DURRËSI, HISTORIA NË 100 VITET E FUNDIT
22/02/2023 Shpërndaje

DURRËSI, HISTORIA NË 100 VITET E FUNDIT

Kushdo që do të njohë historinë e Shqipërisë, duhet të njihet patjetër edhe me historinë e Durrësit! Qyteti bregdetar ku klima mesdhetare bën për vete edhe turistin më nazeli, nis me themelimin e tij, rreth shekullit të 7-të para Krishtit. Por, jeta urbane daton si e tillë disa mijëra vite më vonë.

Indrit Hamiti arkitekt durrësak kujton: “Durrësi si qendër urbane, ka rreth 3 mijë vjet. Jeta fillimisht ka lindur në zonën e luginës së Erzenit, por lokalizimi i Durrësit këtu ku është sot, lidhet me detin dhe mundësitë për shkëmbime tregtare. Gjurma e qytetit ka ndryshuar vazhdimisht. Qyteti i 3 mijë viteve më parë, është shtrirë në zonën e kodrave të vilës deri tek porti. Më pas qyteti i periudhës romake dhe bizantine, është shtrirë në atë që ne e njohim në toponominë lokale si rruga e Tod Trungut ose e Hysen Myshketës, dhe ka qenë shtrija maksimale e qytetit. Objektet e tjera jashtë kësaj, janë muri fortifikues i Porto Romanos, Bazilika e Arapajt dhe gjurmë te Ujesjellsit Antik.  

Ndërsa Gëzim Kabashi, gazetar durrsak shprehet:

 “Një qytet i tillë, i cili është i vetmi që mbijeton nga Vlora deri në Trieste, nuk mund të shmanget. Ka edhe një gjë tjetër, një turist nuk vuan shumë në Durrës. Ai mbërrin tek godina e Bashkisë dhe gjithëçka zhvillohet në 1500 metra. Pra të gjithë objektet e lashtësisë dhe të mesjetës janë aty. Nga Torra Antike dhe përfundojnë në lagjen 11, tek Teatri Aleksandër Moisiu, i cili ka termat antike gjithashtu në themelet e tij. Të gjithë objektet, përfshirë ambifiteatin, muzeun, etj janë aty, të vizitueshme në këmbë. E ke apo nuk e ke një guidë, ti ke mundësi ti vizitosh. Atij turisti nuk i duhet të shkojë 5 km larg, pasi aty ku janë bashkia, xhamia e kisha, tregon që ky qytet është ndërtuar mbi veten ekzaktësisht aty ku ka filluar ta jetojë jetën e tij fillimisht. Kjo e bën shumë tërheqëse idenë që një turist i vetëm apo në grup, ta vizitojë qytetin. Natyrisht, ai mund të shkojë edhe në vilë, ku ndodhet ish vila e mbretin, i cili është një objekt i dëmtuar nga viti i mbprashtë 1997, por që është një ndërtesë interesante.

Moderinizimi i qytetit të Durrësit, nisi pikërisht 100 vite më parë. Një plan rregullues për hapjen e bulevardit nga zyra urbanistike e kohës, e më pas në vitet ’30 dora e arkitektëve italianë solli linjat e zhvillimit të qytetit, ku zona industriale u përcaktua në në Shkozet ndërsa plazhi, zonë turistike.

 “Objektet nuk kanë oborr përpara, kanë dyqanin përpara dhe me fasadat e tyre të ngjitura me njëra tjetrën, kthehen në arkitekturë të rrugës. Kjo ishte arkitektura që njeriu shihte në rrugë. Ndërkohë që jeta private bëhej mbrapa. Në pjesën e mbrapme kishin një oborr të vogël. Qyteti i merrte objektit katin e parë, një traditë e hershme që nga periudha romake. Po të jeni të vëmendshëm e gjejmë në qytetin e Shkodrës, të Vlorës. Do ketë qenë një rrugë prestigjoze, që duhet të ketë qenë dhe e bukur për t`u shëtitur. Megjithatë duhet të ketë qenë një rrugë e gjallë edhe disa të tjera, të cilat kanë sjellë modernitetit e fillim shek.20. – thekson Loreta Çepali, arkitekte, zv/dekane e fakultetit te arkitekturës & urbanistikës, UT.

Ndikimi italian në fakt, nuk kufizohet vetëm me periudhën e pushtimit italian në Durrës, por nis që pas luftës së parë Botërore, me ardhjen në pushtet të Musolinit. Këto plane nuk i ndryshuan “fytyrën” jo vetëm qytetit, por për atë që sot nuk e mendon dot të ndarë Durrësin nga plazhi, ky i fundit konceptohej si një territor që nuk kishte lidhje me qytetin. 

Krahas plazhit, Durrësi ka portin me të madh në vend, i cili lidhet ngushtë me qytetin dhe anasjelltas. Pikërisht zhvillimi i kërij porti është tregues i jetës së qytetit në këto 100 vitet e fundit.

 “Skela ka ekzistuar që në kohën kur është themeluar qyteti. Në periudhën otomane, humb vlera e skelës dhe nis ta marr vetën në mesin e shekullit të 17-të, pasi instalohen konsullatat e Austrisë, Francës dhe Raguzës dhe ky është tregues që ka pasur marrëdhënie shkëmbimi tregtare. Më pas në fillim të shek.20, durrësakët kishin në flotë me rreth 500 varka, lufta e shkatërroi pothuajse plotësisht flotën. Projektet e para për modernizimin e portit datojnë me vitet ’20, ka një plan nga një inxhinieret italiane. Në kohë të komunizmit, ka shërbyer si një territor i pranisë së shumë ndërrmarrjeve. Porti është projektuar dhe zhvilluar në kuadrin e SVEAS, fondit të njohur i krijuar me 50 milionë franga ari, siç dihet tashmë. Vetë borxhi në vetvete ka përcaktuar ngrohjet dhe ftohjet e raporteve me italianët në atë kohë.

Të dyja luftërat botërore si kudo, patën edhe një ndikim të madh në arkitekturën e qytetit dhe jetën shoqërore. Nëse italianët lanë gjurmën e tyre, pushtimi gjerman nuk la asnjë gjurmë të rëndësishme, përkundrazi kjo periudhë e shkurtër, por intensive bëri që qyteti të zbrazej dhe të minohej bregdeti.

 “Fotot tregojnë se qyteti ka qenë i ngushtuar në minimum, hyre nga një portë dole te tjera, kaq ishte qyteti e kishe vizituar. Qyteti një pjesë të vogël e kishte jashtë mureve. 80 familje asokohe ishte një lagje. Qyteti ka qenë tmerrësisht i ngushtuar, por me një avantazh të madh, të cilin nuk e dinte, nën këmbët e tij flinte e gjithë historia mijëravjeçare e tij. Të gjitha zbulimet janë të pas viteve ’50, atëherë kur muzeu arkeologjik i Durrësit mori pamjen e muzeut që duhet të ishte dhe kur arkeologët nën drejtimin absolut, të njeriut që e rithemeloi qytetin për së dyti, Vangjel Toci, i cili i dha Durrësit aq famë sa që në ato vite të izoluara, 70-80, njerëz dhe studiues vinin për të parë se çfarë ndodh këtu – shprehet Gëzim Kabashi.”

Në 30 vitet e fundit, që pas rënies së komunizmit, Durrësi, pothuajsë njësoj si Tirana është përballur me ndryshime urbane të shumta, mjaft intensive për një hark kaq të shkurtër kohor. Por, në ndryshim nga kryeqyteti, në Durrës diskutohet nëntoka, arkeologjia, historia. Qytetin e kanë shoqëruar në këtë kohë jo pak herë debate publike për mënyrën se si është ndërtuar në Durrës apo është restauruar.

Një qytet nuk ka kuptim pa banorët e tij. Në Durrës, “durrsak” quhen jo vetëm autoktonët, por edhe ata që populluan zonën urbane në vitet e ’50, ’60, ’70 e plot të tjerë që pas lëvizje të mëdha demografike të post ’90 nisën të banojnë në Durrës. Ky fakt është tregues e tolerancës dhe natyrës deri dikur moskokëçarse të durrsakëve.

© 2023, Pozitivi. All rights reserved.