191 aborte për një mijë lindje në Shqipëri, selektiviteti gjinor problematikë
22/11/2020 Shpërndaje

191 aborte për një mijë lindje në Shqipëri, selektiviteti gjinor problematikë

Për çdo 1000 lindje të gjalla ka patur 191 aborte. Në raportin e fundit të INSTAT(2019) evidentohet se mesatarisht për çdo 5.2 lindje ka ndodhur paralelisht një abort. Ekspertët e shëndetësisë i ndajnë abortet në dy kategori; në atë spontan dhe të provokuar. Abortet spontane mbajnë peshën më të madhe të aborteve duke përbërë në vitin 2018, 79,9 % të totalit.

Po i njëjti raport(Burra dhe gra, INSTAT 2019), evidenton se pjesa më e madhe e aborteve kryhen nga gratë e grup-moshës 20-34 vjeç, e cila është dhe grup-mosha më riprodhuese e gruas.

Treguesit e tjerë të abortit lidhen me moshën, nivelin arsimore dhe statusin sociale të femrave. Raporti tregon në për femrat e moshës 18-vjeçare abortet kanë shënuar statistikë 164 ndërprerje shtatzënie për 1000 lindje të gjalla. Pjesa më e madhe e aborteve, është kryer nga gratë me nivel arsimor 9-vjeçar dhe të mesëm, përkatësisht; 39,2 % dhe 31,0 %. Peshën më të vogël e zënë gratë me nivel arsimi fillor, ndërsa përqindja e aborteve nga gratë me nivel arsimor të lartë zë 24,5 % të totalit. Sipas statusit martesor, 90,5 % e aborteve janë kryer nga gratë e martuara dhe 6,8 % nga gratë beqare. Abortet nga gratë e divorcuara ose të veja janë në nivele shumë të ulëta.

Referuar këtyre treguesve statistikorë të viteve të fundit, UNFPA dhe OBSH po i kushtojnë një rëndësi të veçantë kujdesit perinatal. Kjo përmes hartimit të paketave “Kujdesi Efektiv Perinatal” që përfshiinë edhe trajnimet në sistemin shëndetësor si pjesë e programit të edukimit në vazhdim për çertifikimin e personelit shëndetësor. Janë trajnuar personeli i materniteve rajonale në Shkodër, Vlorë, Korçë, Kukës, Durrës e Tiranë. Për kujdesin spitalor në maternitetet dhe repartet e pediatrisë së spitaleve janë përpiluar 15 protokolle klinike kombëtare për obstetrikën dhe neonatologjinë, si dhe 27 protokolle klinike për pediatrinë.
Këto protokolle shërbejnë për rritjen e cilësisë së shërbimit, dhe përpilimi i tyre bëhet duke u mbështetur në evidence mjekësore ndërkombëtare të bazuara shkencërisht dhe të përshtatura në kontekstin kombëtar. Këto protokolle janë përpiluar nga ekspertë shqiptarë të mbështetur nga ekspertë ndërkombëtarë. Por në lidhje me situatën në Shqipëri të shëndetit të nënës dhe fëmijës, evidentohen ende disa problematika:

Vdekshmëria amtare dhe foshnjore, treguesi vlerësimit të shëndetit të nënës dhe fëmijës, me gjithë përmirësimet që ka, mbetet e lartë krahasuar me vendet e tjera të rajonit Europian.

Vërehen dallime në vdekshmërinë amtare që lidhen me pabarazitë social-ekonomike dhe nivelin e varfërisë midis rajoneve të vendit. Këta tregues janë më të lartë në zonat verilindore të vendit, midis familjeve që janë më të varfëra dhe me nivel më të ulët arsimimi. Po kështu problemet me këtë situate lidhen me:
• Mungesën e burimeve njerëzore dhe infrastrukturës, veçanërisht në disa zona të largëta rurale.

•Vëmendjen e pamjaftueshme ndaj grupeve vulnerable.

•Njohuritë e mangëta në familje dhe komunitet lidhur me nevojat e veçanta të këtyre grupeve vulnerabël, faktorët e lidhur me pozitën, kulturën, statusin social dhe ekonomik të grave, si dhe mos kontrollin e jetës së tyre për të marrë vendime lidhur me shëndetin e tyre. •Nivelin jo të duhur të përfaqësimit të grave në procesin e vendimmarrjes për shëndetin e tyre, pabarazitë në respektimin e të drejtave të grave që thellohen edhe nga vëmendja e pamjaftueshme e shoqërisë, komunitetit në edukimin e meshkujve mbi norma dhe vlera që lidhen me çështje të pabarazisë gjinore si brenda familjes, ashtu edhe në jetën shoqërore.

Pavarësisht hapave pozitivë të bërë nga Shqipëria në kuadër të respektimit të drejtave të njeriut, lirisë së vendimarrjes apo barazisë gjinore, ende në vendin tonë fatkeqësisht evidentohen raste për ndërprerje shtatzënie në bazë të selektimit gjinor. Rritjen e raportit të lindjes te meshkujve krahasuar me femrat flet për mundësinë e abortit selektiv, çka kërkon marrjen e vendimeve dhe propozimin e ndërhyrjeve të duhura për të parandaluar këtë fenomen, që në të ardhmen mund të bëhet më i thelluar dhe të çojë në disbalanca demografike dhe gjinore.

UNFPA në misionin dhe politikat e saj të veprimit në të gjithë botën kundërshton çdo formë aborti shtrëngues apo diskriminues me qëllim selektiviteti të seksit.
Aborti duke patur direkt impakt në shëndetin e nënës, UNFPA kërkon marrjen e të gjithë masave për të trajtuar në anën shëndetësore nënën në rast të abortit spontan.

UNFPA trajnon stafin e kujdesit shëndetësor për të siguruar kujdes pas abortit, si dhe informacion dhe shërbime të shëndetit riprodhues, përfshirë planifikimin e familjes.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.