3 kryeministra shqiptarë në Ballkan, më i riu Abazoviç, si u kthye nga “tradhtar” në hero
Për herë të parë një shqiptar është zgjedhur në krye të qeverisë së Malit të Zi. Parlamenti i këtij vendi votëbesoi kryeministrin Dritan Abazovic dhe kabinetin e tij. Edhe pse qeveri e pakicës, ajo u miratua me mbështetjen e deputetëve të partisë së presidentit Gjukanoviç. Pas zgjedhjes së Abazoviç, për herë të parë në histori, në Ballkan, i cili përbëhet nga 7 shtete, tre kryeministra janë shqiptarë. Pas Kosovës e Shqipërisë, edhe në Mal të Zi është një kryeministër shqiptar, Abazoviçi që vjen nga Ulqini.
Pas një seance disa orëshe debati, kabineti i Abazoviç mori 45 vota pro nga 81 që janë në Parlamentin malazes, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër. Për qeverinë e Abazoviçit votuan 16 deputetë të partive që përbëjnë koalicionin qeveritar si dhe 29 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve të Milo Gjukanoviqit, i cili nuk ka përfaqësues në qeveri. Partitë ne pushtet janë Lëvizja Qytetare URA, e kryeministrit Abazoviç, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.
Në seancë nuk morën pjesë deputetë nga Fronti Demokratik Pro-Serb dhe Demokratët, të cilët kundërshtojnë fuqishëm Qeverinë e pakicës. Kryeministri Dritan Abazoviç tha se objektivi i qeverisë së re është zhbllokimi i procesit te integrimit evropian të Malit të Zi dhe zgjedhjen e pozitave udhëheqëse në gjyqësor.
Përfaqësuesit e shqiptarëve, ndërkaq, kanë marrë dy poste ministrore. Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është zgjedhur kreu i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, ndërsa ministër i Administratës Publike është Marash Dukaj nga Alternativa Shqiptare. Kabineti i ri pritet të ketë në përbërje 18 ministri dhe katër zëvendëskryeministra.
Si u bë Abazoçi nga “tradhtar” në hero?
Abazoviç u duartrokitet pasi u bë shqiptari i parë që ia doli të zgjidhet në krye të qeverisë malazeze. 36 vjeçari që drejton Lëvizjen URA ishte edhe lideri i parë që nxori nga pushteti pas tre dekadash, Milo Gjukanoviçin, simbolin kryesor të politikës malazeze gjatë gjithë kësaj kohe.
36 vjeçari që drejton Lëvizjen URA ishte edhe lideri i parë që nxori nga pushteti pas tre dekadash, Milo Gjukanoviçin, simbolin kryesor të politikës malazeze gjatë gjithë kësaj kohe. URA, një parti e re, e themeluar në vitin 2015, duke u bërë pjesë e Platformës Civile “E zeza në të bardhë” në korrikun e 2020, e bëri Abazoviçin atë që vendoste rregullat e lojës.
Me 5.5% të votave, me vetëm 4 ulëse në Kuvend, ai solli në pushtet Frontin Demokratik pro-serb dhe Demokratet dhe beri kryeministër Zdravko Krivokapiç. Pas rreth një viti e pak muaj, Abazoviç ishte ai që do të përflitej si pasardhës i liderit pro-serb. Për këtë mori edhe besimin e partisë së Gjukanoviçit, me numrin më të madh të ulëseve në Parlament, gjithsej 30.
Të enjten e 28 prillit, ai edhe u votua. Kjo entuziazmoi shqiptarët gjithandej, që ia hoqën etiketën e tradhëtarit, dhe nisën të krenohen me kryeministrin e tretë shqiptar në Ballkan.
Urimet e politikës shqiptare
Pasi u zgjodh kryeministër, Abazoviç u urua dhe nga politika shqiptare. Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur zgjedhjen e Abazoviç duke shkruar se 3 kryeministra në rajon iu takon që të japim provën si ndërtues urash për paqe. Presidenti Ilir Meta shkroi se është shpresëplotë se marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy shteteve tona do të fuqizohen akoma më shumë në interes të popujve tanë.
Nga ana tjetër edhe ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka uruar kryeministrin e Malit të Zi, për zgjedhjen në krye të qeverisë në Malin e Zi. Sipas Bashës, zgjedhja e Abazoviç si kryeministër është një moment historik për kombin shqiptar.
Në urimin e saj, Kryemadhi thotë se si dy vende mike fqinje dhe aspirantë drejt BE-së, e ardhmja e Shqipërisë dhe Malit të Zi është gjithmonë e lidhur, ndaj shpreson për më shumë bashkëpunim konkret, për më shumë prosperitet të prekshëm për qytetarët e vendeve tona.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
