A do zgjidhen/ Në njësinë 9, rrugë të ‘bllokuara’ për këmbësorët
Shaqir Kacani, 58 vjeç, me origjinë nga Fushëkruja, ka ardhur në Tiranë përpara 20 vitesh. Po kaq vite ka që jeton në rrugën “Hamit Shijaku” në njësinë administrative numër 9. Gjatë forumit të zhvilluar nga QKSCSH në njësinë administrative numër 9 në kuadër të projektit “Forume Qytetare”, Kacani ndërsa parashtroi problematikat e zonës, vuri theksin tek rruga “Hamit Shijaku”, e cila është e prishur. Gjithashtu foli dhe për koshat e mbeturinave që kanë bllokuar trotuarin për banorët e një tjetër lagjeje. Bëhet fjalë për rrugën “Haxhi Dalliu”.
“Rruga Hamit Shijaku dhe Haxhi Dalliu janë afër me njëra-tjetrën dhe tek të dyja shfaqen problematika të ndryshme. Gjendja e rrugës Hamit Shijaku është me shumë gropa, pa asfaltim, pa ndriçim është errësirë, mungojnë sinjalizimet rrugore. Kjo është një zonë në qendër të Tiranës dhe ka shumë lëvizje. Këtu ka dhe një parking dhe ka gjithashtu edhe lëvizje makinash”, thotë 58 vjeçari gjatë një pronocimi për QKSCSH.
Në këtë lagje janë mbi 700-800 banorë. Kurse rruga është rreth 100 metra, e cila përdoret më shumë nga familjet dhe këmbësorët. “Janë shumë familje që lëvizin edhe me fëmijë. Më shumë duhet shtruar për këmbësorët sesa makinat. Pasi është një rrugë shumë e lëvizshme në këmbë. Në tërësi janë rreth 100 metra rrugë në mos gaboj dhe 700-800 banorë. Në këtë gjendje rruga është prej vitesh edhe pse shpesh është thënë se do të bëhen ndërhyrje ende vazhdon po njësoj. Nuk është investuar në të asnjëherë”, shton më tej 58 vjeçari.
58 vjeçari është ndërlidhës në zonën 53 dhe 74. Ka 20 vite që punon si administrator pallati dhe gjithmonë është përpjekur të orientojë problemet drej zgjidhjeve. “Unë merrem me administrim pallati tek New York-u. Të administrosh një pallat ka qenë dhe është e vështirë. Kam 20 vite që administroj pallatin. Pallati është shumë i madh me biznese dhe banorë. Të paktën përpiqemi me u dhënë drejtim problemeve me aq sa kemi në dorë”, thotë ai.
Një tjetër problem që banori e shtron për zgjidhje janë dhe koshat e plehrave në mes të rrugës “Haxhi Dalliu”, që kanë bllokuar rrugën e këmbësorëve. “Në një tjetër rrugë të kësaj njësia, që quhet Haxhi Dalliu problem janë koshat e mbeturinave. Në njërin krah lëvizin makinat dhe aty është dhe një parkim, i pa lejueshëm në fakt. Aty tek kazanat parkojnë dhe makina, si pasojë njerëzit detyrohen të kalojnë në mes të rrugës, për shkak se trotuari është i bllokuar. Mbeturinat hidhen m’u në trotuar. Kazanat janë m’u në rrugë te këmbësorëve, jo siç vendosen në vende të tjera.
Njerëzit kalojnë nga rruga e makinave për shkak se vendi i tyre bllokohet nga mbeturinat dhe makinat që parkohen por edhe për shkak të erës së rëndë. Ngjitur janë edhe disa dyqane, një furrë buke, dhe erërat e mbeturinave janë problem edhe për ta. Të gjithë banorët e lagjes edhe ata të pallatit përballë janë ankuar për këtë problem por që s’dimë si ta zgjidhim. Për ne zgjidhja mendojmë se është të gjendet një vend më i përshtatshëm për koshat, por jo shumë larg. Banorët kërkojnë të bëhet diçka me patjetër”, përmbyll Kacani. Këto janë 2 shqetësimet e ngritura nga ndërlidhësi i kësaj zone, për të cilat presin zgjidhje së shpejti, pasi bëhet fjalë për një zonë pranë qendrës, që ka fluks të lartë njerëzish.
Në njësinë 9 qytetarët kanë ngritur një sërë kërkesash dhe problemesh të tjera. Një banore u shpreh se në disa rrugica shqetësim mbetet infrastruktura. “Në rrugët “Sulejman Pasha”, ‘Andrea Zeneli’, ‘Pirro Naço’, ‘Gazmend Zali’, ‘Dea Reçi’, s’ka ndriçim dhe rrugë pa asfaltim. Në zonën 47, 48, 49 problem kryesor janë rrugët me gropa, kanalizimet, pusetat e pambyllura etj”, thotë një 57 vjeçare.
Banorët ku kanë mundur kanë bërë vetë investime, për të përmirësuar gjendjen e rrugëve. Ndërkaq kanë marrë edhe masa rrethanore, duke veshur çizme kur kalojnë në rrugët me gropa. “Ku kemi mundur mundur jemi përpjekur ti rregullojme vete gropat me zhavorr. Në raste të tjera, gjatë dimrit veshim çizme, kur kalojmë në rrugët që janë me gropa. Jemi të detyruar që gjatë dimrit të veshim çizme, sepse rrugët me gropa mbushen plot me ujë”, shton një tjetër banore e kësaj njësie. Problem jane edhe kanalizmet e ujërave të zeza. “Në zonën 77, nga Unaza deri tek Bregu i Lumit dhe nga rruga Jordan Misja deri tek shinat e trenit ka probleme me kanalizimet e ujërave të zeza duke qenë se është zonë në ndërtim”.
Në një zonë pranë rrugës së Paskuqanit shkolla është larg, thotë një tjetër qytetar. Nxënësve u duhet 1 orë kohë në ditë për të shkuar në shkollë. Gjithashtu shtoi problemin me koshat e mbeturinave dhe mungesë ndriçimi nëpër lagje. “Nxënësit çdo ditë duhet të ecin në këmbë një orë për të shkuar në shkollë se e kanë larg. Plus që disa rrugicat nuk kanë ndriçim fare, janë në errësirë. Kjo e bën dhe më të vështirë për të rinjtë dhe adoleshentët të lëvizin pasi fillon të bjerë nata”, thotë ai.
Edhe rruga “Mine Peza” është e pashtruar dhe me shumë gropa. Shqetësuese janë gjithashtu ujërat e zeza; në parqet publike mungojnë stola. Duhen më shumë thonë banorët. Në zonën 72, 73, 76, nga rruga “Syri Kodra”, “Dine Hoxha” deri te lidhja me rrugën e Paskuqanit banorët kanë problem kryesor legalizimet. Ata i kanë plotësuar të gjitha kriteret e duhura por ende nuk kanë mundur të marrin në dorë certifikatën e pronësisë. Në këtë njësi bashkiake në zonën pas muzeut, të rinjtë kërkojnë një qendër rinore që të jetë funksionale si për djemtë dhe vajzat, fushë basketbolli etj. Nevojiten më shumë kënde lojërash mes pallatesh dhe terrene sportive publike për grupmosha të ndryshme.
Pas evidentimit të problematikave nga banorët vëmë re se ka akoma shumë për të bërë në këtë njësi. Redaksia jonë jo vetëm do të ngrejë shqetësimet e qytetarëve, por do të ndjekë se sa prej tyre do të marrin zgjidhje.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
