Burrat shqiptarë, ende tabu kontraceptivët!
02/10/2020 Shpërndaje

Burrat shqiptarë, ende tabu kontraceptivët!

Jemi në vitin 2020 dhe burrat shqiptarë refuzojnë ose nuk marrin pjesë fare në shërbimet e këshillimit, që lidhen me përdorimin e metodave moderne të kontracepsionit. Kjo e dhënë shqetësuese del në raportet e publikuara nga UNFPA Albania lidhur me planifikimin familjar në Shqipëri dhe një sërë problematikash të tjera që lidhen me këtë aspekt social.

Në fakt, prevalenca e ulët e metodave modernekontraceptive nëpopullatë, vijon të mbetet një çështje shqetësuese. Ajo çka bën përshtypje, është se shkalla e ulët e përdorimit të kontraceptivëve bie ndesh me nivelin e lartë të njohurive për metodat e kontraceptivëve, i cili vlersohet deri në 98 përqind të popullatës shqiptarë.

Thënë ndryshe, informacioni dhe njohuria nuk mungon, por kur vjen puna tek zbatimi në praktikë, kjo mbetet ende tabu.

Si reflektohet problematika në lindshmëri?!

Sipas të dhënave, vitet e fundit ka një rritje në përqindjen e grave të moshës së re 15 deri në 19 vjeç që kanë filluar lindjen e fëmijëve. Kjo shifër është rritur me 3.5 përqind krahasur me 2.8 % që mendohet të ketë qenë në vitet 2008-2009. Në tërësi lindjet e dëshiruara janë 1.6 % më të ulta krahasur me nivelin e përgjithshëm të lindshmërisë në vend.

Kjo grupëmoshë, ka të bëjë pikërisht me adoleshentët. Qasja në shërbime të shëndetit riprodhues për ta nuk është adekuate. Prandaj, ekziston një nevojë urgjente për të hartuar dhe përshtatur shërbime të vlefshme për këtë grupmoshë, duke marrë parasysh veçoritë, nevojat dhe kërkesat e tyre unike për shërbime të shëndetit riprodhues. 

Përveç kësaj, ekziston nevoja për forcimin e sistemit të informacionit shëndetësor si për përdorimine kontraceptivëve dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme, ose shkallën e abortit – të gjitha këto specifike për grupmosha dhe shtresa social-ekonomike të ndryshme.

Pse planifikimi familjar është jetik për shoqërinë?!

Dëshmitë e shumta ndërkombëtare tregojnë se miratimi i programeve efektive të planifikimit familjar ka patur përmirësime thelbësore në rezultatet e lidhura me shëndetin siç është ulja e vdekshmërisë së nënës, vdekshmëria e foshnjave si dhe përmirësimet në shkollim dhe arsimim, mundësitë ekonomike, veçanërisht për gratë.Shërbimet e planifikimit të familjes u futën në Shqipëri pas vitit 1990, pas rënies së regjimit komunist. Në Shqipëri, që nga viti 1997, të gjitha shërbimet e planifikimit familjar të ofruara falas në sektorin publik janë të integruara në sistemin shëndetësor.

Këto shërbime ofrohen në 430 qendra të planifikimit familjar, përfshirë qendrat e konsulencës për gratë, maternitetet dhe qendrat shëndetësore në nivelin e ish-komunave. Në zonat rurale, shërbimet e planifikimit të familjes ofrohen në qendrat shëndetësore dhe në ambulanca.

Po e ardhmja?!

Shumica e donatorëve të mundshëm në fushën e planifikimit familjar janë larguar nga Shqipëria. Për më tepër, marketingu social po përballet me shumë sfida për shkak të paqëndrueshmërisë financiare dhe sektori tregtar privat është më pak i interesuar të investojë në programet e planifikimit familjar. 

Në këto rrethana, Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e UNFPA, ka filluar përpjekjet për të miratuar konceptin e “Qasjes totale të Tregut” për sigurinë kontraceptive.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.