40 vajza dhe gra me emrin Saranda, nga politikanet tek akademiket…mblidhen në Sarandë, gazetarja zbulon simbolikën e rrallë të takimit
10/02/2018 Shpërndaje

40 vajza dhe gra me emrin Saranda, nga politikanet tek akademiket…mblidhen në Sarandë, gazetarja zbulon simbolikën e rrallë të takimit

Të premten 40 vajza dhe gra nga Kosova me emrin Saranda udhëtuan të gjitha së bashku drejt qytetit të Sarandës. Ndonëse në sezonin e dimrit, vizitoret speciale kanë shkelur në qytetin bregdetar për një arsye tepër simbolike, që duhet vlerësuar. Gjatë një interviste për pozitivi.org gazetarja Saranda Ramaj e cila ka bërë të mundur organizimin, tregon se ky udhëtim është simbolik e bashkimit të jugut të Shqipërisë me çdo cep të Kosovës. Ideja ka qenë e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë Qemail Mingjozi, dhe është realizuar në kuadër të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Ramaj tregon për Pozitivin se emri Saranda në Kosovë është më i shpeshti në vitet 90. Ndërsa vetë ajo në “shkollën fillore në fshat ka qenë në të njëjtën klasë me 4 Saranda”. Sarandat e mbledhura në këtë udhëtim janë 40 vajza dhe gra me emra të njëjtë por me 40 histori të ndryshme të vënies së emrit. Ato janë të profileve të ndryshme në karrierë, si  deputete, artiste, staf akademik në fakultetit, zyrtare shtetërore, gazetare e të tjera. Gazetarja Saranda Ramaj, një prej organizatoreve, tregon më shumë përmes intervistës së shkurtër me Pozitivin rreth kësaj nisme të bukur e cila mendohet të jetë një traditë edhe në vazhdim.

Intervista për pozitivi.org me Saranda Ramaj:

Pozitivi: Së fundmi kemi parë fotot tuaja ndërsa po planifikonit udhëtimin me 40 vajza që quhen Saranda. Më tregoni pak më shumë për këtë nismë nëse mund ta quajmë kështu? Si lindi si ide dhe çfarë qëllimi ka?

Saranda Ramaj: Ideja ishte e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë. Z. Qemail Mingjozi… i cili me ka kontaktuar rreth një muaj më parë. Unë kam marrë përsipër të zgjedh vajzat, të cilat janë 40. Ky udhëtim për ne është shumë emocional për disa arsye. Është simbolik e bashkimit të jugut të Shqipërisë me çdo cep të Kosovës. Emri ynë lidhet dy ekstreme të Shqiptarisë.

Emri është vendimi i parë i rëndësishëm i prindërve për fëmijët, ndaj dhe prindërit tanë këtë vendim e kanë marrë duke pasur mall për qytetet shqiptare. Kësisoj nga pamundësia e prezencës në Shqipëri ata pagëzuan fëmijet si simbolik për mallin e dashurinë për Shqipërinë. Në dhjetvjetorin e Kosovës, ne patëm kënaqësinë që bashkimin shqiptar ta sjellim në një dimension tjetër.

Pozitivi: Ju personalisht jeni marre me organizimin dhe mbledhjen e vajzave, nje njëfare mënyre keni qenë ura lidhëse. Çfarë ndjesie është për ju të bëheni bashkë me 40 vajza të tjera që kanë të njëjtin emër me ty? Të 40 vajzat janë me origjinë nga Kosova apo ka dhe nga jugu i Shqipërisë?

Saranda Ramaj: Emocion i jashtëzakonshëm. 40 vajza me emra të njëjtë me 40 histori të ndryshme të vënies së emrit. Sarandat janë të profileve të ndryshme. Prej deputete, artiste, staf akademik të fakultetit, zyrtare shtetërore, gazetare etj.

Pozitivi: Në Sarandë jeni nisur ditën e djeshme. Si shkoi, çfarë keni planifikuar?

Saranda Ramaj:  Cdo gjë ka shkuar shumë mirë. Sot tërë ditën kemi vizituar pjesën historike të qytetit. Nesër do të zhvillojmë disa takime dhe më pas do të kthehemi.

Pozitivi: A do jetë kjo një traditë e vazhdueshme apo do përfundoje këtu?

Saranda Ramaj: Ne do të kemi edhe aktivitete të tjera që lidhen me këtë çështje, në vazhdim.

Pozitivi: Është hera e parë për ty dhe vajzat/ zonjat e tjera që vizitoni Sarandën? Çfarë përshtypjesh keni për këtë vend dhe banorët tashmë që keni shkelur aty?

Saranda Ramaj: Për mua jo… për disa nga vajzat po. Perveçse i bukur, qytet shumë miqësor… jemi të mahnitura me pritjen që na është bërë dhe me dashurinë e banorëve të Sarandës.

Nga Beklie koltraka

© 2018 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.