Festa e Bajramit të Vogël simbol shprese: Domethënia e kurbanit
Ditën e sotme mijëra besimtarë muslimanë në të gjithë botën festojnë festën e Kurban Bajramit. Në Shqipëri qindra besimtarë janë mbledhur në orën 06:50 të mëngjesit për të falur Namazin në sheshin “Skënderbej”. Po kështu dhjetëra e qindra besimtarë të tjerë kanë festuar në sheshet e çdo qyteti të vendit. Mesazhi dhe simboli i kësaj feste është solidarizimi me njerëzit në nevojë dhe sakrifica në emër të zotit.
Përpara faljes së Namazit mëngjesin e sotëm në seshin “Skënderbej” kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, zhvilloi një ceremoni përshëndetjeje, e urimi me lexim të një pjese nga Kurani, duke shpjeguar simbolin e kësaj feste.
“Në një ditë të tillë festë në të cilën atmosfera shpirtërore ndihet anembanë, dua t’ju përcjell urimet më të mira, qofshi të gëzuar e në paqe me të gjithë të dashurit e zemrës. Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, sinqeritetit dhe dorëzimit të plotë tek Allahu i lartësuar. Besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban e duke u solidarizuar me fqinjët dhe njerëzit në nevojë.
Në këtë ditë feste e gëzimi të kurban Bajramit u bëj thirrje të gjithë besimtarëve vullnetmirë që të bëhemi falënderues për të gjitha mirësitë dhe begatitë qe i kemi dhuratë nga krijuesi ynë, dhe të tregohemi bujarë duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë, me jetimët dhe me të gjithë ata që presin përkujdesin dhe vëmendjen tonë.
Të jemi më mëshirues e tolerant, duke respektuar njeri-tjetrin dhe të lutemi që ditët e festës të vazhdojnë pa reshtur për të gjithë njerëzimin mbarë. Le të lutemi e të festojmë të bashkuar dhe të flasim vetëm një gjuhë, atë të dashurisë, falënderimit dhe ndihmës reciproke me synimin e fitimit te kënaqësisë së Zotit,” tha ndër të tjera Bruçaj.
Kurban Bajrami, festa islame gjatë së cilës flijohet një kafshë në emër të Zotit. Kjo festë ka të bëjë me sakrificën që bëhet në emër të profetit të muslimanëve, Ibrahim. Kjo sakrificë është prerja e një kafshe (dele, qengj ose cjap) si kurban. Pas sakrificës së kafshës, sipas Kuran-it, mishi duhet të ndahet në tri pjesë: Një pjesë për të varfrit, një pjesë për të afërmit dhe fqinjët dhe pjesa e fundit për familjen.
Kurban Bajrami është festa e dytë e këtij viti në kalendarin islam. Pas faljes së Namazit në mëngjes rituali vazhdon me prerjen e kurbanit, vizitat dhe urimet më të afërmit, e më pas me shpërndarjen e kurbanit tek personat në nevojë. Kjo festë përcjell tek besimtarët mesazhin për t’u bërë sa më bujarë duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë, me jetimët dhe me të gjithë ata që presin përkujdesin dhe vëmendjen tonë.
Kurban Bajrami sipas Kuranit:
Para shumë shekujsh një profeti Ibrahim, luste Allahun, Krijuesin e tij, që t’i dhuronte një fëmijë: “Zoti im, më dhuro (një fëmijë) prej të mirëve!” (Kur’an, Safat: 100)
Nga dëshira për të pasur një trashgimtar kalonte një pjesë të madhe të kohës duke u lutur… Pasi kaluan shumë kohë dëshira nuk u plotësua dhe e shoqja e profetiti i dha leje që të martohet me shërbyesen për të pasur një trashëgimtar… Ibrahimi u martua dhe më pas Zoti i dhuroi një fëmijë të urtë e të sjellshëm: “Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm)”(Safat 101)
Po në këtë kohë Ibrahimi u bë dhe me një tjetër djalë, këtë herë me Sarën, bashkëshorten e parë. Kur Ismaili, djali i parë i profetit Ibrahim arriti moshën për t’u angazhuar në punë, babai i tij kishte parë një endërr ku urdhërohej të bënte kurban Ismailin.
“Dhe kur arriti ai (Ismaili) që së bashku me të (Ibrahimin) të angazhohej në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të flijoj. Shiko pra, çka mendon ti?” Ai tha: “O babai im, kryeje atë që urdhërohesh, e do të më gjesh, nëse do Allahu, prej durimtarëve!” (Safat 102) U sprovuan që të dy baba e bir për durimin; Ismaili u tregua shumë i butë ashtu si e përshkroi vetë Allahu në Kur’an.
“Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm)”.
“E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe ai e përmbysi atë në fytyrë (në ballë)”.
“Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim!”.
“Ti tani e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët!”.
“Vërtetë, kjo është sprovë e qartë”.
“Ne e shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm”.
“Dhe ndaj tij lamë përkujtim të mirë ndër popujt e ardhshëm”.
Hazreti Ibrahimi e ofroi për kurban Ismailin e tij, ne e dimë shumë mirë se Krijuesi ynë nuk dëshiron t’i bëjmë kurban ndokënd e as ndonjë berr, por ajo çka Ai dëshiron nga ne është sinqeriteti.
Vetë Allahu i dërgoi dashin Hazreti Ibrahimit, që ta bënte kurban dhe në Kur’an Allahu thotët:
“Ne e shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm.”
“Dhe ndaj tij lamë përkujtim të mirë ndër popujt e ardhshëm”.
Sprovën e kaloi Hazreti Ibrahimi por për të gjithë ne u la përkujtim që të marrim mësim, e ky nuk është asgjë tjetër vetëm se mësimi i kur’ban bajramit, i dashurisë që tregon Allahu ndaj krijesave të Tij, dhe mësimi që Allahu dëshiron të japë për gjithë njerëzinë se sa Bujar dhe Mëshirues është Ai.
Pra kurban Bajrami është festa e mposhtjes së egos sonë, mposhtja e nefsit që gjithmonë kërkon të jetë para.

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.
