çuditshme edhe për vetë Dylan-in. Megjithatë, asgjë nga këto nuk duket të ketë rëndësi. Edhe kur është e tmerrshme, është çuditërisht e këndshme. Të dëgjosh mënyrën se si Dylan e shtrembëron fjalën “Christ”, më vonë në “O Come All Ye Faithful”, është e çuditshme, por tmerrësisht brilante.

Albumi ka disa kënaqësi të vërteta. “Must Be Santa” është një shaka e këndshme, ndërsa ndjesia e kitarës havaiane e “Christmas Island” është një kënaqësi e çmendur. Për më tepër, “Silver Bells”, “The Christmas Song” dhe “I’ll Be Home for Christmas” arrijnë të jenë vërtet prekëse, me vokalin e Dylan-it thellësisht të përzemërt.

Duke qenë se atë vit, pra më 2009, ky album ishte albumi i dytë i realizuar nga Dylan-i, fansat nuk e vërejtën mungesën e materialit të ri. Ishte një dhuratë bamirësie e përkohshme, një pjesë e re, një eksperiment argëtues. Ishte dhurata e Krishtlindjeve e Bob Dylan-it për të gjithë, madje edhe për ata që nuk janë fansa të tij. Është një thënie e vjetër se askush nuk e këndon Dylanin si Dylani, as ai vetë. Edhe ky album nuk është diçka që dikush merr guximin ta bëjë, një album me këngë festash në mënyrën si e ka bërë ai; dhe me shumë gjasa as ai vetë nuk do ta bënte për herë të dytë. Por albumi është këtu dhe ia vlen të kënaqemi me të, të paktën një herë në vit.

Ndërsa fillimisht vendimi i papritur i Bob Dylan-it për të realizuar një album Krishtlindjesh u prit me skepticizëm dhe pati kritika negative, me kalimin e kohës projekti u vlerësua nga kritikët për sjelljen e një fryme të re në këto këngë klasike. Në vitin 2020, Rolling Stone e vendosi “Must Be Santa” në vendin e 24-të në listën e këngëve më të mira të Dylan-it të shekullit XXI. Revista The Big Issue e renditi të njëjtën këngë në vendin e 65-të në listën “80 këngët më të mira të Bob Dylan-it – që nuk janë hitet e mëdha”. Ishte e vetmja këngë e përfshirë nga Christmas in the Heart, dhe artikulli që shoqëronte listën e shpalli atë si “albumi më i mirë i Krishtlindjeve ndonjëherë!”.

Versioni i këngës nga Dylan ka rezultuar, gjithashtu, me ndikim te artistë të tjerë, si She & Him në vitin 2016, ashtu edhe Kurt Vile në vitin 2022, e kanë interpretuar këngën në versione të frymëzuara drejtpërdrejt nga ai i Dylan-it.

Stereogum, një revistë e muzikës në internet, publikoi një artikull që përkoi me 80-vjetorin e lindjes së Dylan-it, më 24 maj 2021, në të cilin 80 muzikantëve iu kërkua të emëronin këngën e tyre të preferuar të Dylan-it. Dara Kiely i grupit Girl Band zgjodhi këngën “Hark the Herald Angels Sing” nga albumi Christmas in the Heart, duke vënë në dukje: “Është e sinqertë, por edhe argëtuese; serioze, por edhe e gëzueshme. Zëri i tij ka kuptim, dhe ai prapë e mendon çdo fjalë që këndon.”

Këngëtari dhe kantautori Elliott Murphy përmendi interpretimin e Dylan-it të këngës “Here Comes Santa Claus” në këtë album si një nga 10 këngët e tij më të mira të shekullit XXI në një artikull për revistën Poetic Justice. Regjisori australian Nash Edgerton realizoi videoklipin zyrtar për këngën “Must Be Santa”, i cili u publikua më 16 nëntor 2009 dhe u përshkrua si “i çmendur” nga shtypi asokohe. Videoja paraqet Dylan-in dhe disa festues duke sinkronizuar këngën në një festë të zhurmshme Krishtlindjesh në shtëpi. Konti Smokula (një personazh komik fiksional) shfaqet papritur si fizarmonikist, duke imituar pjesën e fizarmonikës së këngës. Një nga të ftuarit nxit një sherr dhe largohet nga festa duke kërcyer nga dritarja e dhomës së ndenjes.

Në skenën përmbyllëse, Dylan dhe Babagjyshi qëndrojnë së bashku në verandën e përparme duke parë largimin e turmës. Deri në Krishtlindjet e vitit 2024, videoja ishte parë mbi 8 milionë herë në YouTube, dukshëm më shumë se versionet e tjera të njohura të këngës.

“Must Be Santa” u publikua gjithashtu si një kartolinë elektronike me videoklip dhe si këngë single, ku në anën B gjendet një regjistrim i Dylan-it duke lexuar ’Twas the Night Before Christmas’, që u transmetua për herë të parë në Theme Time Radio Hour.

Videoklipi i dytë muzikor nga albumi ishte “The Little Drummer Boy”, publikuar më 9 dhjetor 2009. I drejtuar nga regjisori Jeff Scher, videoja përmban imazhe nga filma klasikë dhe filma shtëpiakë që janë rotoskopuar me ngjyra uji dhe lapsa me ngjyra, për të treguar një version modern të historisë së Lindjes së Jezusit sipas tekstit të këngës. Videoja u shfaq premierë në Amazon si pjesë e promovimit të kompanisë “12 Days of Christmas”, me faqen që lidhej drejtpërdrejt me Feeding America, një nga organizatat bamirëse që përfitonte nga të ardhurat e “Christmas in the Heart”.

Dylan publikoi një deklaratë në Amazon së bashku me videon, duke thënë:

Gëzuar festat, miq. Meqenëse ky sezon ka të bëjë tërësisht me dhënien, do të doja të ndaloja një moment dhe të përmendja njerëzit e mirë të Feeding America. Ata ofrojnë vakte për mbi 25 milionë amerikanë të uritur çdo vit. Nëse keni një moment, mund të bashkoheni me mua për të kontribuar në këtë bamirësi të denjë.

Feeding America” mori të ardhurat nga shitjet e albumit në SHBA, ndërsa dy organizata të tjera bamirëse, Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara dhe “Crisis” në Mbretërinë e Bashkuar, morën të ardhura nga shitjet jashtë SHBA-së.

Gëzuar Krishtlindjet!

Credits: Katror.info

© 2025, Pozitivi. All rights reserved.