Zelensky të nominohet për Nobelin për Paqe
18/03/2022 Shpërndaje

Zelensky të nominohet për Nobelin për Paqe

Mesazhet për armëpushim dhe paqe kanë qenë kryefjalë e çdo deklarate të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Kësisoj një grup figurash të njohura politike nga vendet europiane i bëjnë thirrje Akademisë Suedeze të Nobelit, të nominojë për Çmimin për Paqe edhe presidentin ukrainas dhe të gjithë popullin e këtij vendi.

Përmes një letre drejtuar komitetit të Nobelit, 36 firmëtarët argumentojnë se e gjithë bota është dëshmitare për rezistencën që po i bën populli ukrainas, sulmit rus, në përpjekje për të mbrojtur demokracinë dhe vetëqeverisjen.

Në letër theksohet se populli ukrainas është ngritur në këmbë kundër autoritarizmit dhe se tani është momenti t’u dëshmohet se bota është në anën e tyre.

Shumica e firmëtarëve janë holandezë dhe britanikë, por ka edhe gjermanë, rumunë, bullgarë, sllovakë e estonezë. Afati i propozimeve për kandidatët e Nobelit është mbyllur që më 31 Janar.

Megjithatë, firmëtarët kërkojnë që aplikimet të zgjaten deri më 31 Mars. Gjatë kësaj kohe, të tjerë politikanë dhe figura të njohura mund ta nënshkruajnë këtë kërkesë.

Deri më tani Akademia Nobel nuk ka bërë asnjë reagim. Kërkesa për shtyrjen e afatit të nominimeve është e paprecendentë, siç është edhe lufta në Ukrainë, një rast i rrallë që pas luftës së dytë botërore.

Kush është Zelenksky?

Volodymyr Zelenskyy erdhi në pushtet në vitin 2019, duke marrë drejtimin e vendit prej rreth 45 milionë banorësh. Ai fitoi presidencën duke marrë më shumë se 73% të votave. I lindur në qytetin industrial kryesisht rusishtfolës të Kryvyi Rih në Ukrainën qendrore, babai i dy fëmijëve shihej si më i miri për të pasur sukses në misionin e tij dhe pak pasi u bë president, përdori diplomacinë për të detyruar Moskën të shkëmbente disa grupe të burgosurish ukrainas të luftës. Por vullneti i mirë i presidentit rus Vladimir Putin nuk do të zgjaste, pasi Zelensky nuk e ndryshoi politikën e jashtme pro-perëndimore të vendit të tij në favor të lidhjeve më të ngushta me Moskën.

Vitin e kaluar, Rusia filloi grumbullimin e trupave të saj pranë kufijve të Ukrainës me pretekstin e mbajtjes së stërvitjeve ushtarake.

Pavarësisht paralajmërimeve nga Shtetet e Bashkuara për planin rus për të pushtuar Ukrainën, Zelenskyy u përpoq të ruante qetësinë në vend, duke u bërë thirrje ukrainasve të shmangin panikun.

Megjithatë, ai lëvizi nëpër kryeqytetet e Evropës, duke u përpjekur të sigurojë mbështetje diplomatike, ushtarake dhe financiare për Ukrainën për të penguar Moskën nga pushtimi.

Të enjten, më 24 shkurt, Zelenskyy u bë presidenti më i cenueshëm i Evropës, pasi Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës nga toka, ajri dhe deti. Në këto momente kritike për vendin e tij ai tregoi maturi dhe një lidership për t’u marrë shembull. Zelesky vendosi të mos largohej nga lufta pavarësisht se e kishte një ofertë, por zgjodhi të udhëheqë popullin e tij përballë armikut rus.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.