A do zgjidhen/ U strehuan 85 familje rome, banorët kërkojnë investime në rrugën “Lekë Gjiknuri”
Një vit më parë në rrugën “Lekë Gjiknuri” në njësinë administrative numër 1 janë stabilizuar rreth 85 familje rome. Popullsia është shtuar në këtë lagje por rruga kryesore vazhdon të jetë në gjendje të keqe, prej 25 vitesh.
Sami Gerbulli ndërlidhës me komunitetin dhe banor i kësaj zone, gjatë takimit të organizuar nga QKSCSH në kuadër të projektit “Forume Qytetare” kërkoi që Bashkia Tiranë t’i kushtojë më shumë vëmendje kësaj zone. 60 vjeçari shton se s’kanë as qendër shëndetësore, kënde sportive dhe parqe për fëmijë dhe të moshuar. Problem si në shumë lagje të kësaj njësie edhe te rruga “Lekë Gjiknuri” janë kanalizimet e ujërave të zeza.
“Kjo është zonë informale dhe duhen investime nga fillimi. Te rruga “Lekë Gjiknuri” janë bërë punime pjesërisht në kanalet e zeza kurse te pjesa tjetër shkojnë në sipërfaqë. Rruga është rreth 1 kilometër. Që 25 vite është në këtë gjendje, që nga koha kur kam ardhur unë këtu. S’ka vënë dorë kush. Investimet duhet të nisin nga kanalizimet pastaj të shtrojnë rrugën. Si zonë është shumë e populluar. Në këtë rrugë është bërë dhe qendra sociale e komunitetit rom dhe jemi shtuar në numër si popullsi”, thotë Samiu.
Prej 18 vitesh është ndërlidhës me komunitetin në këtë zonë dhe i di mjaft mirë problematikat. “Unë jam ndërlidhës me komunitetin prej 18 vitesh në këtë zonë. Probleme ka shumë. Ne s’kemi as parqe as terrene sportive, por në rradhë të parë s’kemi rrugë për të shkuar tek shtëpia jonë. S’ka as parqe për fëmijët as vend për të moshuarit.
Tashmë janë stabilizuar edhe romët tek ish-reparti. Komuniteti rom ka 1 vit e gjysmë që është vendosur aty, më herët kanë qenë nëpër barake. Komunitetin rom gjithashtu e kap rruga “Lekë Gjinkuri”, që do të thotë se jemi shtuar në numër si banorë. Nga komuniteti rom janë zhvendosur 85 familje. Di të them sa ka nevojë për investime në disa drejtime”, përmbyll 60 vjeçari.
Një tjetër banore në rrugën “Lekë Gjiknuri” gjithashtu pohon se rruga është jashtë çdo standarti. “Rruga e lagjes është shumë problem, e pashtruar, si gurore, që këtu deri te rruga lart. Mund të ketë disa vjet vjet që nuk është vënë dorë fare në lagjen tonë. Kanë ardhur ta shohin veç për vota, po si duket të kaojmë, si të ecim, si janë kanalizmit as nuk duan t;ja dinë. Ne vazhdimisht kërkojnë të investohet por ende jemi në pritje”, thotë që qytetare, banore e zonës.
Kërkesat primare të banorëve të kësaj njësia janë investime në rrugë, në ndriçim, shkolla dhe ngritja e një qendre shëndetësore. Zoti Sami shprehet se “ka 7000 e ca banorë që s’kanë asnjë qendër shëndetësore. Në vend që qytetarët të shkojnë te qendra shëndetësore shkojnë direkt te spitali”. Shtimi i numrit të popullsisë e ka bërë edhe më të domosdoshëm ngritjen e një qendre shëndetësore, ku ata të drejtohen në rast nevoje.
Në këtë njësi dhe këtë rrugë mungojnë dhe hapësirat e gjelbërta për fëmijë, të moshuar apo terrene sportive për të kryer aktivitete fizike. “Rruga “Lekë Gjiknuri” është pa gjelbërim, pa trotuare, pa stola. Nuk ka kurrkund. Nëse duam të ulemi diku, duhet të shkojmë detyrimisht në klub”, tha një tjetër, ndërkohë që shqetësimi për mungesën e mbledhjes së plehrave apo dalja e ujërave të zeza në sipërfaqe të rrugës është i vazhdueshëm për banorët e Njësisë nr.1 në Tiranë.
Në njësinë administrative numër 1 banorët kërkuan rehabilitimi të rrugës “Idriz Dollaku”, investime në banesat sociale pasi u mungojnë muret rrethuese. Ata shprehen se ka mungesë ndriçimi në rrugën “Shemsi Haka”, mosmirëmbajtje e rrugëve (rruga drejt Liqenit të Farkës), kerkojne rikonstruktim te bllokut “Spahiu”. Në rrugën “Lekë Gjiknuri”, sipas një tjetër banori nevojitet investim total. Në rrugën “Ali Demi” dikush tjeter thote se duhet rregulluar rrugica para pallatit 185. Kurse rruga “Nazmi Rushiti”, s’ka trotuar dhe sinjalistikë. Banorët e njësisë 1 kanë një sërë kërkesash dhe nevojash, të cilat ndikojnë në cilësinë e jetesës.
Pas evidentimit të problematikave nga banorët vëmë re se ka akoma shumë për të bërë në këtë njësi. Redaksia jonë jo vetëm do të ngrejë shqetësimet e qytetarëve, por do të ndjekë se sa prej tyre do të marrin zgjidhje.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
