Albanian Career & Business Summit UK 2026: Mundësi për punësim, arsim dhe zhvillim biznesi në Britani
30/10/2026 Shpërndaje

Albanian Career & Business Summit UK 2026: Mundësi për punësim, arsim dhe zhvillim biznesi në Britani

Londra do të mirëpresë më 21 nëntor një samit që synon të afrojë komunitetin shqiptar me mundësi punësimi, arsimimi, trajnimi profesional dhe zhvillimi sipërmarrjeje. Në aktivitet do të marrin pjesë profesionistë të medias, përfaqësues të akademisë, ekspertë të biznesit dhe organizata që kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit.

Albanian Career & Business Summit UK 2026 do të mbahet në Waterlow Hall, pranë South Hampstead High School, në Londër. Aktiviteti organizohet nga Narrativa Shqiptare Ltd.

Punësimi, arsimi dhe zhvillimi i biznesit përbëjnë tri shtyllat kryesore të samitit. Përmes takimeve dhe kontakteve me profesionistë, punëdhënës dhe përfaqësues institucionesh, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të informohen mbi oferta pune, studime universitare, bursa, trajnime profesionale dhe alternativa për zhvillimin e karrierës.

Nisma synon të krijojë një hapësirë takimi mes individëve që kërkojnë mundësi të reja dhe institucioneve, kompanive e profesionistëve që mund të kontribuojnë në realizimin e tyre.

Samiti është ideuar nga gazetarja Merjeme Tota, themeluese dhe drejtuese e Narrativa Shqiptare Ltd, në bashkëpunim me gazetaren dhe bashkorganizatoren Beklie Koltraka. Moderimin e programit do ta drejtojë gazetarja Isida Muço, e cila ka më shumë se 15 vjet përvojë në median shqiptare.

Mars El Brogy sjell përvojën e medias britanike

Gazetarja dhe producentja ekzekutive e multimedias Mars El Brogy do të jetë një nga folëset e ftuara të samitit, duke sjellë përvojën e saj në gazetarinë britanike, prodhimin televiziv dhe median digjitale.

Gjatë karrierës së saj, ajo ka punuar me BBC, BBC Worldwide, The Evening Standard dhe The Independent. Ka qenë gjithashtu pjesë e ekipit themelues të London Live dhe ka mbajtur pozicione të larta drejtuese në prodhimin e videove.

Mars El Brogy është fituese e çmimit Ibn Battuta Award for Excellence in Media në vitin 2018, folëse në TEDx dhe mentore e profesionistëve të rinj të medias. Në vitin 2022, ajo u përfshi në listën Most Influential Muslim in the Media.

Dr. Enxhia Sala, Ambasadore Kryesore e Fushatës

Akademikja dhe ekspertja e teknologjisë Dr. Enxhia Sala do të mbështesë samitin në cilësinë e Ambasadores Kryesore të Fushatës.

Ajo është lektore dhe kërkuese shkencore në Universitetin e Tiranës dhe ka doktoraturë në Sistemet e Informacionit në Ekonomi. Gjithashtu, është anëtare e bordit të Akademisë së të Rinjve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Përfshirja e saj i shton samitit një dimension akademik, me vëmendje te arsimi, kërkimi shkencor dhe rëndësia e krijimit të mundësive për zhvillimin profesional të të rinjve.

Isa Krasniqi: Turizmi dhe sipërmarrja në fokusin e bashkëpunimit ndërkombëtar

Eksperti i turizmit dhe sipërmarrjes Isa Krasniqi do të jetë pjesë e programit me përvojën e tij në organizimin e tureve turistike në Ballkan, zhvillimin e shërbimeve të udhëtimit dhe ndërtimin e marrëdhënieve me partnerë ndërkombëtarë, veçanërisht në vendet e Gjirit Persik dhe tregjet arabe.

Si përfaqësues zyrtar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës (CCIT) për vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), Krasniqi është i angazhuar në zhvillimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare me këtë rajon.

Pjesëmarrja e tij do të sjellë në vëmendje potencialin e turizmit si faktor i zhvillimit ekonomik, rëndësinë e partneriteteve strategjike dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit mes Mbretërisë së Bashkuar, Shqipërisë dhe vendeve të Gjirit.

ROMI Consulting, informacion mbi mundësitë e studimit në Britani

Njomza Kastrati, përfaqësuese e ROMI Consulting, do të marrë pjesë në samit në cilësinë e Partneres për Arsimin, duke prezantuar mundësitë që ofron sistemi arsimor britanik për studentët shqiptarë.

ROMI Consulting mbështet personat që synojnë të ndjekin studimet në Mbretërinë e Bashkuar, përmes këshillimit mbi përzgjedhjen e universiteteve dhe programeve akademike, aplikimet universitare dhe procedurat për vizën studentore.

Pjesëmarrja e kompanisë do t’u japë të interesuarve mundësinë të informohen drejtpërdrejt mbi shërbimet e saj, si për ato vetë, ashtu edhe për familjarët në Shqipëri që dëshirojnë të studiojnë në Britani.

Ensuida Këputa, këshilltare e samitit

Në rolin e këshilltares së samitit do të kontribuojë gjithashtu Ensuida Këputa, themeluese dhe drejtuese e Empowered Women of Diaspora (EWD).

Përvoja e saj në këto fusha i shton nismës një dimension komunitar, duke sjellë në fokus rëndësinë e përfshirjes dhe të krijimit të mundësive për grupe të ndryshme të shoqërisë.

Një paketë udhëtimi për Umre për një pjesëmarrës

Në kuadër të samitit, Sahra24 Umra ka dhuruar një paketë udhëtimi për Umre për një nga pjesëmarrësit në aktivitet.

Sipas marrëveshjes me ofruesin, paketa përfshin biletat e avionit vajtje-ardhje, vizën, akomodimin dhe transfertat lokale. Udhëtimi parashikohet të realizohet nga Shqipëria drejt Arabisë Saudite.

E themeluar në vitin 2020 nga Nazmi Kurti, Sahra24 Umra është e specializuar në organizimin e udhëtimeve për pelegrinët nga Ballkani dhe për mbajtësit e pasaportave evropiane. Shërbimet e saj përfshijnë organizimin e fluturimeve, akomodimin në Mekë dhe Medinë, transportin dhe udhëzimin gjatë pelegrinazhit.

Bashkëpunim për mbështetjen e individëve dhe familjeve në nevojë

Një tjetër aspekt i nismës është bashkëpunimi i Narrativa Shqiptare Ltd me Albanian Cultural Association Northamptonshire (ACA), organizatë bamirëse e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar dhe e drejtuar nga Elona Latifi.

Në bazë të marrëveshjes, Narrativa Shqiptare Ltd mund të identifikojë individë dhe familje që kanë nevojë për mbështetje dhe, me pëlqimin e tyre, t’i referojë pranë ACA-së.

Për më shumë informacion mbi aktivitetin, programin dhe rezervimin e biletave, vizitoni faqen zyrtare:

https://narrativashqiptare.com/samiti-2026

© 2026, Pozitivi. All rights reserved.