Foto të bukura/ Ina, fotografja me aftësi ndryshe që përballet me vështirësitë për të ndjekur ëndrrat
25/04/2022 Shpërndaje

Foto të bukura/ Ina, fotografja me aftësi ndryshe që përballet me vështirësitë për të ndjekur ëndrrat

Me aparatin e saj fotografik që e merr kudo, Ina Toska dokumenton përmes shkrepjeve momente të veçanta. Vajza me aftësi ndryshe është 33 vjeç nga Fieri dhe si të gjithë ne ka pasionet dhe dëshirat e saj. Pasioni i saj është fotografia. Shkollën e mesme e ka mbaruar në degën pedagogji. Që në moshë të vogël ka filluar të fotografojë me një aparat jo profesional. I pëlqente të ruante kujtimet e bukura.

I njëjti pasion si atëherë nuk është zbehur as sot. Madje për Inën tashmë fotografia është një profesion. Pas përfundimit të shkollës së mesme ajo ka filluar të punojë fillimisht si fotografe në një kopësht në Fier. Ka marrë pjesë vullnetarisht në shumë konkurse dhe aktivitete që kanë të bëjnë fotografinë dhe në shumë prej tyre është vlerësuar me çmime. Fotot e saj kanë dalë nëpër revista dhe ekspozita në Tiranë, Fier dhe qytete të tjera, shkruan pozitivi.org. 

Kjo e ka motivuar Inën të besojë se ajo tashmë është një profesioniste, e talentuar, dhe e aftë të punojë si fotografe. Jetesa në Fier nuk i ka hapur shumë dyer që të punojë si fotografe. Ndonëse ka zgjedhur që të ndjekë pasionin e saj që në moshën 15 vjeçare kur halla i ka blerë një aparat, Ina sot e ka të vështirë të gjejë punë me kohë të plotë.

Në një bisedë me Pozitivi.org Ina tregon se ky ka qenë vit i vështirë për të. Shpesh ka ardhur në Tiranë për të ndjekur aktivitete të ndryshme e maratonat e për të shkrepur foto. Të njëjtën dëshirë ka dhe tani. “Ky ka qenë një vit i vështirë për mua. Kam punuar por këtu k pak aktivitete. Në Tiranë ka më shumë. Mendoj se atje do të gjej punë. Edhe pse ka qenë vit i vështirë përsëri nuk do dorëzohem”, tha ajo.

Ina mendon se ardhja në Tiranë është zgjidhja, duke shpresuar se do t’i hapen më shumë mundësi për të punuar. Vitet kalojnë por Ina nuk heq dorë nga ëndrrat. Jeta është një dhuratë dhe si e tillë duhet jetuar nga të gjithë, me të mirat dhe të këqijat e saj.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.