16 vjeçarja kandidate për Çmimin Nobel
15/03/2019 Shpërndaje

16 vjeçarja kandidate për Çmimin Nobel

Një vajzë 16-vjeçare është nominuar për Çmimin Nobel të Paqes 2019, për fushatën e saj ndërkombëtare në mbrojtje të mjedisit.

Greta Thunberg ka qenë frymëzim për qindra protesta të drejtuara nga të rinjtë në mbarë botën. Fillimisht e nisi lëvizjen e saj në gusht kur organizoi një protestë me nxënës të shkollës para ndërtesës së parlamentit suedez.

Çdo të premte që nga ajo ngjarje e parë, Greta vazhdon të mbajë protesta gjatë së cilave shton presion të mëtejshëm ndaj ligjvënësve suedezë për të ndërmarrë veprime kundër ndryshimeve klimatike.

Me nismën “Fridays for Future” 16 vjeçarja ka nxitur protestesta, me synim kryesor vënien në lëvizje të politikanëve për mbrojtjen e klimës. E guximshme, e fortë dhe me shpirt luftarak, për t’ja arritur qëllimit. Ajo ia ka dalë. Ka udhëhequr protestat e të rinjve në disa vende të botës për këtë kauzë. S’pati frikë të flasë të vërtetën dhe krahas liderve më të mëdhenj, për rrezikun që i kanoset botës për shkak të ndryshimeve klimatike.

Pavarësisht sensibilizimit dhe ndikimit që pati aktivizmi i saj, ka pasur dhe nga ata që s’e kanë marrë seriozisht për shkak të moshës. Edhe ajo vetë është shprehur se me të vërtetë është shumë e re dhe mund të duket absurde që fëmijët të ndërmarrin diçka të tillë. Megjithatë Greta ka deklaruar se e ka detyrim moral të bëjë diçka nëse askush nuk lëviz. Dhe në fakt ia ka arritur qëllimit.

16 vjeçarja u bë njohur me fjalimin që mbajti në Konferencën Ndërkombëtare për Klimën në Katovicë në Poloni. Videoja me fjalimin e saj ka bërë bujë në rrjetet sociale, saqë vazhdon të shihet si shembull suksesi.

Më 12 Shkurt Greta shkoi në Bruksel dhe iu drejtua me një fjalim përfaqësuesve të BE-së , duke u shprehur se ata nuk po bënin aq sa duhet për të parandaluar ndryshimet klimatike. Duartrokitjet u bënë më të forta kur ajo tha se: Udhëheqësit e botës flasin për gjithçka, përveç krizës klimatike. Një mesazh ky mjaft i drejtpërdrejtë për të gjithë politikën.

 

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.