Koha për të marrë një “detox” lajmesh
18/08/2022 Shpërndaje

Koha për të marrë një “detox” lajmesh

Nga: Laura Xhaxho

Unë nuk fajësoj mediat për problemet që ndodhin çdo ditë në vend dhe botë. Megjithatë, mendoj se duhet të shqyrtojmë efektin që lajmet 24/7 kanë në psikikën tonë kolektive dhe individuale. Ky efekt, natyrisht, përkeqësohet nga mediat sociale, të cilat na prezantojnë vazhdimisht me lumë lajmesh edhe kur nuk jemi duke i kërkuar ato.

Të gjithë e dimë që në momentin kur kompanitë mediatike informojnë, ato fitojnë para duke mbajtur vëmendjen tonë lidhur pas tyre. Të dhënat tregojnë se vëmendja jonë është shumë më e lehtë për t’u tërhequr dhe mbajtur kur tema që trajtohet tërheq frikën, shqetësimet ose zemërimin tonë.

Për shkak se jemi të rrethuar nga lajme të këqija, është e lehtë të harrohet fakti që jetojmë në një kohë kur zgjidhjet e problemeve tani arrijnë më shpejt se kurrë – një shembull i shkëlqyer është zhvillimi jashtëzakonisht i shpejtë i vaksinave kundër Covid-19.
Arsyeja pse nuk ndihet kështu është se ngjarjet negative, madje edhe ato me rezultate me probabilitet shumë të vogël, shfaqen vazhdimisht në kohë reale. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në asnjë epokë të mëparshme të historisë pasi më parë informacioni udhëtonte shumë më ngadalë dhe ishte më i largët se tani. Gjithashtu shumica e njerëzve e shihnin botën përmes një lente shumë më të ngushtë se sot.

Sot, cikli i lajmeve dhe mediave sociale e tërheq fokusin tonë në çdo histori tragjike, duke na bërë të besojmë se gjërat janë më keq, ose më të rrezikshme se sa duhet të jenë.

Lajmet që konsumojmë çdo ditë pasqyrojnë një rrëfim dhe realitet subjektiv.

Mënyra se si ndihemi në çdo moment dhe ku zgjedhim të përqendrojmë kohën dhe energjinë tonë, ndikohet shumë nga informacioni që marrim. Nëse mendimet tona ndikohen negativisht nga të gjitha lajmet që po konsumojmë, mund të jetë koha për të marrë në konsideratë një “detox” lajmesh.
Kujdesuni për veten!

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.