Eksodi i ukrainasve, vendet që u hapën dyert të pushtuarve
08/03/2022 Shpërndaje

Eksodi i ukrainasve, vendet që u hapën dyert të pushtuarve

Pamje të dhimbshme vijnë ccdo ditë nga Ukraina që prej 24 shkurtit kur pushtuesi rus nisi bombardimet. 13 ditë më pas Ukrainasit vazhdojnë të ikin nga vendi i tyre. Bazuar në shifrat e Kombeve të Bashkuara, më shumë se 1.7 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina për shkak të pushtimit rus.

Në cilat vende po ikin refugjatët e Ukrainës?

Refugjatët po kalojnë në vendet fqinje në perëndim, si Polonia, Rumania, Sllovakia, Hungaria dhe Moldavia. Një numër shumë më i vogël ka shkuar në Rusi dhe Bjellorusi.

OKB thotë se deri më tani:

Polonia ka pranuar 1,028,000 refugjatë

Hungaria 180,000

Moldavia 83,000

Sllovakia 128,000

Rumania 79,000

Rusia 53,000

Bjellorusia 406

Më shumë se 183,000 njerëz kanë lëvizur nga këto vende në vendet e tjera në Evropë.

Si po largohen refugjatët nga Ukraina?

Trenat që shkojnë drejt kufirit të Ukrainës janë mbushur plotë dhe ka pasur radhë të gjata në rrugët që të çojnë jashtë vendit.

Refugjatëve u thuhet se nuk kanë nevojë për dokumente, por preferohet të kenë pasaportat e brendshme ose të huaja, certifikatat e lindjes së fëmijëve që udhëtojnë me vete dhe dokumentacionin mjekësor.

Çfarë ndihme po u ofrojnë vendeve refugjatëve?

Për të marrë statusin e refugjatit, ata duhet të jenë shtetas ukrainas ose njerëz që jetojnë ligjërisht në Ukrainë. Ka pasur raporte të njerëzve nga vendet afrikane që u penguan të largoheshin nga Ukraina.

Në vendet në kufi me Ukrainën, refugjatët mund të qëndrojnë në qendrat e pritjes nëse nuk kanë miq ose të afërm për ti pritur. Atyre u jepet ushqim dhe kujdes mjekësor.

Filippo Grandi, komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, vlerësoi reagimin “të jashtëzakonshëm” të komunitetit në Poloni, e cila ka numrin më të madh të refugjatëve.

Qeveria rumune pritet të financojë kostot e strehimit prej 70,000 për 30 ditë. Së bashku me Hungarinë , ajo ofron ndihma në para për ushqim dhe veshje. Fëmijëve u jepen vende në shkollat ​​lokale.

Moldavia ka gati 4,000 refugjatë për 100,000 banorë. Presidenti i saj ka apeluar për ndihmë ndërkombëtare në trajtimin e refugjatëve të tjerë që vijnë.

Republika Çeke do t’i lejojë refugjatët të aplikojnë për një lloj të veçantë vize për të qëndruar dhe po përdor Qendrën e Kongresit në Pragë si qendër ndihme.

Diku tjetër, Greqia dhe Gjermania po dërgojnë tenda, batanije ​​​​në Sllovaki, ndërsa Franca po dërgon ilaçe dhe pajisje të tjera mjekësore në Poloni.

BE po përgatitet t’u japë ukrainasve që ikin nga lufta një të drejtë totale për të qëndruar dhe punuar në të 27 vendet deri në tre vjet.

Ata gjithashtu do të përfitojnë mirëqenie sociale dhe qasje në strehim, trajtim mjekësor dhe shkollim për fëmijët.

Si po i ndihmon Mbretëria e Bashkuar refugjatët ukrainas?

Pas kritikave se nuk ka bërë sa duhet, Mbretëria e Bashkuar po shqyrton zgjerimin e aksesit në viza për njerëzit që ikin nga konflikti.

Vetëm 50 ukrainas me lidhje familjare në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë viza që nga fillimi i luftës. Dy skemat e Mbretërisë së Bashkuar të shpallura deri më tani kërkojnë që ukrainasit ose të kenë familje në MB, ose një mbështetës në MB.

Sa ukrainas janë të zhvendosur brenda vendit?

Komisioni i Lartë i OKB-së për Refugjatët beson se më shumë se një milion njerëz që kanë ikur nga lufta mund të zhvendosen brenda vendit të tyre. Megjithatë, është e vështirë të verifikohet numri i vërtetë.

Qindra mijëra njerëz të zhvendosur kanë rrjedhur në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv që nga fillimi i pushtimit. Ky qytet ka arritur kufirin e kapacitetit të saj për të ndihmuar refugjatët, tha kryebashkiaku i saj të hënën.

Ndihma që po jep Shqipëria?

Disa familje nga Ukraina, kanë mbërritur edhe në Shqipëri për t’u strehuar. Familjet janë strehuar në apartamente por nuk bëhet me dije numri i saktë i tyre. 20 shtetasit e parë kanë ardhur  më 2 mars.

Ata kanë mbërritur në Shqipëri nga pika doganore e Qafë Thanës. Mësohet se ata kanë udhëtuar të vetëm ose me bashkë familjarë, por nuk kanë kërkuar ende ndihmë apo strehim nga autoritetet shqiptare. Mësohet se shtetasit nga Ukraina kanë udhëtuar drejt zonave bregdetare ku kanë edhe apartamentet e tyre.

Më herët Kryeministri Edi Rama u shpreh se do të mirëpresë në Shqipëri ukrainasit që duan ti largohen luftës, njësoj siç veproi me afganët.

“Ne sot në Samit jemi angazhuar, në fakt këtë herë e kanë bërë këtë gjë edhe shumë vende të tjera, si si herën e parë për afganët e shkretë që i lanë rrugëve, megjithëse ata ishin prej vitesh në krah të forcave të NATO-s, për të mikpritur njerëzit, familjarët që largohen apo do të largohen nga Ukraina. Kjo gjë sigurisht që është e natyrshme që ta themi sepse kjo është historia jonë, këta jemi ne shqiptarët dhe kjo është pasuria që do u trashëgojmë fëmijëve tanë. Për të shmangur sepkulime që do të vijnë 100 mijë apo 200 mijë apo 1 milion….dua të jap këtë këtë informacion. Nuk do të jenë 600 mijë por me shumë zero më pak”, tha Rama.

E gatshme për të strehuar ukrainas është treguar edhe Ukraina.  Kosova do të marrë vendim të strehojë 5 mijë refugjatë nga Ukraina, bëri të ditur ministrja e Jashtme Donika Gërvalla gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme.

Gërvalla njoftoi se Kosova së shpejti do të pezullojë regjimin e vizave transit për qytetarët e Ukrainës dhe do të krijojë kushte për strehimin e familjarëve të ushtarëve të Ukrainës, të cilët janë në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it shërbejnë 40 ushtarë ukrainas. Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ndërmjet dy shteteve ekziston regjimi i vizave.

“Qytetarët e Ukrainës në kufirin me Kosovën mund të hyjnë pa viza, por ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Kosovë, do të detyrohen të paraqiten tek organet kompetente me qëllim që të marrin leje-qëndrim”, tha ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, dhe shtoi se “brenda kësaj jave, do të dorëzojë kërkesën në Qeverinë e Kosovës për marrjen e masave konkrete për pranimin e 5.000 refugjatëve nga Ukraina”. Kuvendi i Kosovës javën që shkoi, miratoi një rezolutë me të cilën i kërkoi qeverisë së Kosovës të ndajë një fond të veçantë për ndihmë Ukrainës dhe në rast nevoje, të mundësojë strehimin e 5.000 refugjatëve.

OKB thotë se po përpiqet të ndihmojë njerëzit e zhvendosur brenda vendit, por lufta po e bën atë të pasigurt për punonjësit e ndihmave. Ajo po përgatitet të japë ndihmë në Ukrainën perëndimore, ku qasja është më e lehtë. BE beson se numri i refugjatëve në total mund të rritet në shtatë milionë dhe se 18 milionë ukrainas do të preken nga lufta.

/pozitivi.org

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.