Ulet numri i aksidenteve në Shqipëri, si po shmanget ky fenomen në rang global
22/11/2017 Shpërndaje

Ulet numri i aksidenteve në Shqipëri, si po shmanget ky fenomen në rang global

Aksidentet rrugore shkaktojnë numër të madh vdekjesh çdo vit, në botë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aksidentet rrugore që shkaktohen nga trafiku çojnë në mbi 1 milionë 300 mijë të vdekur në vit. Këto aksidente në masën më të madhe janë të parandalueshme. Në Raportin e Statusit Global mbi Sigurinë e Rrugëve, për 180 vende të publikuar më herët, tregohet se numri i viktimave që humbin jetën çdo vit në aksidente rrugore po stabilizohet.

Ky është një rezultat pozitiv, duke pasur parasysh se numri i automjeteve sa vjen  dhe shtohet. Një tjetër raport i publikuar nga INSTAT tregon se numri i aksidenteve rrugore dhe të aksidentuarve në Shqipëri ka shënuar ulje këtë vit krahasuar me 2016. Sipas raportit të fundit në muajin tetor numri i aksidenteve rrugore ka rënë me 4.7 %. Në muajin Tetor 2017 numërohen 184 aksidente rrugore nga 193 aksidente të ndodhura në Tetor 2016.

Ndërsa numri i personave të plagosur gjatë muajit Tetor 2017 është 203, nga 230 persona të plagosur në Tetor 2016. Po ashtu në dhjetëmujorin 2017, numri i të aksidentuarve është ulur 6,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me mesataren e personave të plagosur gjatë vitit 2016, ky numër është ulur me 2,9 %.

Nga se shkaktohen aksidentet më të shpeshta dhe si ti parandalojmë? Pozitivi.org raporton se shkaqet kryesore të aksidenteve  janë: mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur, shpejtësia e madhe përtej kufijve të lejuar, kushtet atmosferike, cilësia dhe mungesa e sinjalistikës, mungesën e ndriçimit publik në rrugë, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit e të tjera.

Ndër faktorët kryesorë për shmangien e aksidenteve është zbatimi rigoroz i rregulloreve të trafikut rrugor, si ulja e shpejtësisë së lëvizjes, ndëshkimi i personave që ngasin makinën të ndikuar nga alkooli apo lëndë narkotike, shkruan pozitivi.org. Një tjetër faktori i rëndësishëm është përdorimi i helmetave mbrojtëse gjatë ngarjes së motoçikletës, apo i rripit të sigurisë në makinë.

Ndikon shumë në përmirësimin e situatës edhe reagimi i shpejtë i ekipeve mjekësore pas aksidentit. Vende si Suedia, Britania dhe Holanda kanë arritur të reduktojnë me 80% numrin e viktimave nga aksidentet rrugore gjatë dekadave të fundit nisur nga faktorët e renditur më lart.

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.