Gruaja që “vesh” me ngjyra rrugët e Shkodrës
18/06/2022 Shpërndaje

Gruaja që “vesh” me ngjyra rrugët e Shkodrës

Ajo nuk ka mbaruar pikturë, por prej vitesh ka zbuluar një talent krejtësisht të vecantë, Jozefina Delia nga Shkodra realizon murale në qytetin e saj të lindjes. Gjithçka nisi nga rruga “Gjuhadol” ku dikur jetonte në këtë lagje. Kishte filluar të mbushej me mbeturina, por Jozefina mendoi ti jepte jetë lagjes që i fali shumë kujtime. Me shpirtin e saj artistik ajo realizoi murale shumëngjyrëshe.  Shpesherë i është dashur të qëndroi nga mëngjesi në darkë për ti dhënë formë krijimeve të saj, por që gjithmonë ia ka dalë duke sjellë imazhe krejtëisht origjinale. Për “Pozitivi.org” Jozefina tregon më shumë rreth pasionit të saj që i jep ngjyrat e shpirtit artistik.

Jozefina kur ke nisur te realizosh murale?

Në fakt është e çuditshme po unë vetëm para 10 viteve kam kuptuar që di të pikturoj. E kam nisur duke pikturuar në copëza druri me duar për të kuptuar pastaj që mund të realizoj edhe piktura të mirëfillta në telajo . Por përsëri nuk mund ta quaj veten piktore thjesht vajza që pëlqen me lujt me ngjyra. Ndërsa muralet kanë nisur krejt rastësisht.

Cila ka qënë muralja e parë që ti ke realizuar?

Muralen e parë e kam realizuar tek dhoma e femijëve të mi, në fakt unë doja të punësoja dikë ta bënte, por më lindi idea po sikur ta provoj po doli keq do e lyej përseri një faqe muri. Kështu  guxova  dhe doli shumë këndshëm. Më pas vendosa një ditë të pikturoj derën para shtëpisë. Jetoj në “Gjuhadol” ku është një zonë që mbrohet nga ministria e kulturës si zonë muzeale dhe nuk mund të kemi akses në ristaurimin e faqeve të mureve. Duke qënë se është zonë e vjetër tek hyrja ime e shtëpisë njerëzit nuk dinin që aty banohet e kështu mu desh të bëj diçka sepse më shumë dukej si shtëpi e braktisur dhe nuk mungonin rastet që e përdornin edhe si kosh mbeturinash. Mora penelat, dhe i ndryshova faqen dyerve. U impresionova sepse sot e kësaj dite gjej njerëz që jo vetëm e pëlqejnë  por edhe ndalen të fotografohen. U pëlqye nga shumë njerëz dhe shumica më inkurajuan ta vazhdoj. E këtu lindi dëshira ime për të provuar me të.

Jozefina cfarë të frymëzon për realizuar murale?

Unë siç përmënda nuk jam piktore dhe nuk mund të realizoj piktura që kanë shumë detaje, zgjedh kryesisht ngjyrat dhe më inspiron shumë stili i Gaudit. Ato ngjyrat mozaik në Spanjë, dhe kam vendosur pikërisht ta realizoj në rrugën e “Gjuhadolit” pasi është një ndërthurje midis modernes dhe së vjetrës. Janë bukur tek njëra tjetra.

Cfarë murale ke dëshiron ta realizosh?

Po kam sa kohë që po mendoj të realizoj një murale tek një porte e vogël. Kam ëndërr të realizoj “The Kiss”, “Klimt”, por më duket shumë sfiduese, ama ia kam vënë syrin vendit dhe mendoj se do e bëj shpejt. Unë e kam shumë pasion pikturen por jo vetëm, unë kam pasion handicrafts dhe riciklimin, unë nuk i hedh në mbeturina shishet boshe i kthej në vepra arti. Kam një faqen time në rrjete sociale Josephine’s Creativity, me këtë emër njihem edhe në qytetin tim, ku dokumentoj të gjithë punimet e mia.

Sa kohë të merr një murale?

Nuk e kam matur kohën, sepse kur jam duke pikturuar unë humbas, nuk flas, jam krejtësisht e përqëndruar, por di që muralet e fundit në “Gjuhadol” i kam filluar në orën 9 të mëngjesit dhe kam përfunduar nga ora 4, por mu më duken si 5 minuta. Ndaj një murale më merr 5 minuta kohë shpirti.

Cili është mesazhi yt për të gjithë artdashësit?

Mesazhi im për të gjithë që duan artin është, vetëm ngjyrat, pasioni dhe dashuria e kanë ndryshuar botën.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.