FËMIJA ËSHTË NJERI DHE PASTAJ I VOGËL! LORI DURO, IDEATORJA E “BUZËQUMËSHT”, JEP KËSHILLA TË VYERA PËR RRITJEN E FËMIJËVE. PAK PUNË E MIRE SOT, PËR TË RRITURIN E SUKSESSHËM TË SË NESËRMES.
28/12/2022 Shpërndaje

FËMIJA ËSHTË NJERI DHE PASTAJ I VOGËL! LORI DURO, IDEATORJA E “BUZËQUMËSHT”, JEP KËSHILLA TË VYERA PËR RRITJEN E FËMIJËVE. PAK PUNË E MIRE SOT, PËR TË RRITURIN E SUKSESSHËM TË SË NESËRMES.

Ajo është mami e dy fëmijëve, që i ka motivim jo vetëm personal, por edhe profesional. Nëse iu themi që po flasim për Lori Duron, emrin e saj do ta lidhni menjëherë me faqen që ka në Instagram, Buzëqumësht. Jo vetëm kaq! Që prej gushtit të këtij viti, edukatore Lori, vendosi që eksperiencën, njohuritë dhe filozofinë e saj ta ndante edhe me prindër të tjerë, duke hapur kopshtin Buzëqumësht. I vendosi të njëjtin emër ashtu si edhe faqja, se në fund të fundit ai do mëshironte tashmë edhe fizikisht, pasionin që ajo shfaq online për ndjekëset.

Hapja e kopshtit ishte një vendim i saj, po aq sa edhe një kërkesë që i vinte në komente, në inbox apo edhe me sms në numrin e saj të telefonit nga mamat që ndiqnin faqen. Të gjesh një kopsht luksi në Tiranë, nuk është aspak e vështirë. Ka me dhjetra që ofrojnë kushte shumë të mira për fëmijët, në ambiente moderne e hapësira për t`u pasur zili. Por duket se pas impresionit të parë vizual, prindërit po kërkojnë më shumë për fëmijët e tyre. Po kërkojnë një vend jo vetëm të sigurtë, por një vend zhvillues, gjithëpranues, stimulues dhe miqësor, për ti besuar rritjen e fëmijëve që do ndikojë në vitet e tjera të jetës së tyre.

Ndaj Lori, vendosi që këshillat që jepte më së shumti online, ti vinte në jetë edhe në këtë kopsht. E njëjta filozofi, ashtu si në postimet e kuruara me kujdes në faqen e saj të instagramit, e ndihmoi të fitonte shpejt besimin e prindërve, ndaj sot ajo është krenare për çka ka arritur në kaq pak kohë.

Si lindi ideja për të hapur një faqe instagrami me këshilla për rritjen e shëndetshme të fëmijëve?

Sapo isha bërë mami për herë të dytë, e një vajze dhe direkt m’u aktivizuan kujtimet me eksperiencën time të parë si mami. Kur linda djalin, kisha shumë pak informacion dhe mendoja që plotësimi i nevojave bazë të fëmijës (ushqimi, gjumi, pastërtia) ishin mjaftueshëm vitin e parë të jetës. Me rritjen e tij dhe eksperiencën si edukatore, kuptova që fëmija lind me kaq shumë potencial, që nga dita e parë e jetës, sa ne e kornizojmë vetëm në nevojat bazë. Ky potencial, i paaktivizuar, fillon dhe humbet funksionin e tij. Kjo frikë dhe nevojë, më bëri që t’a shikoja ndryshe lindjen e vajzës dhe t’a ndaja këtë mendësi me prindër të tjerë. 

Cili ka qenë postimi yt i parë?

Postimi i parë ka qënë një informacion pikërisht me potencialin që lindin fëmijët. Ata lindin me 100 miliardë neurone dhe nëqoftëse këto neurone nuk krijojnë lidhje me njëri-tjetrin fillojnë dhe “vdesin”. Lidhjet krijohen nëpërmjet eksperiencave, duke krijuar një mjedis zhvillues.

Si u ndjeve kur njerëzit filluan të reagonin?

Në fillim më dukej sikur flisja me vete, se padyshim numri i ndjekësve erdhi duke u shtuar ngadalë-ngadalë. Më pas kur ndjeja besimin dhe përkrahjen, kisha një ndjesi midis krenarisë dhe përgjegjësisë, për ndikimin që po jepja.

Sa i ndihmon prindërit me këshillat që iu jep? Merr komente prej tyre?

Kam ndihmuar shumë! Jam përpjekur të kuptoj ankthin dhe shqetësimin pas kujtdo që më shkruan, edhe kur shprehin padurim dhe kërkojnë përgjigje menjëherë. Kam marrë shumë mirënjohje në komente dhe mesazhe e për këtë ndihem e bekuar.

Të kontaktojnë shumë në privat dhe a u përgjigjesh?

Në një realitet frustrues ku po jetojmë, me kaq shumë problemtika në lidhje me rritjen e fëmijëve, prindërit e kanë të nevojshme të gjejnë zgjidhje të shpejta, qoftë edhe për të qetësuar veten, prandaj çdo ditë ka shumë mesazhe private. Përgjigjem duke qenë vetëm orientuese dhe i drejtoj te specialistët e fushës kur kjo është e nevojshme.

Cila është pyetja që të bëjnë më shumë prindërit?

Pyetja që bëjnë më shpesh është “A është normal x veprim që po bën fëmija im”?! Ka kaq shumë informacion, gurë kilometrikë se çfarë duhet të bëjë fëmija në një moshë të caktuar, shumë targete çfarë është normale ose jo, sa kjo shton ankthin e prindërve. 

Cila është këshilla që ke më shumë për zemër ti vet?

Bashkëshoqërimi! Zbuloni botën me sytë e fëmijës, duke i shoqëruar në emocionin dhe kuriozitetin që ata përjetojnë gjatë këtij zbulimi.

Cilat janë pesë gjërat kryesore që duhet të kenë parasysh prindërit e rinj, sapo sjellin në jetë një fëmijë?

  1. Fëmija është njeri dhe pastaj i vogël.
  2. Beso në aftësinë me të cilën fëmija lind, për të ekzistuar.
  3. Fëmija është duke mësuar dhe do bëj shumë “gabime” derisa të mësojë, nuk mund të bëjë asgjë saktë dhe si duhet që me herën e parë.
  4. Ti je streha dhe shtëpia e fëmijës, mos e zëvendëso vitin e parë me njerëz apo objekte të tjera.
  5. Durim, fëmija është duke u rritur dhe duke u maturuar, asnjë veprim i tij nuk tregon se si do jetë në të ardhmen.

Cilat janë tre gabimet më të shpeshta që bëjnë prindërit e rinj?

Padurimi për t’iu kthyer jetës që kishin kur akoma nuk ishin prindër. Rutinat, mungesa e përgjegjësisë për dikë tjetër, rehatia për të bërë gjërat që do dhe kur do. Nqs do bashkëshoqërojnë me durim 3 vitet e para të jetës së fëmijē, do e rifitojnë shumë shpejt lirinë që duket sikur humbet. 

Sapo ke hapur një kopsht tëndin, Buzëqumësht. Cila është ambicja e Lorit për të ardhmen?

Buzëqumësht të jetë një institucion edukimi, ku prindi gjen të gjitha hapësirat, jo vetëm për të shoqëruar fëmijën gjatë procesit të rritjes si njeri, por edhe për t’u rritur vetë.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.