
Festë, dhurata e protestë apo mirënjohje, nostalgji e lule për mësuesit tanë?
Thirrje për protestë… mësuesve iu nevojiten paga më të larta. Në fund të fundit janë ata që kanë në dorë të edukojnë brezat e ardhshëm. T’iu mësojnë ABC-në apo të nxjerrin mjekë, pedagogë e çdo profesion në së ardhmes me të cilin lidhet përditshmëria jonë, jeta jonë.
Sot është 7 Marsi dhe reagimet janë të ndryshme.
Përveç thirrjeve për të mos lejuar dhurata, lule apo nëpërkëmbje të figurës së mësueses/mësuesit, si çdo ditë apo festë edhe kjo i ka reagimet shumë të kundërta. Ndonjëherë krijon edhe ndjesinë se asnjë datë apo festë zyrtare nuk mund ta festojmë në Shqipëri pa u nxitur në mendimin apo debatin: A ia vlen? Pra dilema nëse duhet të gëzojmë protestojmë apo të denoncojmë.
Ky artikull përmbledh disa reagime nga ato që të zbusin zemrën kur kupton që ka ende vlera sidomos te brezat e mëparshëm… por edhe krejtësisht të kundërtën.
Lori Duro, që drejton kopshtin Buzëqumësht shkruan:
Edukimi është mision! Tregojuni fëmijëve rrugëtimin që kanë bërë mësuesit për të mbrojtur shkollën shqipe!

Por gazetarja Irena Shabani është mjaftuar me një foto të vegjëlisë. Shumëkujt që është brezia i saj i kujton të njëjtën gjë: Kohët kur zgjoheshe me shumë dëshirë në 7 Mars, vishje çorapet e bardha dhe vrapoje të përqafoje mësuesin/mësuesen për ti dhënë lulet e zgjedhura ose të mbledhura me aq shumë dashuri.

Por sot edhe lulet kanë kosto. Ndoshta kjo është një nga arësyet përse pedagogu Artan Fuga reagon kaq ashpër në postimin e tij që në thelb është thirrje për denoncim:
E them çdo 7 mars,
Mësues sidomos mësuese, urime për festën e shkollës. Nuk është festa vetëm e mësuesit, por edhe e nxënësve, prindërve. Mos merrni dhurata materiale, mos i pranoni, kthejini mbrapsht me ëmbëlsi, mos shkatërroni jo vetëm nderin tuaj profesional, por edhe figurën e mësuesit.
Bëjuni dhurata nxënësve sot, mos merrni, mos plaçkisni familjet!
Unë sot botoj çdo foto ku paraqiten mësues me torbat e qese dhuratash të ndyra!
M’i dergoni!

Nga ana tjetër Eduart Halimi zgjedh të kujtojë një nga një 7 mësuesit që kanë shënuar jetën e tij:
Kjo ditë është himn për mësuesit tanë të cilët ndikojnë në jetët tona dhe unë dua t’ia dedikoj këtë 7 mars, 7 prej mësuesve më të veçantë në jetën time!

Ndoshta në mendje mbetin më shumë postime të thjeshta si ai i gazetarëve Mina Hysa :
Sot veçanërisht do të uroja mësuesen time të parë Fatime (Skana) Çera e cila mbush 40 vite mësimdhënie dhe pas këtij viti shkollor del në pension! Urimet më të mira mësuese dhe respekte për sakrificat dhe mundin në edukimin e brezave ndër vite prej 4 dekadash! Mirënjohje dhe respekt per çdo mesues dhe profesor timin që ka dhënë më të mirën nga vetja për ne. Gezuar!

Njësoj prek edhe Ermal Dizdari me thjeshtësinë e postimit të tij.
Këtë 7 Mars, kujtimet e mia shkojnë për mësues Shazin. Një burrë trupvogël, imcak, por që në sytë e mi (besoj edhe të shokëve të klasës) ishte një kolos për dijen, edukatën dhe zotnillëkun që na përçonte. Shazivar Mlika kam bindjen se është mishërimi i plotë i shprehjes “thjeshtësia është shkalla më e lartë e perfeksionit”. Nëse ekziston një rregullore, që përcakton kornizën e standarteve që duhet të ketë një arsimtar, mjafton t’i referohesh modelit të mësues Shazit dhe do të ishim në rregull për të gjithë brezat e ardhshëm. Me mësues Shazin nuk qëndruam shumë, klasën e 3-të dhe 4-të. Por megjithë kohën e shkurtër, përkushtimi dhe disiplina e tij, mjaftuan për të qenë i ngulitur thellë në memorien time.

Ndërsa Ida Nurçe shkon përtej në falenderimet e saj…
Mirënjohëse për çdo njeri në jetën time që më ka mësuar diçka!
Mirënjohëse mamit tim, që e palodhur ka qene për ne e për shumë breza, nënë, edukatore dhe mësuese!
Mirënjohëse për mësuesit e mi!
Mirënjohëse për pedagogët e mi, ata që më kanë mbështetur dhe ata që janë munduar të më presin hovin, sidomos këtyre të dytëve se më kanë nxitur të jap më shumë nga vetja që t’ju provoja se e kishin gabim!
Mirënjohëse pafund babait tim, edhe pse jo mësues, ka qenë mësuesi më i mirë për mësimet “si të jesh njeri”!
Mirënjohëse dhe atyre që më mësuan se “si nuk dua të jem”!
Mirënjohëse atyre që më mësuan dashurinë dhe atyre se si nuk duhet të duash!
Gëzuar njerëz mësimesh, që kontribuuat në atë që unë jam sot! Dhe faleminderit! Pa ju JETA nuk do ishte JETË!
© 2023, Pozitivi. All rights reserved.