E braktisi e ëma me aftësi të kufizuara, 8 vjeçarin e adopton çifti rom në Fier
Indriti është një nga ata fëmijët e braktisur nga familja që fati i ka buzëqeshur. Ai është 8 vjeç dhe jeton në Fier. Ka ardhur në jetë nga një lidhje jashtë martesore dhe nëna biologjike e ka braktisur për shkak se është me aftësi të kufizuara. Nuk ishte në gjendje t’i dilte për zot fëmijës që lindi.
Por pas shumë vështirësive që ka kaluar vogëlushi tashmë ka ligjërisht familjen e tij. Një çift rom vendosën ta adoptojnë Indritin dhe kujdesen për të si të ishte fëmija i tyre biologjik. Pavarësisht se çifti ka edhe dy vajza, janë përkujdesur për të për një periudhë të gjatë dhe e duan si të ishte djali i tyre biologjik.
Në fillim ata vendosën që vetëm të kujdesen për të, por nuk u mjaftuan me kaq. Humanizimi nuk mori parasysh asnjë vështirësi ekonomike por bënë çmos që ta adoptojnë. Të bashkuar vendosën të sfidojnë të gjitha barrierat ligjore dhe ekonomike dhe ta marrin në gjirin e tyre familjar, aty ku kanë dhe dy vajzat biologjike.
Në ndihmë për të ndjekur të gjitha procedurat u ka ardhur një qendër ligjore në Fier, me mbështetjen e PNUD. “Kur dëgjuam për qendrën e ndihmës ligjore falas në gjykatën e rrethit Fier, ne nuk arrinim ta besonim këtë gjë. Ne e kuptuam që kjo gjë ishte e vërtetë vetëm kur u takuam me avokatin mbrojtës. Ishte një shërbim i madh për njerëzit si ne”, janë shprehur çifti.
Tani Indriti ka një familje që mund të përkujdeset për të. Ai shkon në shkollë dhe gëzon të tjera të drejta që i takojnë. Historia: www.un.org.al
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
