Atletja shkodrane merr titullin sportistja e shekullit
18/05/2019 Shpërndaje

Atletja shkodrane merr titullin sportistja e shekullit

Një nga sportistet më të njohura të brezit tim, një nga emrat më të spikatur të sportit të atletikës shqiptare dhe shkodrane në veçanti, Vera Bregu, u nderua sot me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar sportive, si një atlete e talentuar me rezultate të shkëlqyera të arritura në garat kombëtare dhe ndërkombëtare.” Dekret Nr. 11174, Tiranë, 16.05.2019.

Mirënjohje për Vera Bregun u dha edhe nga Bashkia Shkodër, me motivacionin “Për kontributin e dhënë në disiplinën e atletikës për Sportklub “Vllaznia”, duke arritur rezultate të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare përgjatë viteve 1987-2000. Ajo ishte 20 herë kampione kombëtare dhe 10 herë rekordmene në garën e kërcimit 3-hapësh. Mori 3 medalje ari, 7 argjendi dhe 3 bronxi, në ballkaniada dhe kupa të Europës.

Rruga e kësaj atleteje është e mbushur plot përpjekje dhe sakrifica, vetbesim dhe ngadhnjim mbi vështirësitë, me të cilat ajo u përball në sfidatat që i dhanë asaj një emër të merituar nderi dhe atletikës shqiptare një mjeshtre. Në displinat që ajo garoi shtyti tej caqet e mundësive dhe piketoi norma të larta, të denja për ballafaqime ndërkombëtare.

“Mjeshtër i Madh” është një vlerësim i merituar për Vera Bregun. Gjithashtu, ky nderim dhe kjo mirënjohje do të shndërrohet në shembull frymëzimi dhe motivimi për atletë dhe sportistë të tjerë, të cilët me mund dhe djersë, pasion dhe përkushtim, sakrifica dhe angazhim si Vera Bregu, do të jenë gjithmonë krenari e Shkodrës, faqe e skalitur me shkronja ari për Sport Klub “Vllaznia”. Kontributi i Vera Bregut në atletikën shqiptare është i madh dhe i vlerësuar, është një vepër pune të palodhur dhe besimi.

Emri i saj është sinonim i fitoreve dhe trofeve, është gjithçka që shpërbleu përpjekjet e saj. Ne u rritem me mburrjen për arritjet e Vera Bregut. Në atë çfarë Vera Bregu, një meritë të veçantë dhe vlerësim i pamohuar shkon për të atin, mundësin dhe trajnerin e këtij sporti, Ded Bregu. Sot ndihemi krenar dhe të vlerësuar për mirënjohjen e lartë që i’u bë emrit dhe kontributit qe ajo i dha sportit të atletikës. /Albert Vataj/

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.