TikTok, media sociale që mund të afrojë rininë me gazetarinë?
A është media çdo media sociale? Disa e konsiderojnë të tillë, të tjerë e përdorin aq sa i duhet pa e marë si një mundësi veprimi ose përcimi mesazhesh me një publik të gjerë. në thelb, çfarë është media sociale? Media sociale është një formë komunikimi e bazuar në internet. Platformat e mediave sociale i lejojnë përdoruesit të kenë biseda, të ndajnë informacione dhe të krijojnë përmbajtje në internet.
Megjithatë për të zbërthyer rolin e medias sociale në Shqipëri, @pozitivi.org ka biseduar me gazetarin Elvin Luku. Pedagog pranë Departamentit të Gazetarisë, Luku ka mbrojtur gradën “Doktor”në fushën e Shkencave të Komunikimit dhe njihet si studiues i komunikimit, ndër të paktët që ka guxuar i pari të eksperimentojë edhe me platforma si Tik Tok në portalin e themeluar prej tij @Medialook.
A është media çdo media sociale?
Elvin Luku: Sigurisht, rrjetet sociale kanë ndikuar që mediat klasike si televizioni, gazeta apo radio të marrin një dimension më të gjerë, duke i bërë më “social” në qasjet e tyre online”.
PERDORIMI I MEDIAVE SOCIALE
MEDIAT SOCIALE E INDIVIDI?
Është realitet tashmë që individ mund të prodhojë informacion, produksion, te krijojë komunitet, të raportojë live në cdo moment, të postojë meme, etj. dhe kanë qenë të shumta rastet e krijimit të influencerave që ndiqen nga mijëra persona.
Vitet e fundit ka patur evoluime të jashtëzakonshme të këtyre rrjeteve duke u kthyer gjithnjë e më shumë në media sociale. Rasti më evident është YouTube. Platforma ka ndryshuar filozofinë e saj, është kthyer nga një rrjet i shpërndarjes së videove në një media të fuqishme sociale, duke i krijuar më shumë prioritet prodhimit të videove edhe brenda vetë platformës. Kjo i ka mundësuar jo vetëm të mbijetojë në treg për kaq shumë kohë, por të vijojë ta dominojë atë. Por ka një parim kryesor: çdo media, apo social media, ka gjuhën dhe specifikat e saj të përdorimit.
Çfarë ndodh në Shqipëri? Ka patur arritje por ka ende vend të punohet. Shpesh here, për arsye të ndryshme që ndonjëherë lidhen dhe me burimet e kufizuara njerëzore, mediat trajtohen njësoj dhe shpërndajnë të njëjtin produksion në të gjitha rrjetet sociale. Kjo praktikë e cila kryhet edhe nga mediat e fuqishme audiovizive, duhet evituar, nëse kërkojnë akoma më shumë audiencë e të ardhura.
Elvin Luku
A do jetë e ardhmja te trendet teknologjike si Tik Tok?
Sipas Elvin Lukut, në Shqipëri Tik Tok është konceptuar e përdorur vetëm si lojë e mjet argëtimi. Nuk është kuptuar ende fuqia e jashtëzakonshme e këtij rrjeti dhe impakti që ai ka patur në zhvillimin, së pari, të tregut të rrjeteve e mediave sociale, dhe, së dyti, të tregut mediatik me bazë informacionin. Numri i jashtëzakonshëm i shkarkimeve dhe rritja e përdoruesve të cilë u marrosën me opsionet, sfidat, krijimet, imitimet në TikTok detyruan të gjithë gjigandët mediatik të rishpikin vetveten. Po të shikoni YouTube, Instagram dhe tashme dhe Facebook krahas “story” kanë futur dhe “reels”, videoproduksione që kanë huazuar konceptin e TikTok.
Nga ana tjetër, po të lexosh raportet e dy viteve të fundit të Insitutit Reuters kupton sesi mediat e mëdha, që ne i konsiderojmë si tradicionale, mes të cilave pionieri Uashington Post, kanë ulur financimet për produksione dhe social media manager në Facebook dhe i kanë zhvendosur ato në TikTok. Mediat e kanë kuptuar se tashmë audiencat e tyre janë plakur dhe po orientohen në ato platforma ku janë të rinjtë. Uashington Post ishte media e parë e madhe që ka krijuar një redaksi Tik Tokers, që përcjellin informacionin përmes krijimtarisë artistike në TikTok.
I përshtatet Tik Tok figurave serioze (psh njerëzve që duan të bëjnë karrierë në politikë?) Apo është platformë vetëm rinore?
Elvin Luku: Politikanët që synojnë të kenë një ndikim te të rinjtë, sigurisht që duhet të jenë të pranishëm në TikTok, madje me krijime inteligjente. Platforma, por dhe TikTok apo Reels si formate produksioni janë hapësira dinamike krijimtarie dhe komunikimi. Edhe një politikan apo figurë tjetër mund të shprehen në mënyrë serioze duke luajtur me simbolikën në imazh. Ne e kemi testuar këtë element në projektin që Qendra MediaLook ka zhvilluar mbi TikTok Corruption gjatë pandemisë. Përshembull farsën e premtimeve elektorale të rinjtë që punuan e ilustruan me një tullumbace që fryhej e fryhej, e që plasi sapo përfundojnë zgjedhjet.
Ju jeni sa gazetar dhe aktivist i shoqërisë civile. Sapo na treguat me fakte, përmes projektit të Medialook sekeni arritur të bëni bashkë: Rini – Tik Tok –Media. Ishte më shumë eksperiment, apo e sheh si drejtim të ri në gazetari?
Elvin Luku: Nga studimet tona rezultonte që të rinjtë shqiptarë të grup moshës 14-25 vjeç, të cilët njihen si Gjenerata Z, ishin shkëputur gjithnjë e më shumë nga informimi përmes mediave tradicionale audiovizive. Burimi kryesor i informacionit për to ishin rrjetet sociale, platforma si Instagram apo TikTok. Duke parë këtë tendencë por dhe faktin që të rinjtë po bëheshin gjithnjë e më shumë pjesë e platformës TikTok, ne menduam që të bashkonim këto tri elementë që ju me shumë inteligjencë keni pikasur. Pra, synimi ynë nuk ishte të afronim disa të rinj dhe ti linim këto të fundit të luanin me TikTok, por u mbështetëm te një element tjetër i këtij formati: fuqinë krijuese dhe shprehëse të tij.
Mqs media tradicionale dhe të rinjtë ishin larg njëra tjetërës dhe të rinjtë kishin pak hapësira për tu shprehur Qendra MediaLook ia krijoi këtë mundësi duke i dhënë si mjet një platformë të tyren, që ata e njohin mirë, janë familjarë. U krijuan në total mbi 360 produksione të formatit të shkurtër TikTok për një periudhë 7 muajore, me informacione që raportoheshin në media por dhe produksione të lira. Duhet thënë se pati video të mira nga pikëpamja e mesazhit, realizimit artistik, simbolikës sikurse pati dhe produksione jocilësore. Ajo që u evidentua akoma më shumë ishte diferenca e axhendave të politikës e medias dhe interesave të të rinjve dhe kjo dukej te produksionet e tyre të lira, të cilat nuk përkonin me njëra tjetrën.
Një rast reagimi që vlen të ndahet me lexuesit ku projekti/vizibiliteti/impakti është ndihmuar pikërisht nga platforma e përzgjedhur, pra Tik Tok?
Produksioni më i ndjekur në TikTok ishte në fakt një video e realizuar nga Klotilda Kola mbi “Përdorimin e maskave: si duhet dhe si është realisht” me 162 mijë ndjekës, 3509 pëlqime, 62 shpërndarje dhe 23 komente. Në fakt kjo nuk klasifikohej në punët më të mira të Klotildës, e cila është një TikToker shume e talentuar me cilësi të lartë krijuese dhe interpretuese, por kjo është e bukura e kësaj platforme. Në fakt, ajo që ka ngjitur në këtë produksion në kulmin e pandemisë, është e vërtëta e treguar me pak humor në kohën dhe në momentin e duhur. Por ka patur disa tema. Nëse qëndrojmë te Klotilda është një zbërthim që ajo i bën marrëveshjeve dhe kontratave fiktive me PPP, një skemë e treguar në një video Tik Tok në 13 sekonda. Është trajtimi i tematikës nga Ester Kurrizo të shembjes së Teatrit Kombëtar në formën e një makthi që e zgjon nga gjumi, janë tematikat e treguara me humor nga Klevis, imitimet që Xheni u bën disa rasteve abuzive të gazetarëve me pagë në sektorin publik apo dhe kërcimet e Kristinës, me fuqi të fortë shprehëse në këtë format.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
