A keni dëgjuar për batanijet ekologjike? I gjeni tek Liqeni!
Nëse thua “batanije”, mendja të shkon tek ato të ngrohtat që mbështillesh mirë e mirë, në këto ditë me shi. Në fakt, i njëjti koncept është, por nga kushte ekstreme të motit mbrohet toka. E kemi fjalën për “batanijet ekologjike”, të cilat në këtë ditë vjeshte kanë mbuluar rreth 15 mijë metra katror në Parkun e Liqenit.
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, drejtori nën varësinë e Bashkisë Tiranë, ka sjell për herë të patë këtë risi në Shqipëri. Sipas specialistëve të institucionit, batanijet të njohura ndryshe edhe si “gjeogride” janë jo vetëm me funksion zbukurues, pra bar estetik, por edhe e mbrojnë Parkun nga ndryshimet klimaterike.
“Batanijet natyrale janë një ndërthurje e materialeve bimore, kryesisht me leshterikë deti, arrë kokosi, kashtë gruri, etj ” tregon për Pozitivin, Erinda Fino, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.
Sipas saj, ideja erdhi si pjesë e projektit Brigaid “Bridging the gap for innovation in disaster resilience”, i cili mundëson vendosjen e tapeteve natyrale në kuadër të Projektit programi Horizon 2020 pjesë e Komisionit Europian.
Po si ndikojnë ato në natyrë? Sipas Erinda Finos, “Mbron sipërfaqet e veshura me bimësi barishtore kundër motit ekstrem, mbron tokën nga gërryerjet dhe rrëshqitjet, si dhe i vjen në ndihmë komunitetit për të siguruar shëtitjet e tyre të qeta në ambientet e Parkut të Liqenit. Gjithashtu është dhe kundra zjarrit”, tregon Fino.
Bashkia e Tiranës, premton se vendosja e këtyre “batanijeve” krijon një ambient tërheqes të skarpateve të rrugëve pedonale, pistës së vrapimit dhe korsive të biçikletave, me një gjelbërim të përhershëm dhe estetikisht të bukur.
Risi për Shqipërinë?!
Në Shqipëri është risi përdorimi i tapetit natyral. Më herët në vend janë përdorur forma të gjeogridit, kryesisht në skarpatet e rrugëve të reja nacionale. Për skeptikët që thonë se “batanija” është thjesht “bar”, ju themi se po. Në fakt, ky tapet natyral është i thurur me përbërës bimor dhe para shtrimit në skarpat është hedhur farë bari dhe humus, që mbas 7-12 ditësh mbinë dhe bëhet një me tapetin natyral, i cili brenda 2-3 vjetësh kalbet dhe bëhet ushqyes për barin e mbirë.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.





