6 VITE PËRPJEKJE, QË DËSHTUAN NË 1 DITË
05/02/2021 Shpërndaje

6 VITE PËRPJEKJE, QË DËSHTUAN NË 1 DITË

Energjike dhe e talentuar, Ilisia Abazaj punon prej gjashtë vitesh në fushën e produkteve artizanale. Nënë e një djali, ajo u frymëzua nga jeta personale si prind, për të nisur krijimin e më pas tregtimin e lodrave me material delikat për fëmijët e vegjël. Kështu, themeluesja e Teepe Art Tirana, një faqe online në rrjetet sociale, që klikohet më së shumti nga prindër të rinj vendosi që pas disa vitesh të çelë një dyqan fizik. Biznesi i saj i vogël, sapo kishte nisur të “lulëzonte” por pandemia Covid-19 preu dhunshëm investimin.

“Para një viti ne vendosëm të hapnim një dyqan, për të qenë më afër me klientët tanë. Kjo pasi kemi të bëjmë më produkte artizanale për fëmijë, argëtimi si tenda, kukulla dhe produkte dekorative, të cilat janë të nevojshme që të shihen nga afër. Ne morëm një mbështetje financiare të vogël nga Bashkia e Tiranës, por investimi kërkoi një fond shumë më të madh se ai që kishim marrë. Unë vendosa të guxoj dhe mora me qera një ambient rreth 100 metra katror, ku kisha menduar të kisha dy zona. Pjesën e punishtes dhe dyqanin fizik, ku do të ekspozoja mobilje për arredimin e dhomave të fëmjëve” tregon për Pozitivin sipërmarrësja Abazaj.

Investimi për një biznes të vogël si ky i prodhimit të lodrave artizanale për fëmijë, ishte i madh për Ilisia. Ajo tregon se bleu gjithashtu makineri për atelienë e re dhe nisi shtimin e stafit.

“Në datën 10 Mars 2020 ne do të bënim inagurimin e ambientin, kur në fakt i mbyllëm dyert e dyqanit për shkak të karantinës në të cilën u fut vendi. Ishte “shock” i madh, ishin të ardhura të hedhura dëm. Por, jo vetëm kaq, kjo situatë na jepte shumë pasiguri pasi nuk do të gjenerohej asnje e ardhur nga biznesi” shprehet ajo.

Biznesi i Ilisias ishte një ndër mijëra të ngjashëm që mbyllën dyert nga muaji Mars e deri në Maj të vitit që lamë pas. Sipas të dhënave të Tatim Taksave Vendore, në kryeqytet kanë pezulluar punën mbi 2 mijë biznese të vogla, nga 47 mijë të regjistruar zyrtarisht deri në atë periudhë.

KTHIMI TEK ONLINE SI MJET MBIJETESE

Biznesi i krijueses nga Tirana, kishte nisur nëpërmjet internetit dhe shpëtimi qe po ai, kur vendi u vu nën karantinë.  Abazaj shprehet se dyqani qindra metra katror,  i mbyllur tashmë nuk mendohej më të hapej.  Bizneset e ngjashëm me të Ilisias, pësuan të njëjtin fat. Këto njësi tregtimi, të cilat nuk shisnin produkte bazike, kanë qenë ndër më të goditurat nga kriza e Covid-19.

“Unë si konsumatore por edhe si sipërmarrëse po shikoja se si klientët po tkurreshin dhe po drejtoheshin tek blerjet shumë bazike. Në atë moment mendoja, kush do të blejë kukulla tek mua. Pas pak ditësh hulumtimi nga ana ime, mendova si nënë vetë, se cili produkt i imi mund t’i shpërqëndroj fëmijët dhe do të lehtësonte prindërit. Ishin tendat. Investova vetëm tek ato” shprehet për Pozitivin Ilisia, kur rrëfen mbijetesën pas mbylljes që ju bë dyqanit të saj dhe falimentit të investimit të ri.

Gjatë periudhës së karantinës, biznesi i saj u përqëndrua në prodhimin e tendave të personalizura, të cilat i prodhonte në kushtet e shtëpisë. Orën e mundësisë së lëzijes, ajo tregon se përdornin korrierët, për të dërguar porositë në shtëpi.  Kjo zgjidhje, ishte praktikisht e ardhmja e biznesit të saj.

Në momentin që dolëm nga karantina, biznesi ynë ka qenë ndër të fundit që u lejua të hapej. Pamë sjelljen e klienteve. Ata kërkonin që produkti t’i vinte në shtëpi. Ndaj ëndrra ime ku kërkoja që klientët të vinin e t’i shihnin nga afër produktet e shbë. Investim nuk kam bërë më. Mu preh hovi. Për aq kohë sa klientët vijojnë kërkojnë që porosia t’ju vijë në shtëpi dhe të jenë sa më komod, ne do të vazhdojmë kështu” përfundon tregimin sipërmarrësja, biznesi i së cilës u prek direkt nga pandemia.

“TË MIRAT” QË U GODITËN NGA PANDEMIA

Nga të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Tatim Taksave Vendore të Bashkisë Tiranë, njësitë e shërbimit si parukeritë, shërbimet e fotokopjimit, pastrimet kimike, por edhe tregëtia me pakicë si veshjet, këpucët, e të tjera si këto kanë qënë ndër bizneset më të prekura nga pandemia. Të dhënat e Qendrës Kombëtarë të Biznesit pasqyrojnë një realitet trishtues, për vitin 2020, ku 4887 mijë subjekte mbyllën plotësisht aktivitetin e tyre dhe mbi 7 mijë të tjerë pezulluan punën. Shumë prej atyre sipërmarrjeve të vogla, të cilat shkurtuan staf dhe reduktuan shpenzimet, e kanë kthyer aktivitetin e tyre tek interneti dhe shitja përmës rrjeteve sociale. Kjo për faktin se në vend nuk ka ende një rregullator të qartë për biznesin online dhe në këtë formë nuk paguhen taksa të ndryshme që lidhen me sipërmarrjen fizike të një dyqani, apo njësie shërbimi.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.