Abuzimi me 14-vjeçaren në Kavajë, reagon rrjeti “Zëri i të Rinjve”: Të rehabilitohet dhe mbrohet jeta private e të miturës
07/02/2019 Shpërndaje

Abuzimi me 14-vjeçaren në Kavajë, reagon rrjeti “Zëri i të Rinjve”: Të rehabilitohet dhe mbrohet jeta private e të miturës

Skandali në Kavajë i abuzimit seksual të një 14-vjeçareje nga 7 adoleshentë ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.

Rrjeti i organizatave “Zëri i të Rinjve” që ka ndërmarrë shpesh nisma për mbrojtjen e shëndetit seksual dhe riprodhues të të rinjve, ka bërë një deklarate publike për rastin e të miturës, përmes të cilës kërkon që të tërheqë vëmendjen e autoriteteve për ta trajtuar këtë çështje me një kujdes të veçantë etik dhe profesional.

“Nëpërmjet kësaj deklarate publike, Rrjeti “Zëri i të Rinjve” kërkon që të tërheqë vëmendjen e autoriteteve për ta trajtuar këtë çështje me një kujdes të veçantë etik dhe profesional. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e ngjarjes, nxisim dhe kërkojmë nga autoritet përgjegjëse ta trajtojnë ngjarjen sa më shpejt me  angazhimin e duhur dhe maksimal, në  zbatim të detyrave dhe përgjegjësive që ka secili autoritet  dhe në përputhje me normat dhe detyrimet që parashikon Kodi i Drejtësisë Penale”, thuhet në deklaratë.

Referuar mënyrës si është trajtuar ngjarja e të miturës, rrjeti i organizatave “Zëri i të rinvje” parashtron 2 kërkesa konkrete si “Marrjen e masave të menjëhershme për trajtimin dhe rehabilitimin psiko-shëndetësor të viktimës, duke i ofruar shërbime emergjente” si dhe kërkon që “autoritetet përkatëse të marrin masa për mbrojtjen e jetës private të  miturës dhe familjes, si dhe të mospublikimit të të dhënave për këtë rast (përcaktime këto të parashikuara nga nenet 33 dhe 43 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur)”.

Rrjeti i organizatave “Zëri i të Rinjve” dhe  anëtarët e rrjetit kanë një eksperiencë të gjatë në fushën e të Drejtave të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues, ku kanë ndihmuar me qindra gra dhe vajza çdo vit për të pasur akses në shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe seksual, nëpërmjet shërbimeve miqësore shëndetësore,  edukimit seksual dhe plotësimit të kurrikulave shkollore me materialet edukuese, e të tjerë.

Deklarata e plotë e rrjetit të organizatave “Zëri i të Rinjve”:

TË DREJTAT E SHËNDETIT SEKSUAL DHE RIPRODHUES JANË TË DREJTA NJERËZORE

Mbi rastin e abuzimit seksual të një vajze të mitur nga një grup bashkëmoshatarësh në Qytetin e Kavajës (vepër penale e parashikuar nga neni 100 /2 të Kodit Penal)

Rrjeti i Organizatave “Zëri i të Rinjve”, që nga momenti i publikimit të rastit të abuzimit të një vajze të mitur nga një grup bashkëmoshatarësh, ka ndjekur me kujdes rastin në fjalë. Nëpërmjet kësaj deklarate publike, Rrjeti “Zëri i të Rinjve” kërkon që të tërheqë vëmendjen e autoriteteve për ta trajtuar këtë çështje me një kujdes të veçantë etik dhe profesional. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e ngjarjes, nxisim dhe kërkojmë nga autoritet përgjegjëse ta trajtojnë ngjarjen sa më shpejt me  angazhimin e duhur dhe maksimal, në  zbatim të detyrave dhe përgjegjësive që ka secili autoritet  dhe në përputhje me normat dhe detyrimet që parashikon Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur.

Për këtë arsye Rrjeti i Organizatave “Zëri i të Rinjve” kërkon:

1.Marrjen e masave të menjëhershme për trajtimin dhe rehabilitimin psiko-shëndetësor të viktimës, duke i ofruar shërbime emergjente. Këto shërbime duhet t’i ofrohen si viktimës, ashtu edhe anëtarëve të tjerë të familjes, shërbime këto të parashikura nga udhëzimi nr.816, datë 27/11/2018. Njësojshmëri për trajtim psiko-social paraqesin edhe bashkëmoshatarët e tjerë, që nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarje, por që janë të prekur nga zbardhja e kësaj ngjarjeje.

2.Autoritetet përkatëse të marrin masa për mbrojtjen e jetës private të miturës dhe familjes, si dhe të mospublikimit të  dhënave për këtë rast (përcaktime të parashikuara nga nenet 33 dhe 43 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur).

Rrjeti i organizatave “Zëri i të Rinjve” dhe anëtarët e rrjetit kanë një eksperiencë shumë të madhe në fushën e të Drejtave të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues, duke ndihmuar me qindra gra dhe vajza çdo vit për të pasur akses në shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe seksual, nëpërmjet shërbimeve miqësore shëndetësore,  edukimit seksual gjithëpërfshirës dhe plotësimit të kurrikulave shkollore me materialet edukuese, si edhe formim të aftësive të duhura për një jetë të shëndetshme . Për të  parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen, Rrjeti “Zëri i të Rinjve” kërkon nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë  dhe çdo aktor tjetër që punon në këtë fushë, që:

  • Kurrikulat e Edukatës Gjithëpërfshirëse Seksuale dhe Shëndetësore dhe aftësimit për jetën  të shtrihen në të gjitha shkollat e vendit dhe mësuesit të trajnohen për një mësimdhënie të përshtatshme dhe të duhur sipas moshës. .
  • Shërbimet Shëndetësore Miqësore për të rinjtë të jenë pjesë e paketës se shërbimeve në sistemin parësor shëndetësor. Të trajnohen ofruesit e kujdesit shëndetësor për të ofruar këto shërbime. Pjesë e këtij procesi duhet të jenë edhe mjekët e shkollave. Ky objektiv është i parashikuar edhe në objektivin 3.4 të Planit të Veprimit të Rinisë 2015-2020.
  • Të rritet roli i psikologut dhe punonjësit social në shkolla, me qëllim kapjen e hershme të rasteve të abuzimit seksual ndërmjet bashkëmoshatarëve.
  • Të ngrihen rrjetet e edukatorëve bashkëmoshatar në shkolla si një mënyrë efikase e testuar në botë për parandalimin e rasteve të abuzimit seksual. Ky objektiv është i parashikuar edhe në Planin e Veprimit të Rinisë  2015-2020.
  • Të rritet efektiviteti i punës të strukturave shtetërore të mbrojtjes së fëmijëve në nivel lokal, për t’u gjendur më pranë problemeve të ndjeshme qe kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të fëmijëve.
  • Të ndërmerret menjëherë një fushate kombëtare sensibilizimi mbi të gjitha format e dhunës, duke targetuar adoleshentët dhe denoncimin e rasteve aktuale.

Anëtarët e Rrjetit “Zëri i të Rinjve” angazhohen në ndërmarrjen e nismave për respektimin e të Drejtave të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues për të siguruar të rinjve dhe të rejave një jetë me mirëqenie të plotë mendore, fizike dhe sociale.

Kjo deklaratë mbështetet nga këto organizata:

AIESEC Albania

Aksion Plus

Albania Community Assist

Fondacioni Arsimor Shqiptar

Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut

Grupimi “Pesë Plus”

INFINIT PLUS

Klubi i të Rinjve “Petro NINI”

Observatori për të Drejtat e Fëmijëve

Qendra “ACT for SOCIETY

Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore

Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD)

Qendra TED (Trajnim, Edukim, Demokraci)

Roma Active Albania

Rrjeti Kombëtar i Edukatorëve Bashkëmoshatarë -Y-PEER Albania

SOS Fshatrat e Fëmijëve-Shqipëri

Together for Life

Young Men’s Christian Association

Young Ëomen’s Christian Association

 

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.