Gazetarja amerikane lë Teksasin për Kosovën
Lindsay Keeling është një vajzë nga Teksasi, e cila ka vendosur të lërë Amerikën për Kosovën. Pasioni për kultura të reja dhe dëshira për të udhëtuar e për të jetuar në shtete të ndryshme e bëri atë të zgjedhë programin e grupit “Peace Corps”.
Përmes këtij programi ajo po i realizon të gjitha dëshirat. “Peace Corps” e dërgoi Lindsa-in tek një familje me katër anëtarë në Kamenicë për tre muajt në vijim. Tani punon si mësuese, por ky nuk është profesioni i vetëm që ajo e ka bërë. Në Teksas ka punuar si gazetare në një gazetë lokale të Teksasit, asistente administrative në Departamentin e Arsimit dhe në Akademinë e Policisë, si dhe në një fabrikë birre.
Tani gazetarja nga Teksasi është banorja më e re e fshatit Pouskë të Prizrenit. Aty ajo do të qëndrojë gjatë dy viteve të ardhshme bashkë me një familje boshnjake.
Vendi ku po qëndron i duket mjaft interesant. Tanimë është mësuese në fshatin e vogël boshnjak, të vendosur në thellësitë e një mali te lartë, nga i cili shihet pamja e mahnitshme e Prizrenit dhe që ka jo shumë se 50 shtëpi. Lindsay ecën pothuajse çdo ditë për të shkuar në shkollën e vogël të fshatit, në të cilën jep mësim në gjuhën angleze.
Tanimë Lindsay e ka kaluar pothuajse një vit në Kosovë. I kanë mbetur edhe dy të tjerë deri në ditën kur do të kthehet sërish në Teksas për të treguar gjithçka fitoi në këtë eksperiencë 3 vjeçare.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
