13 ditë pas tragjedisë së tërmetit, nxënësit rikthehen normalisht në bankat e shkollës
Sot 13 ditë pas tërmetit të 26 nëntorit prej të cilit humbën jetën 51 persona nën rrënojat e banesave të tyre të shembura nga lëkundjet e forta me magnitutë 6.4 ballë, shkollat fillojnë normalisht procesin mësimor.
Pasojat e tërmetitit ishin fatale. Zonat më të prekura janë Durrësi dhe Thumana. Përveç jetëve të humbura mbi 600 persona mbetën të plagosur dhe dhjetëra banesa të shembura, e shumë të tjera të dëmtuara në disa zona në vend. Paniku dhe frika pushtoi qytetarët të cilët i kalonin netët jashtë banesave për të qenë më të sigurt.
Të dëmtuara nuk kanë qenë vetëm banesat por edhe institucione, si shkollat. Si pasojë e kësaj tragjedie e cila preku mbarë vendin por edhe shumë shtete të tjera të cilët na u gjendën pranë në këto ditë të vështirë, kryeministri i vendit Edi Rama një ditë pas tërmetit të 6.4 ballë shpalli gjendjen e jashtëzonshme.
Vetë Ministrja e Arsimit Besa Shahini njoftoi pushim për të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e vendit më datën 26 dhe 27 nëntor. Kurse në disa nga zonat më të prekura nga tërmeti mësimi u shty edhe për disa ditë në mënyrë që të evidentoheshin të gjitha dëmet e shkaktuara në shkolla, çerdhe dhe kopshte publike.
Në bashkitë e Kavajës, Rrogozhinës, Lezhës dhe Kamzës mësimi nisi në datën 5 dhjetor. Ndërsa në shkollat e Bashkive të Tiranës, Durrës dhe Kurbin ka filluar ditën e sotme, më datë 9 dhjetor. Të gjithë nxënësit sot i janë rikthyer normalisht procesit mësimor.
Më herët Shahini deklaroi se janë mbi 4800 nxënës, shtëpitë e të cilëve rezultojnë të pabanueshme nga tërmeti. Ndërkaq edhe disa shkolla nuk janë në gjendje për të vijuar normalisht me procesin mësimor. Njoftohet se janë marrë të gjitha masat për zhvendosjen e nxënësve që nuk mund të bëjnë dot mësim në shkollat e dëmtuara, në shkolla të tjera deri kur të krijohen kushtet normale për një proces mësimor të rregullt në vazhdim.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
